"Kush i q**u rrobt, u bë baba i pjellës që vjen pas!", Zheji shkruan për vitin 2018!

  • 01 January 2018 - 17:09

Nëpërmjet një shkrimi të shkurtër analisti Artur Zheji e shikon me skepticizëm atë çfarë do të ndodhë në vitin e ri, atë të 2018-ës.

 Ai përmend ne shkrimin e publikuar ne 360 grade çështje të rëndësishme jo vetëm politike, por edhe më gjerë, ku shprehet me nota skepticizimi se do të realizohen ato çfarë janë premtuar. 

Shkrimi i plote

Asgjë e rëndësishme nuk do të ndryshojë në 2018. Marrëzia e gjelave të therrur dhe bakllavave, është tashmë shija orientale e thellë e shqiptarëve të varfër, fshatrave dhe qyteteve katunde shqiptare.Ca pak të pasur, ca si shumë të pasur, kanë marrë avionët me kohë dhe janë larguar nga çifligu Shqipëri, ku vjelin ditë pas dite dhe vit pas viti, paratë e nevojshme për të qenë zotërinj, në Botën e Madhe, ku në të vërtetë janë askushi.Ndërsa ata të paktët shqiptarë, që janë dikushi edhe nëpër botë, sjellin kokën në Dheun e të Parëve, nga edhe nisën aventurën e largimit dhe fillesën e një jete të re, jashtë fshatit shqiptar.

Ekonomia?

Sigurisht rroftë nisma private e individit, që rregullon oborrin e vet dhe diçka më shumë në gardhin e jashtëm, ku pasi vjedh pak tokë e trotuar, rregullon ndonjë pllakë dhe mbjell ndonjë pemë, mbasi pylli është prerë.

Shëndeti?

Sigurisht në dorë të Zotit, sepse çfarë është në dorë të njeriut, bëhet mbrapsht e në mënyrë grabitqare, epidemitë e sëmundjeve të pashërueshme e vërtetojnë përditë këtë…

Politika?

Eh, mirë tanimë e kemi Beun e madh! E kemi pra Ustain, që ka blerë herë shtrenjtë dhe herë lirë, herë me dredhi dhe herë me forcë, ka nënshtruar apo ka vendosur në skaj, shumicën e kundërshtarëve, që kanë sëpari ambicie paranë, me të cilën kanë këmbyer të ardhmen e tyre politike. 

Vettingu?

Një stuhi në gotë deri tani dhe deri nesër… kur Horati pyet Hamletin, shkruan Shakespeare 500 vite më parë, se: “A thua si do të jetë Imzot bota e poshtë detit?”, Hamleti përgjigjet: “Nuk e di… por me siguri edhe nëndet, ashtu si edhe mbi tokë, peshku i madh e ha të voglin!”Pra Peshqit e Mëdhenj që flet Lu-ja ynë kombëtar, sëfundmi edhe këngëtar, do të hanë peshqit më të vegjël dhe do të bërtasin me sa zë kanë në kokë: “Drejtësia u vendos! Peshqit e mëdhenj të krimit dhe të abuzimit u kapën! Ejani të gëzojmë dhe të lodrojmë! Sot fillojmë një jetë të re, në një Shqipëri të re!”Ej… miq! Kush ja hodhi ja hodhi! Kush grabiti, grabiti! Kush i q**u rrobt, u bë baba i pjellës që vjen pas! Të tjerat janë përralla elektorale!Gëzuar 2018 dhe ju rekomandoj të shihni veç ëndra personale dhe aspak shpresa “të ndritshme kombëtare”, se rrezikoni të gdhiheni me dhimbje të forta koke!

(Kosova Sot)