Shehu: Nderim për Profesor Eshref Ymerin dhe veprën e tij madhore

  • A.P /
  • 12 December 2025 - 16:26
Shehu: Nderim për Profesor Eshref Ymerin dhe veprën e tij madhore

Nderim për Profesor Eshref Ymerin dhe veprën e tij madhore

 

Nga Prof. Dr. Hajri Shehu

 

Enciklopedistit Eshref Ymeri nuk i numërohen veprat diturore: 7 tekste universitare, 4 kurse leksionesh, 10 fjalorë të mëdhenj, 7 libra në fushën e përkthimit e të letërsisë artistike, mbi 2 200 artikuj publicistikë, dhjetëra e dhjetëra redaktime veprash të mëdha diturore, mijëra faqe përkthime letërsi artistike, politike etj. etj. Dhe vetëm shkruan e boton. Shqipëria, Flamuri e Gjuha bëjnë kombin. Për Kombin shkruan e boton profesor Eshref Ymeri. Dhe në të gjitha botimet, fotoja e profesor Eshrefit është pranë Flamurit.

Profesor Eshrefi është leksikograf i madh. (Leksikograf është ai që merret me teorinë dhe praktikën e hartimit të fjalorëve.) Tre fjalorë madhorë të prof. Eshrefit janë botuar edhe në Gjermani nga shtëpia botuese Globe Edit, me redaktore Elca Zonjën. Ata janë: Fjalor frazeologjik i gjuhës shqipe (1202 f., me 19 300 shprehje frazeologjike), Fjalor frazeologjik anglisht-shqip (1253 f., me 25 440 shprehje frazeologjike) dhe Fjalor frazeologjik frëngjisht-shqip (1508 f., me 40200 shprehje frazeologjike). I këtyre përmasave është edhe Fjalor frazeologjik rusisht-shqip, botuar në Tiranë, 2015 (1254 f., me 25 160 shprehje frazeologjike). Botimi i fjalorëve në Gjermani flet për vlerësime shumë të larta.

Profesor Eshrefi banon në Amerikë, në Kaliforni. Shqipërinë e ka larg syve, por gjithnjë në zemër. Sepse, siç e cilëson një nga lexuesit e tij, “Eshrefi është bir Shqipërie”. Ndonjë tjetër mund të përhumbej në jetën e jetesën vetjake e familjare atje larg. Eshref Ymeri – jo. Eshref Ymeri është gjithë sy e veshë për atdheun. Dhe thotë gjithnjë fjalën e tij të mençur. Dhe që nga viti 1991 e deri më tani, profesor Eshrefi ka botuar, siç u tha, mbi 2 200 artikuj publicistikë. Dhe na sjell dashuritë dhe brengat për Shqipërinë. Na sjell edhe komente e analiza të mprehta për tema të sotme shoqërore. E, edhe polemika të gjalla politike, ideologjike e shoqërore. Kurse të 75 artikujt letrarë të prof. Eshrefit (shih librin “Shtigjeve të fjalës artistike”, Tiranë, 2021) kemi kritikun e formuar letrar dhe fjalën e tij të thelluar për letërsinë e për ata që bëjnë letërsi e art. Edhe këtu ka edhe artikuj polemikë. Seriozë e mbushamendës. Prof. Eshrefi të këndell e të ngre me gjithçka që shkruan. Shkrimtari Shjefqet Meko ka një mënyrë tjetër thënieje: “Mendimi që ndez prof. Eshref Ymeri” (nënvizimi është imi – H.Sh.). Prof. Eshrefi jo vetëm të këndell, por të ndez me mendimet e tij.

Përveçse leksikograf i madh, studiues i përkushtuar i leksikut të shqipes (leksiku është tërësia e fjalëve që ka gjuha), pedagog i shkëlqyer i gjuhës ruse në Universitetin e Tiranës, hartues i palodhur i teksteve të autoritetshme universitare për gjuhën ruse, kritik i fuqishëm letrar, publicist me fjalën gur të rëndë, prof. Eshrefi është edhe përkthyes i shquar nga gjuha ruse në gjuhën shqipe e nga gjuha shqipe në gjuhën ruse. Për të gjitha letërsitë – artistike, publicistike, politike, dokumentare, gjuhësore, mësimore, fetare etj. Vetëm letërsi politike ka 3 200 faqe të botuara. Letërsi artistike: rreth 15 romane etj., botuar më së shumti te shtëpia botuese “OMSCA”, Tiranë. Ata që përkthejnë, e dinë se sa i vështirë është përkthimi (nga gjuha amtare) në gjuhë të huaj.

Përkthimi është letërsi. Përkthimi është art. Përkthimi është shkencë. Përkthimi është teori. Për këtë letërsi, për këtë art, për këtë shkencë, për këtë teori profesor Eshrefi ka botuar dy libra me mbi 1 000 faqe: Përkthimi histori pasioni dhe Arti i përkthimit gojor. Për të parin, përkthyesja, shkrimtarja dhe kritikja Mira Meksi thotë: Është ajo vepër me vlera të jashtëzakonshme njohëse. Për të dytin, prof. dr. Abdurrahim Myftiu, kritik arti thotë: Vepër e çmuar në fushën e kulturës nga gjuha shqipe në gjuhën ruse.

Në anët e mia, në Dibër, për dikë që s’pushon së punuari e shkëlqen e shkëlqen në punët e tij, thonë: Ai (aksh njeri) hahet me retë. Profesor Eshrefi hahet me retë. Sepse prof. Eshrefi ka temperamentin dhe talentin ideal për të bërë punë të mëdha; ka zellin (ndezurinë) dhe durimin ideal për vepra të mëdha diturore; ka mendjemprehtësinë dhe mendjekthjelltësinë ideale për jetën dhe punët; ka formimin shkencor ideal dhe forcën interpretuese ideale për jetën dhe shoqërinë. Por, teksa po shkruaj këto pak fjalë për prof. Eshref Ymerin (për veprat e tij duhen dhjetëra monografi), them se dikush mund të pyesë çiltërsisht: Ku e gjen gjithë këtë kohë prof. Eshrefi ? Ku e gjen? Përgjigjja vjen shumë thjeshtë: Koha nuk gjendet, po nuk e kërkove. Profesor Eshrefi e kërkon kohën. E kërkon dhe e gjen. Prof. Eshref Ymeri të parën ka mendjen; të dytën – fjalën. Një shembull dhe model i madh për të gjithë.

Prof. Eshrefi është lis shumë i lartë. Por, që ta shohësh sa shumë i lartë është lisi, duhet të shkosh më tej. Sepse nga larg kundrohet lisi. Edhe mali. E atëherë, duhet shkuar te vepra e Profesorit, te bibliografia e tij, te botimet, te veprimtaria e tij pedagogjike, shkencore e botuese. Dhe përpara bibliografisë, te një biografi e shkurtër shkencore. Dhe pas këtyre, po të kemi parasysh të gjitha standardet, me të cilat mund të matet veprimtaria krijuese e një njeriu, mund të pyesim krenarisht: Kush mund të barabitet me prof. Eshref Ymerin?

 

Tani, ja dhe mali i veprimtarisë pedagogjike, shkencore, botuese të prof. Eshref Ymerit.

 

Tekste mësimore

 

1968 – Tekst mësimor për zhvillimin e gjuhës së folur të studentëve të kursit të parë të gjuhës ruse (botim i Shtëpisë Botuese të Librit Universitar).

1972 – Tekst mësimor për zhvillimin e gjuhës së folur të studentëve të kursit të dytë të gjuhës ruse (botim i Shtëpisë Botuese të Librit Universitar).

1974 – Tekst mësimor për gramatikën e gjuhës ruse për të katër kurset e studentëve të gjuhës ruse, me grup autorësh (botim i Shtëpisë Botuese të Librit Universitar).

1981 – Analizë teksti për studentët e kursit të parë dhe të dytë të degës së gjuhës ruse, me bashkautor (botim i Shtëpisë Botuese të Librit Universitar).

1982 – Tekst me tema bisedimi në ndihmë të zhvillimit të gjuhës së folur për mësuesit e gjuhës ruse (botim i Institutit të Studimeve Pedagogjike).

1984 – Formula bisedore. Tekst në ndihmë të mësuesve të gjuhës ruse (botim i Institutit të Studimeve Pedagogjike).

2002 – Gjuha e folur ruse. Tekst mësimor për studentët e të katër kurseve të degës së gjuhës ruse (botim i Shtëpisë Botuese të Librit Universitar).

 

Lëndë mësimore praktike

 

Gjatë kohës që ka punuar si pedagog në Fakultetin e Historië dhe të Filologjisë dhe në Fakultetin e gjuhëve të huaja, ka dhënë:

Lëndën e gjuhës së folur ruse në të katër kurset.

Lëndën e gramatikës praktike të gjuhës ruse në kursin e parë dhe të dytë.

Lëndën e analizës së tekstit në të katër kurset.

 

Kurse leksionesh

 

Leksionet e stilistikës së gjuhës ruse (bashkë me seminaret)

Leksionet e gjuhësisë së përgjithshme.

Leksionet e letërsisë ruse (bashkë me seminaret).

Leksionet e përkthimit (bashkë me ushtrimet e përkthimit).

 

Artikuj metodiko-shkencorë dhe shkencorë

 

Artikuj të tillë janë botuar në gazetën “Mësuesi”, në revistën “Studime filologjike” dhe “Gjuha jonë” gjatë viteve ’70-80 të shekullit të kaluar.

 

Përkthime të letërsisë politike

 

Në Shtëpinë Botuese “8 nëntori”, gjatë viteve 1978-1990, ka përkthyer 3200 faqe letërsi politike nga gjuha shqipe në gjuhën ruse.

 

Përkthime artistike

 

Gjatë viteve 1998 e në vazhdim, ka përkthyer e botuar vepra të shkrimtarëve: 

Aleksej Prijma: “Edgar Kejsi” (Shtëpia Botuese OMSCA, Tiranë 1999).

F.M. Dostojevski: 

“Një zemër e dobët” (Shtëpia Botuese OMSCA, Tiranë 1998 dhe Shtëpia Botuese ABC, Tiranë 2008).

“Sozia” (Shtëpia Botuese OMSCA, Tiranë 2000).

“Pollzunkovi” (një roman me nëntë letra) (Shtëpia Botuese OMSCA, Tiranë 2000).

“E zonja e Shtëpisë” (Shtëpia Botuese OMSCA, Tiranë 2001).

Një grua bote dhe një burrë poshtë shtratit” (Shtëpia Botuese OMSCA, Tiranë 2002).

Italo Kalvino: “Përralla italiane” (Shtëpia Botuese DeaS, Tiranë 2000).

Ky është profeti Muhamed, i dërguari i Zotit për mbarë njerëzimin (përgatiti për botim dhe botoi Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i qytetërimit Islam. Përkthyer në gjuhën ruse (Tiranë 2008).

Leonid Grossman: “Pushkini në kulturën ruse”. Shtëpia Botuese “Bota Shqiptare”. Tiranë 2014.

Nikollaj Kolada: “Nishani” (dramë; vënë në skenë në Teatrin Kombëtar në vitin 2003)

Ludmilla Razumovskaja: “E dashur Elena Sergejevna” (dramë; vënë në skenë në Teatrin Kombëtar në vitin 2007).

Vath Koreshi: Skenar i filmit “Porta Eva” (përkthyer në gjuhën ruse; prodhim shqiptaro-rus. Regjisor: Albert Minga. Producent Aleksandër Mihajllov. U xhirua në Shqipëri në vitin 2000 dhe doli në ekran në vitin 2001).

Zheni Kostandinova: “Vanga” (Shtëpia Botuese OMSCA, Tiranë 1999).

Zhorzh Amadu: “Zonja Flora dhe dy burrat e saj” (Shtëpia Botuese OMSCA, Tiranë 2001).

Kobo Abe: “Gruaja e burgosur në rërë”. (Shtëpia Botuese “Bota Shqiptare”. Tiranë, 2012).

 

Fjalorë

 

Fjalor i termave të mbrojtjes kundërajrore (me bashkautorë) (Botim i Akademisë‰ Ushtarake, Tiranë‰1990).

Fjalor frazeologjik italisht-shqip (me bashkautor) (Shtëpia Botuese AFËRDITA, Tiranë 1997).

Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe (me bashkautorë) (Shtëpia Botuese TOENA, Tiranë 2002).

Fjalor i madh frazeologjik italisht-shqip (me bashkautorë) (Shtëpia Botuese EDFA, Tiranë 2007).

Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe (i pasuruar dhe i  ripunuar) (me bashkautorë) (Shtëpia Botuese EDFA, Tiranë 2007).

Fjalor frazeologjik rusisht-shqip (Shtëpia Botuese “Bota Shqiptare”. Tiranë, 2015).

Fjalor frazeologjik anglisht-shqip (Shtëpia Botuese “Bota Shqiptare”. Tiranë, 2018). Ribotuar në dy vëllime në Shtëpinë Botuese “GlobeEdit”, Gjermani. 2019.

Fjalor frazeologjik frëngjisht-shqip (Shtëpia Botuese “Bota Shqiptare”. Tiranë, 2021). Ribotuar në tre vëllime në Shtëpinë Botuese “GlobeEdit”, Gjermani. 2022.

“Fjalor Frazeologjik i gjuhës shqipe” (Shtëpia botuese Klubi i poezisë”, Tiranë 2022). Ribotuar në dy vëllime në Shtëpinë Botuese “GlobeEdit”, Gjermani. 2023.

Redaktime fjalorësh

Fjalor rusisht-shqip (grup autoresh) (Shtëpia Botuese EDFA, Tiranë‰2005).

Fjalor shqip-rusisht (autore prof. as. Mukades Mançe) (Shtëpia Botuese EDFA, Tiranë‰2007).

 

Publicistikë 

 

Prej vitit 1991 dhe deri tani ka botuar 2137 artikuj publicistikë në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare për ribashkimin e trojeve tona etnike, përfshirë edhe artikujt me tema shoqërore apo edhe artikuj polemikë.

 

Botime të tjera

 

Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse (me bashkautor) (Shtëpia Botuese TOENA, Tiranë 2006).

Antologjia e kryqëzimit: Rusia dhe çështja shqiptare 1878-2012 (me bashkautor). (Universiteti “Iliria”. Prishtinë 2012).

Përkthimi, një histori pasioni (Shtëpia Botuese “OMSCA-1”. Tiranë, 2015).

Arti i  përkthimit gojor (Studio “Intergrafika”. Tiranë, 2018).

Shtigjeve të fjalës artistike (Shtëpia Botuese “Klubi i poezisë”. Tiranë, 2021).

Shqiptarët përballë politikës rusomadhe (Shtëpia Botuese “Klubi i poezisë”. Tiranë, 2022).

Kujtime, mbresa dhe përjetime (Shtëpia Botuese “Klubi i poezisë”. Tiranë, 2023).

Rezonanca magnetike për Rusinë dhe rusët (Shtëpia botuese Intergrafika, Tiranë, 2025)

 

Vlerësime

 

I. Shoqata kulturore atdhetare “Labëria”, me Kryetar Prof.dr. Ago Nezha dhe Sekretar Xhemil Çeli, me vendim të Forumit të saj, të datës 31 mars 2013, e ka nderuar me Diplomën “Personalitet i shquar i Labërisë”, me këtë motivacion:

“Profesor doktor, gjuhëtar i shquar, me kontribut të çmuar në zhvillimin e gjuhës shqipe dhe njohjen e saj në rrethe të larta intelektuale të diasporës sonë në Evropë dhe në SHBA. Një nga bijtë e Labërisë, që me veprën, jetën e sjelljen e tij nderon trevën e lindjes dhe mbarë kombin shqiptar”. 

II. Me propozim të Bordit dhe të Senatit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve Shqiptaro-Amerikane Nju Jork, në datën 27 prill 2017 është pranuar anëtar i kësaj Akademie.

Kualifikimi shkencor

Në vitin 1989 ka mbrojtur disertacionin me temë “Paralele leksiko-frazeologjike të shqipes me rusishten” për marrjen e gradës “Kandidat i Shkencave”. Udhëheqës shkencor ka qenë Profesor Androkli Kostallari. Disertacioni është i depozituar një kopje në Bibliotekën Kombëtare dhe një kopje në Bibliotekën e Fakultetit të Historisë e të Filologjisë dhe të Fakultetit të gjuhëve të huaja.

16. 12. 1989. Merr gradën shkencore “Kandidat i Shkencave” (me vendim nr. 208 të Komisionit të Lartë të Atestimit).

14. 12. 1994. Grada “Kandidat i Shkencave”, sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 351, datë 30.06. 1993, konvertohet në gradën shkencore “Doktor”.

13. 12. 1994. Merr titullin “Asistent Profesor” (me vendim nr. 11 të Komisionit të Lartë të Kualifikimit Shkencor). 

11. 05. 2001. Merr titullin “Profesor” (me vendim nr. 53 të Komisionit të Lartë të Kualifikimit Shkencor).

(Kosova Sot Online)