Mulliqi: Qeveria të shqyrtojë ankesat

  • 09 November 2017 - 13:06
Mulliqi: Qeveria të shqyrtojë ankesat

 Analisti politik Skënder Mulliqi tha për "Kosova Sot" se koncesionet politike në veri të Mitrovicës dhe gjithandej në veri të Kosovës nuk po kanë të ndalur dhe kjo më së miri faktohet edhe me strukturat kriminale që ishin në funksion të përpjekjes për ndarjen e qytetit të Mitrovicës, kriminelët "Rojat e Urës" e shërbime të tjera sekrete mbi lumin Ibër. "Kur bëhet fjalë për borxhin e rrymës në shumën prej 8 milionëve të vitit 2016, e cila në vend që t'u faturohet atyre, të cilët e kanë shpenzuar rrymën, veriut më shumicë serbe, këtë borxh pa asnjë logjikë të shëndoshë po e paguajnë qytetarët e pjesëve të tjera të Kosovës, kjo tregon se si shtet ligjor akoma nuk i kemi punët mirë, i kemi keq punët edhe në këtë plan. Atë e them duke u bazuar në faktin se nuk vumë kontroll mbi këtë pjesë të Kosovës që nga viti 1999, ashtu edhe autoritet kompetente për sektorin e energjisë e patën të pamundur qasjen në veri të Mitrovicës, duke mos arritur t'i lexojnë njehsorët. Katër komunat në veri janë të banuara me shumicë serbe, të cilat ndër vite po funksionojnë jashtë sistemit juridik e kushtetues të vendit", u shpreh ai. "Më në fund ishte dashur që Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe ajo e Tregtisë dhe Industrisë ta shqyrtojë këtë çështje të mospagesës së rrymës nga serbët. Është i padrejtë vendimi i ZRRE-së që borxhet nga "humbjet teknike" dhe konsumimi i paautorizuar i energjisë elektrike të paguhet nga konsumatorët e komunave të tjera. Ky problem ka qenë dashur të zgjidhet gjatë bisedimeve që janë mbajtur në Bruksel në mes të Prishtinës dhe Beogradit zyrtar", theksoi Mulliqi. "Të gjitha këto lojëra të minoritetit serb në veri, në dëm të Kosovës, edhe kjo më mos pagesën e rrymës, po bëhen sepse qeveritë e deritashme nuk ishin sa duhet këmbëngulëse që ta shtrijnë sovranitetin në pjesën veriore. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) e ka të pamundur qasjen në veri të Kosovës, humbjet që shkaktohen në këtë pjesë të territorit nga OSSH duhet të konsiderohen si humbje edhe politike, për çka nga përgjegjësia nuk mund të lirohet Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike", ka thënë Mulliqi.

(Kosova Sot)