Nebih Zeneli hero i gjallë i arsimit shqip
Shkruan: Florim Zeqa
Secila epokë historike i ka heronjët e vet. Pa dyshim se përgjatë rezistencës aktive paqesore e viteve të ’90 ta heronjë të vërtetë të arsimit shqip ishin punonjësit arsimor, të cilët me të gjitha mjetet i dolën zot dhe e mbrojtën shkollën shqipe. Njëri ndër ta është edhe Nebih Zeneli nga fshati Kollë i Vushtrrisë, i cili me guxim dhe heroizëm të paparë e hapi shkollën në Vërnicë në kundërshtim me urdhërat e pushtuesve serbë.
Heroizëm i përmasave vetëflijuese
Shkolla fillore “Emin Duraku” në Vernicë asokohe ishte paralele e ndarë e shkollës me të njëjtin emër në Novolan.
Kështu, një ditë para fillimit të vitit të ri shkollor më 30 gusht 1992, drejtori i dhunshëm Miliçkoviq Decimir e fton Nebihun në bisedë informative dhe i thotë; nesër me të përfunduar orari mësimor i paraditës për serbët, duhet ta mbyllësh me çelës derën për nxënësit shqiptarë, kjo është urdhëresë nga Ministria e Arsimit e Serbisë, derisa shqiptarët nuk i pranojnë planprogramet e Serbisë në këtë shkollë nuk kanë me hyrë më nxënësit dhe as personeli arsimor shqiptar!
Andaj, dëgjo mirë i thotë Decimiri, mos gabo rastësisht me e hapë shkollën për nxënësit shqiptar, se e humbë punën dhe bukën e familjes tënde!
Nebihi pa një pa dy i përgjigjet në këtë mënyrë: “Pse unë e humbi punën nuk është asnjë problem, unë shkollën do ta hapi, dhe i thotë se nxënësi i parë që vjen do t’ia hapi derën e shkollës”.
Pastaj, drejtori i dhunshëm Miliçkoviq Decimir edhe e kërcënon ashpër më këto fjalë; “ki kujdes, se hapja e shkollës paraqet rrezik të madh për ty, mund ta humbasësh jo vetëm vendin e punën por edhe kokën”!
Nebihu sypatrembur ia kthen: “Shumë pak rëndësi ka koka ime në krahasim me shkollën shqipe”.
Në atë moment drejtori revoltohet, i kërkon të ia dorëzoj çelësat e shkollës.
Por Nebihu nuk dorëzohet, nuk ia jepë çelësat!
Kështu Nebih Zeneli me guxim dhe vendosmëri, me dashuri dhe përkushtim për shkollën shqipe më 1 shtator 1992 i bie ‘Ziles’ dhe ua hapë derën nxënësve për hyrje në shkollë.
Vlenë për të theksuar se, atë ditë pak minuta para fillimit të orarit mësimor për nxënësit shqiptar, kishin shkuar katër polic serbë në oborrin e shkollës për t’a kërcënuar Nebihun.
Të njëjtën gjë pushtuesit serbë kishin tentuar ta bënin edhe në shkollën Amë në Novolan, por drejtori Izet Ferizi pa iu trembur çerpiku urdhëron hapjen e shkollës shqipe sipas planprogrameve të MASHT-it të Republikës së Kosovës.
Nebihu nuk ishte i vetëm, afër vetës e kishte mësuesin Feriz Ferizi (xhaxhai i drejtorit Izet Ferizi) dhe të gjithë personelin arsimor shqiptarë të cilët ishin në përkrahje të tij përballë policëve serbë.
Edhe përkundër kërcënimeve dhe shantazheve, Nebihu qëndron stoik në mbrojtjen e shkollës shqipe deri më 9 shtator 1992 kua ia dorëzojnë vendimin për largim nga puna.
Pas largimit nga puna, Nebihu detyrohet të bëjë punë të ndryshme për mbajtjen e familjes me nder dhe dinjitet pa iu nënshtruar pushtuesve serbë.
Kush është Nebih Zeneli
Nebih (Shaban) Zeneli lindi më 08.02.1946 në fshatin Kollë. Rrjedhë prej një familje mesatare me tradita të pastra atdhetare. Pas përfundimit të arsimit bazik në kohën e tij, në mungesë të një vendi pune, angazhohet me punë të ndryshme, filluar nga ato bujqësore dhe ndërtimore të kohës sa për të mbajtur me nder dhe dinjitet familjen e tij.
Nebih Zeneli nga viti 1974 e fillon punën si Punëtor Ndihmës në shkollën fillore “Emin Duraku” në Novolan, ku ka punuar deri në pensionim në vitin 2011.
Kontributi i tij në shkollën ku ka punuar është i madh dhe shumëdimensional. Përveq punës për të cilën ishte i ngarkuar, Nebihu kishte dhënë kontribut të çmuar në mbarëvajtjen e arsimit shqip edhe në forma të tjera.
Sjellja njerëzore dhe afërsia me nxënës, e bënte Nebihun të dashur dhe respektuar nga nxënësit në mënyrë të barasvlefshme me një mësues klase.
Nebih Zeneli kishte raporte tepër të ngushta dhe kolegiale me të gjithë personelin arsimor dhe drejtuesit e shkollës shqipe.
Nebihu asnjëherë nuk ishte lakuar së qëndruari vertikalisht në misionin e tij atdhetar në mbrojtje të shkollës shqipe. Këtë e kishte dëshmuar përgjatë viteve të ’90-ta me punën pa pagesë në funksion të mbrojtjes së shkollës shqipe dhe jo vetëm.
Pas largimit të dhunshëm nga puna më 9 shtator 1992, pas përfundimit të luftës Nebihu përseri kthehet në vendin e tij të punës, ku më përkushtim të madh e vazhdon punën deri në pensionim më 8 shkurt 2011, me ç’rast Drejtoria e Arsimit e Komunës së Vushtrrisë e nderon me Mirënjohje për kontributin e dhënë në procesin edukativo-arsimor në shkollën fillore “Emin Duraku” në Novolan.
Nebih Zeneli edhe sot e gëzon një respekt të madh në lokalitetin ku jeton për heroizmin e treguar në kohët e vështira të okupimit klasik të Serbisë, të cilat për ne shqiptarët ishin vite të krenarisë kombëtare.
Ndjehem me fat që e kam takuar Nebih Zenelin në Kosovë dhe njohur më mirë përgjatë këtyre viteve të fundit këtu në Itali, kur erdhi për vizita tek djali i tij, Ruzhdia. Më befasoi me kthjellësinë e tij mendore dhe mbamendjen e ngjarjeve nëpër të cilat ka kaluar dekada më parë.
Nebih Zeneli është dhe do të mbetet, si një ndër shëmbujt më të mirë për gjeneratat e ardhshme si mbrohet atdheu përmes qëndresës burrërore dhe rezistencës heroike, si mbrohet shkolla shqipe dhe vlerat e pastra kombëtare.
(Kosova Sot Online)
