Prof. Eshref Ymeri dhe letërsia e tij akademiko-shkencore dhe patriotike

  • A.P /
  • 17 January 2026 - 22:11
Prof. Eshref Ymeri dhe letërsia e tij akademiko-shkencore dhe patriotike

Nga Skënder Sadri Kapiti

Që të jesh intelektual i vërtetë dhe që publiku e kombi të të respektojnë, duhet që intelektuali të jetë i ndershëm, jo servil, i paanshëm, kritik, patriot dhe i pakorruptuar nga pushteti, interesat e ulëta dhe paraja. Shqipëria duhej të ishte dekomunistifikuar; duhej bërë një veting rrënjësor, një pastrim jo vetëm politik, por edhe juridik, akademik, mediatik, arsimor dhe ideologjik, gjithpërfshirës e gjithinstitucional shtetëror. Fatkeqësisht, ende sot, pas 35 vitesh tranzicion, Shqipëria politike qeveriset nga ish-komunistët dhe trashëgimtarët e tyre, ish-“kalamajtë” e Bllokut komunist, dhe madje edhe Akademia shqiptare ka në krye një ish-komunist dhe ish-ministër të diktaturës komuniste.

Sot vendosa të shkruaj këtë shkrim për Prof. Eshref Ymeri, ku e ndiej si detyrë intelektuale të shpreh konsideratat e mia për personalitete të larta dhe për intelektualë kontributorë të patriotizmit, diturisë dhe zhvillimit, si dhe të përmirësimit edukativo-nacional dhe patriotiko-politik. Për këto vlera shquhet dhe dallohet Prof. Eshref Ymeri, si ndoshta askush tjetër sot në Shqipëri. Që në fillim dua të them dhe të kritikoj ashpër të gjitha mediat e Tiranës: televizionet, gazetat, portalet dhe mediat e shkruara që dalin në Shqipëri, të cilat publicistikës dhe shkrimeve të Profesorit u kanë vendosur embargo.

Por u takon intelektualëve të vërtetë, të pa sëmurë nga smira dhe egoizmi; u takon intelektualëve moralë, patriotë dhe të guximshëm që të bëjnë kritikë reale dhe të argumentuar, që të japin vlerësimin, mirënjohjen dhe meritën personaliteteve të shquara të fushave të ndryshme, në funksion të zhvillimit, përmirësimit dhe edukimit patriotik, moral e kombëtar të shoqërisë. Intelektualët e vërtetë kanë forcën, meritën, guximin dhe autoritetin jo vetëm për të ndërtuar vlera, por edhe për të rrëzuar autoritetin e pamerituar dhe idhujtarinë boshe. Ata nuk duhet të mbeten peng i servilizmit dhe mercenarizmit politik e financiar, duke u shitur lirë për përfitime të vogla, ashtu siç ishte e gjithë shpura intelektuale e komunizmit dhe siç është sot shpura intelektuale materialiste e korruptuar e paskomunizmit pseudodemokratik.

Duke parë dhe lexuar në shtypin shqiptar letrat, fjalimet dhe publicistikën e Prof. Eshref Ymerit, ndjehem mirë që ka shqiptarë intelektualë, së pari patriotë, si ai. Ai është një akademik erudit, i paanshëm politikisht dhe kritik i vendosur ndaj të këqijave kombëtare e publike. Publicistika e tij letrare, artistike, filozofike, akademike, morale, politike dhe historike përcjell edukatë, leksione dhe porosi me vlera të jashtëzakonshme për brezin e sotëm dhe për brezat e ardhshëm. Për akademikë si Ymeri kanë aq shumë nevojë publiku, politika, shteti dhe të dy akademitë shqiptare: ajo e Tiranës dhe ajo e Prishtinës. Mendimi i tij dallohet për gjerësinë dhe thellësinë, si dhe për qartësinë dhe thjeshtësinë; për një logjikë të pastër të një studiuesi të lirë dhe për arsyen e një mendjeje të kthjellët të një shqiptari të madh. Këto janë antiteza e intelektualëve egoistë, mendjemëdhenj, hipokritë e djallëzorë, të cilët mjerisht nuk janë të paktë.

Profesorin nuk e kam takuar asnjëherë, por e kam njohur përmes shkrimeve të tij të botuara në shumë portale. Ai jeton në Amerikë, por asnjë çast nuk ndahet zemërisht dhe shpirtërisht nga atdheu, sepse i përjeton thellë të gjitha ngjarjet që zhvillohen në Shqipëri dhe në Kosovë.

Publicistika e tij i ngjan asaj të mendimtarëve të mëdhenj ndërkombëtarë, idetë e të cilëve krijuan kombe dhe shënuan epoka. Puna e tij intelektuale, e mundimshme dhe e lodhshme, i shërben drejtpërdrejt atdheut dhe kombit. Ai është akumulues i dijeve dhe i vlerave më të mira, si dhe krijues intelektual i një shembulli të rrallë e të admirueshëm; studiues i vërtetë i realiteteve ndërkombëtare dhe, sidomos, i atyre kombëtare; vlerësues dhe inkurajues i së shkuarës së lavdishme dhe i së mirës së sotme kombëtare shqiptare. Ai është kritik i pakompromis kundër të këqijave kombëtare e publike, kundër korrupsionit dhe tradhtisë.

Nga njëra anë, kjo e bën atë kritik të rreptë, por nga ana tjetër, ai është edhe kritik pozitiv dhe inkurajues për të vërtetën, të drejtën, të mirën, për përmirësimin dhe ndryshimin. Kritika, publicistika, fjalimet, shkrimet dhe librat e Profesorit meritojnë respekt dhe mirënjohje, sepse njeriun e bëjnë të madh punët dhe veprat e mira e të dobishme. Veprat e Prof. Ymerit i shërbejnë publikut dhe interesit të tij e të kombit; i shërbejnë edukimit dhe emancipimit modern të shoqërisë dhe intelektualizmit të vërtetë; i shërbejnë shkëputjes nga e shkuara e dëmshme, por edhe nga të këqijat e së tashmes; i shërbejnë rrëzimit të miteve dhe çlirimit nga mashtrimet e gënjeshtrat politike; i shërbejnë mësimit të historisë së vërtetë shqiptare, ballkanike dhe botërore, si dhe përvetësimit të eksperiencave dhe vlerave humane universale.

Publicistika e Prof. Ymerit i shërben gjithashtu njohjes së historisë demokratike të shteteve mike të shqiptarëve, si dhe analizës së ideologjive, projekteve, devizave dhe strategjive të shteteve armike sllavo-heleno-ortodokse. Ai porosit se shqiptarët duhet të largohen nga injoranca, përçarja, korrupsioni dhe tradhtia, si dhe nga e shkuara traumatike, penguese dhe bllokuese, e cila, mjerisht, ende vazhdon të rëndojë mbi politikën shqiptare.


(Kosova Sot Online)