Ahmeti: Inspektorati nuk kërkon leje nga unë për rrënime, ata e respektojnë ligjin

  • 12 October 2016 - 11:47
Ahmeti: Inspektorati nuk kërkon leje nga unë për rrënime, ata e respektojnë ligjin

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti përmes një shkrimi të publikuar në Facebook ka ndarë bisedimet e tij me disa qytetar të cilët kishin disa kërkesa nga ai.

Ai përmes këtij postimi i cili ka të bëj me rrënimet e objekteve të ndërtuara pa leje, ka thënë se inspektoret nuk marrin leje nga ai se ku apo kujt ti rrënojnë objektin, ata vetëm janë të detyruar të respektojnë ligjin.

“Kur të konstatohet ndërtimi pa leje nga inspektorati, ata nuk kanë të drejtë të vijnë e të më pyesin çka me bo, sepse janë të detyruar të zbatojnë ligj”, janë fjalët e Ahmetit në Facebook.

Lexojeni të plotë shkrimin e tij:

Para dy jave dy qytetarë ishin duke më pritur para komunës për të biseduar.

– kryetar, kemi ardh me diskutu diçka urgjentisht
– cili është problemi?
– ka ardh inspekcioni me na thënë se duhet me i rrënu shtëpitë që i kemi pa leje
– a me të vërtetë i keni pa leje?
– po
– a ju ka thënë inspekcioni më herët që nuk bën me ndërtu pa leje
– po
– dhe ju keni vazhdu
– po
– kur ka qenë kjo?
– para dy muajsh
– pse keni ndërtu pa leje? pse nuk keni ardh me kërku leje, dhe edhe në qoftë se nuk keni pas mundësi me pagu e kishim diskutu para se me ndërtu
– nuk kemi mujt me marr leje, se nuk është toka jonë
– e në tokë të kujt po ndërtoni?
– të komunës që na e ka shit njani
– po ndërtoni pa leje në tokë të komunës dhe keni ardh me kërku ndihmë prej meje
– erdhëm me kqyr qysh me ja bo

Kur mërrin në këtë fazë nuk ka më qysh me ja bo. Pastaj në tv po dalin skena të rrënimeve që nuk janë të mira për askënd. I lus qytetarët e Prishtinës që të mos bijnë pre e mashtrimeve të shitësve të tillë të tokave e të materialeve ndërtimore. I lus qytetarët që ti drejtohen drejtorisë së urbanizmit, e ata në kushte të rënda sociale drejtorisë së shëndetësisë e mirëqenies sociale.

Unë inspektorëve nuk i tregoj ku me shku e ku mos me shku, e çka me rrënu e çka mos me rrënu, sepse nuk e kam atë të drejtë. Kur të konstatohet ndërtimi pa leje nga inspektorati, ata nuk kanë të drejtë të vijnë e të më pyesin çka me bo, sepse janë të detyruar të zbatojnë ligj. Përndryshe kanë përgjegjësi penale. Prandaj, mos detyroni inspektorët të bëjnë punën që më së paku e kanë dëshirë.

(Kosova Sot)