Mulliqi: Klasa politike dështoi në shtetndërtim

  • 11 October 2017 - 12:34
Mulliqi: Klasa politike dështoi në shtetndërtim

Analisti politik Skënder Mulliqi thotë se pikërisht ky fakt që e pranoi Thaçi tregon akoma më qartë dhe e forcon konstatimin se kjo klasë politike ka dështuar në formimin e shtetit ligjor dhe funksional. "Organet tona të drejtësisë kurrë nuk funksionuan ashtu si duhet kur dihet për nivelin e lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit që kemi. Ky mosfunksionim i organeve tona i kontribuoi shumë edhe formimit të Gjykatës Speciale nga bashkësia ndërkombëtare. Po të kishte funksionuar shteti ashtu si duhet, sigurisht së faktori ndërkombëtar besimin do t'ua kishte dhënë organeve tona të shtetit edhe kur bëhet fjalë për dyshime për krime të luftës. Këta vetë e prunë gjykatën të dera dhe tash përballja me Gjykatën Speciale është e pashmangshme. Tek e fundit ai që është i pastër në këtë drejtim nuk ka çka t'i frikësohet Gjykatës Speciale, siç e shprehu këtë frikë presidenti Thaçi në një tryezë të organizuar nga shoqëria civile ", theksoi Mulliqi. Ai potencoi se është shumë e padrejtë të akuzohet dikush nga shqiptarët së në kohë lufte ka bërë krime të atille monstruoze për të cilat edhe do të ndiqen të akuzuarit nga kjo gjykatë, kryesisht për transplantim të organeve, diçka që kanë mundur ta bëjnë vetëm serbët dhe pastaj t'ua veshin shqiptarëve. "Transplantim të organeve e kanë bërë serbët, të cilët i kanë pasur të gjitha mundësitë dhe mekanizmat për një punë të tillë humanizuese. Serbët kanë bërë çdo marri në fytyrë të kësaj toke mbi shqiptarët e pambrojtur historikisht jo vetëm në luftën e fundit. Kurrë organet tona të shtetit nuk u interesuan që të bëjnë padi për gjenocid të Serbisë në Kosovë, ta ngrehin zërin së ka pasur edhe transplantim të organeve nga pala serbe ,të atyre të gjallëve ose të vdekurve, të cilët, i kanë bartë diku në Serbi dhe të cilët ende rezultojnë si të pagjetur", vijoi më tutje ai."Tani për gabimet e mëdha apo të vogla të Hashim Thaçit nuk bën të vuajnë të gjithë shqiptarët. Deklarata e tij ishte kërcënim për destabilizim të vendit! Thirrja për protesta është e vonë, se ky njeri më shumë u interesua për realizmin e qëllimeve të veta karrieriste për pushtet, sesa u interesua për zhvillim të gjithmbarshëm .Thaçi për t'i ikur disi Gjykatës disa herë bëri deklarata kontradiktore, se ka qenë udhëheqës politik dhe kurrë nuk ka qenë në frontet e luftës . Bëri lëshime të mëdha dhe firmosi marrëveshje gjatë bisedimeve me palën serbe më shumë në dobi të Serbisë. Demarkimi ishte lëshim i madh i radhës bashkë me fusnotën e famoze etj. Ai opinionit publik i ka borxh që tua tregoi arsyet e këtyre lëshimeve në dëm të Kosovës", tha Mulliqi për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)