Adem Jashari ia pati ndaluar hyrjen në Drenicë Hashim Thaçit - Lajme - Kosova Sot
Adem Jashari ia pati ndaluar hyrjen në Drenicë Hashim Thaçit

Adem Jashari ia pati ndaluar hyrjen në Drenicë Hashim Thaçit

Zeqa: Adem Jashari nga viti 1993 kishte refuzuar të takonte fare sojin e Hashim Thaçit! 

"Adem Jashari duhet të ketë marrë vendim dënues ndaj Hashim Thaçit, duke ia ndaluar të hynte në Drenicë. Për cilat arsye konkrete, nuk dua të spekuloj tani, por di që ishin angazhuar disa veta, që të intervenonin te Ademi ta anulonte atë dënim. Por, tashmë ne po e njohim Hashimin më mirë se kishte mundësi ta njihte Ademi atëherë, prandaj kemi mundësi t'i bëjmë Hashimit diskualifikim më të argumentuar, pa pasur nevojë të (sh)përdorim dënimin e atëhershëm të Ademit. Fatkeqësisht, Hashimi, si marionetë e shërbimeve armiqësore, ia doli të shpërdorte edhe Rifat Jasharin dhe familjarë të tjerë, për t'u imponuar si personalitet kryesor i UÇK-së edhe pas lufte, edhe pse kishte qenë komplotisti nga më kryesorët.

Analistët dhe qytetarët, duke vlerësuar të kaluarën gati 20 vjet në liri dhe 11 vjet në shtetin e ri të Kosovës, theksojnë se kjo klasë politike ka dështuar ta dëshmojë angazhimin për shtetndërtim të vërtetë dhe, sipas tyre, kjo nuk është Kosova për të cilën ranë komandantët legjendarë Adem e Hamëz Jashari dhe shumë shqiptarë të tjerë, të cilën u angazhua deri në frymën e fundit edhe që e deshën popullin e tyre dhe luftuan për ta çliruar nga zgjedha fashisoide serbe. Sipas vlerësimit të analistëve të pavarur, asnjë lider, që pas lufte abuzoi me pushtetin, zhvati buxhetin, korruptoi zyrtarët e bizneset, degradoi institucionet, shkatërroi arsimin e shëndetësinë, biznesin e mirëfilltë e diplomacinë, e vrau shpresën e të rinjve të këtij vendi, nuk ka të drejtë të thirret në sakrificën e familjes së madhe të Jasharëve dhe të luftëtarëve të tjerë të lirisë. Është një keqpërdorim i skajshëm, sipas analistëve, mënyra se si po mundohen pushtetarët tanë të shpërndajnë përmes medieve mercenare, që shumicën i kontrollojnë në tërësi, gjoja foto se paskan dalë me Adem dhe Hamëz Jasharin, ndërkaq realisht e vërteta është tërësisht ndryshe!Madje, ky lloj manipulimi cilësohet një përpjekje e turpshme me të cilën po mundohen të përfitojnë kur e dinë edhe ata vetë, por edhe populli, se Adem Jashari kishte refuzuar t'i takonte fare të njëjtët, gjë që e kishte deklaruar vetë Sylejman Selimi në një intervistë për gazetën "KOSOVA SOT" në fillim të viteve të pasluftës.

Prandaj, tani është e domosdoshme që të zbardhet e vërteta e plotë nga familjarët e Adem dhe Hamëz Jasharit se pse Ademi refuzonte të takonte Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe të tjerët që nga viti 1993, kur ata ikën e u fshehën në Perëndim. Është koha, sipas analistëve, që të zbardhet e vërteta pse Adem Jashari kishte refuzuar ta takonte Hashim Thaçin prej vitit 1993 dhe si kishte shkaktuar ftohje e prishje të raporteve në mes të Adem Jasharit dhe Hashim Thaçit e disa shokëve të tij, ikja e tyre në Perëndim. Qytetari duhet ta dijë, më mirë vonë se kurrë, se a e kishte vlerësuar qartë Adem Jashari se çfarë tradhtari dhe oportunisti ishte Hashim Thaçi me miqtë e tij, sepse dihet se si kishte deklaruar Sylejman Selimi për gazetën "KOSOVA SOT" se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli e dinë shumë mirë pse nuk janë takuar më asnjëherë me Adem Jasharin. Se Adem Jashari kishte refuzuar të takonte Hashim Thaçin dhe të tjerë, këtë e kishte deklaruar për herë të parë Sylejman Selimin në një intervistë në "KOSOVA SOT",në janar të vitit 2005.

Sylejman Selimi-Sulltani kishte folur për herë të parë për të pathënat e luftës. Deklarata e tij asokohe që trazoi shumëkënd ishte për raportet e komandantit legjendar Adem Jasharit me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Pse Adem Jashari nuk ka pranuar t'i takojë që nga viti 1993 Thaçin dhe Veselin? Në pyetjen e gazetarit drejtuar Sylejman Selimit se :"A e ka njohur Adem Jashari Hashim Thaçin?" , Selimi është përgjigjur:" Po, e ka njohur. Deri në vitin 1993, por pas këtij viti, ata më nuk kanë kontaktuar kurrë! Hashim Thaçi në vitin 1997 është futur në Kosovë një herë, por me Adem Jasharin nuk është takuar. Ai e di me mirë pse nuk është takuar me Adem Jasharin kurrë më prej vitit 1993. Shkuarja e Hashim Thaçit dhe disa shokëve të tij në Perëndim ka shkaktuar ftohje të raporteve në mes të Adem Jasharit dhe Hashim Thaçit e disa shokëve të tij. Pse këta të fundit nuk kanë mundur të qëndrojnë në Kosovë, kurse Ademi e Hamza, Sahit Jashari,Fadil Kodra,po?! Deri në vitin 1998 shokët e Hashimit nuk janë kthyer në Kosovë, por as Hashimi jo-përveçse një herë në vitin 1997 apo ndoshta edhe herë të tjera është futur në Kosovë, por nuk ka kontaktuar me Adem Jasharin. As Jakup Nura, as Sami Lushtaku, as Hashim Thaçi... Pse nuk kanë qenë në gjendje këta që të takohen me Adem Jasharin?!!! Është mirë që t'i pyesni për këtë! Në qoftë se do Hashim Thaçi, unë mund ta sqaroj se pse nuk është takuar ai më me Adem Jasharin... Ai dhe Kadri Veseli e dinë shumë mirë pse nuk janë takuar më me Adem Jasharin… ", kishte thënë për "Kosova Sot" Sylejman Selimi.

Kosova në duart e tradhtarëve

Analisti dhe veprimtari Reshat Badallaj thekson se Adem Shaban Jashari, kryekomandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që flijoi tërë familjen e tij dhe shumë luftëtarë të tjerë që dhanë jetën për ketë tokë, kishin ideale të tjera. "Çdo herë dhe në çdo shkrim e kam theksuar se jam i gatshëm të përballem me ligjin, ndonëse i xhunglës në Kosovë, se kam thënë dhe po e përsëris se Kosova është në duart e tradhtarëve, hajnave, mafiooligarkëve,banditëve, udbashëve,vagabondëve dhe kurvarëve. Këtë e them edhe si veprimtar i këtij oborri që nga orët e para. Ky soj banditësh e vagabondësh e kanë tradhtuar gjakun e të gjithë dëshmorëve të kombit", u shpreh ai. "Adem Jashari nuk ka porositur këtë kope banditësh që nga pas lufta pa dallim që të vjedhin, të bashkëpunojnë me serbo-çetnikët, t'u shesin toka armiqve shekullorë, ai trim luftoi për t´i mbrojtur këto toka, të hanë e të pinë me kriminelët serbo-çetnik nëpër hotelet më të shtrenjta të botës dhe populli të vdesë urie ose të lihet në mëshirën e Zotit. Shikoni banditët dhe vagabondët pas luftës si kapën pushtetin dhe u bënë supermilionerë..", thotë Badallaj për "Kosova Sot". 

Idealet e dëshmorëve u përdhosën nga shpërdoruesit e lirisë

Sipas analistit Ragip Guraziu, ata që rrokën armët dhe dolën ballë për ballë me armikun, tani dëshmorë të kombit, nuk e kanë menduar një shtet të tillë të kapur e të sakatosur, sepse tanimë me këtë shtet po qeverisin sabotuesit e luftës. "Këta po e sabotojnë edhe lirinë e Kosovës dhe Serbinë e kanë sjellë mu në zemrën e Kosovës, në veri të Mitrovicës. Tanimë është fakt që nuk është kjo Kosova për të cilën kanë rënë Adem e Hamëz Jashari dhe shumë shqiptarë të tjerë, që e deshën popullin e tyre dhe luftuan për ta çliruar nga zgjedha fashisoide serbe. Po e them pa asnjë kursim se asnjë lider, që pas lufte abuzoi me pushtetin, zhvati buxhetin, korruptoi zyrtarët e bizneset, degradoi institucionet, shkatërroi arsimin e shëndetësinë, biznesin e mirëfilltë e diplomacinë, e vrau shpresën e të rinjve të këtij vendi, nuk ka të drejtë të thirret në sakrificën e familjes së madhe të Jasharëve. Kjo tanimë është shumë e lehtë për t'u kuptuar. Po qe se e kemi parasysh komandantin legjendar Adem Jasharin, Hamzën dhe Muratin,babai me të bijtë,dajën e tyre dhe e gjithë familja Jashari, sulmi me 5,6 dhe 7 mars 1998, dihet se kush i doli në ndihmë kësaj familje nga ish-komandantët tani të gjallë që sot janë edhe institucione! Bile, të gjithë këta që sot janë udhëheqës në krye të shtetit edhe 20 vjet pas lufte i kanë bërë punët më ''PISK'' për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj, siç janë presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe të tjerët, dhe unë me të vërtetë nuk e di se si nuk po marrohen pak", u shpreh ai. "Nuk është kjo Kosova për të cilën ranë Adem e Hamëz Jashari dhe shumë shqiptarë të tjerë, që e deshën popullin e tyre dhe luftuan për ta çliruar nga zgjedha fashisoide serbe. Pushtetarët tanë, pa fije turpi, po mundohen të shpërndajnë përmes medieve mercenare, që shumicën i kontrollojnë në tërësi, të shpërndajnë gjoja foto se paskan dalë me Adem dhe Hamëz Jasharin, ndërkaq realisht e vërteta është tërësisht ndryshe", tha Guraziu për "Kosova Sot". Ai shton se familja tani duhet të flasë për ta zbardhur të vërtetën.

KELMENDI: HASHIMI, MARIONETË E DRESUAR NGA SHËRBIMET ARMIQËSORE

Veprimtari i çështjes kombëtare Ibrahim Kelmendi konsideron se rugovistët dhe hashimitët po shpërndajnë foto në të cilat shihen Ibrahim Rugova me Adem Jasharin apo Hashim Thaçi me Adem Jasharin. "E, besoj, po ta mbijetonte Adem Jashari Luftën, edhe njërin edhe tjetrin do t'i urrente, për të mos thënë do t'i përndiqte, si komplotistë e profiterë lufte! Ndërsa sa u përket raporteve që Adem Jashari kishte me Hashim Thaçin, unë kam pasur mundësi të dëgjoj informata nga dorë e parë. Adem Jashari duhet të ketë marrë vendim dënues ndaj Hashim Thaçit, duke ia ndaluar të hynte në Drenicë. Për cilat arsye konkrete nuk dua të spekuloj tani, por di që ishin angazhuar disa veta, që të intervenonin te Ademi ta anulonte atë dënim. Por, tashmë ne po e njohim Hashimin, më mirë se kishte mundësi ta njihte Ademi atëherë, prandaj kemi mundësi t'i bëjmë Hashimit diskualifikim më të argumentuar, pa pasur nevojë të (sh)përdorim dënimin e atëhershëm të Ademit. Fatkeqësisht, Hashimi, si marionetë e dresuar nga shërbimet armiqësore, ia doli të shpërdorte edhe Rifat Jasharin dhe familjarë të tjerë, për t'u imponuar si personalitet kryesor i UÇK-së edhe pas lufte, edhe pse kishte qenë komplotisti nga më kryesorët, i penetruar nga shërbimet armiqësore", tha Ibrahim Kelmendi për "Kosova Sot".

MEHA: STRUKTURAT E FSHEHTA SERBE KANË QENË BRENDA SHIK-UT

Sipas analistit Xhevat Meha,Kosova e ndërtuar pas luftës se fundit e deri tani nuk është as afër asaj që kanë pasur në mendje Adem Jashari dhe shumë të tjerë të rënë e të gjallë, kuptohet ata që vepruan pa hile për lirinë e Kosovës. Sipas tij, strukturat e fshehta serbe kanë vepruar dhe veprojnë në Kosovë. "Këto struktura kanë pasur rrjetin e tyre brenda LDK-së qysh nga themelimi, kanë pasur rrjetin e tyre brenda LPK-së qysh nga themelimi, kanë pasur rrjetin e tyre brenda UÇK-së (zyrtarisht është publikuar se kanë qenë 140 spiunë të stërvitur, të betuar vetëm brenda strukturave të UÇK-së), kanë qenë brenda PDK-së që nga themelimi, kanë qenë brenda SHIK-ut gjatë gjithë veprimtarisë së kësaj organizate, etj. etj. Pas luftës së fundit, në Kosovë veprojnë 720 spiunë të stërvitur të betuar që komandojnë me 50,000 individë të shpërndarë nëpër të gjitha institucionet e Kosovës deri në krye të institucioneve. Përmes këtij rrjeti, Serbia ka krijuar artificialisht frontin blloku i paqes vs blloku i luftës, më vonë po artificialisht frontin organizata anarkiste terroriste vs institucionet e shtetit. Ky rrjet i spiunëve ka krijuar bllokada institucionale dhe bllokime në krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve në pothuajse këto 10 vjetët e fundit. Ky rrjet ka ndërtuar platformën e moszbatueshmërisë së ligjit dhe e mirëmban në funksion këtë platformë si themel mbi të cilin funksionojnë shumë sisteme të tjera, të cilat i bëjnë plotësisht jofunksionale institucionet e Kosovës dhe me këtë edhe jofunksionale pavarësinë e Kosovës", tha Meha për "Kosova Sot".

BISLIMI: PRESIDENTI MASHTROI NË EMRIN E UÇK-SË

Sipas politologes Liridona Bislimi, askush nuk e ka menduar që pas afro 20 vjetëve në liri dhe mbi 10 vjetëve të njohjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës (17 shkurt 2008), kosovarët do të kenë frikë dhe nevojë për mbrojtjen e shtetit nga invazioni politik i Serbisë dhe largimin e uzurpatorëve të shtetit nga pushteti. "Hashim Thaçi, i cili duke u thirrur në emër të UÇK-së filloi të qeverisë në forma të ndryshme me vendin nga pas lufta deri më sot, qytetarëve nuk u solli gjë të mirë, përveçse vuajtje e mjerim, mashtrime e zhgënjim deri në thyerje të shpresave për largim nga vendlindja e tyre. Presidenti i Kosovës, derisa ishte në opozitë, i kundërshtonte me të gjitha mjetet veprimet antishtetërore dhe antikombëtare të qeverisë së kaluar, sot është më i zëshmit për miratimin e atyre marrëveshjeve fatkeqe për vendin të nënshkruara nga oponentët e djeshëm politikë! Servilët dhe puthadorët e pushtetit bashkë me Hashim Thaçin, matrapazët dhe injorantët politikë, sikurse dje, sot dhe në të ardhmen do të jenë të gatshëm të tradhtojnë prapë interesat e shtetit dhe besimin e qytetarëve të vendit. Hashim Thaçi duhet ta dijë që ne e çliruam Kosovën, që do të vazhdojmë ta mbrojmë atë, sepse e kemi çliruar brenda kufijve aktualë. Pavarësinë e kemi shpallur brenda kufijve aktualë. Vendet më të fuqishme të botës e kanë njohur pavarësinë brenda këtyre kufijve ndërkombëtarë", tha Liridona Bislimi.

ZEQA: ASNJËRI NGA LIDERËT E PASLUFTËS NUK KA TË DREJTË TË THIRRET NË VLERAT E LUFTËS ÇLIRIMTARE!

Analisti politik Florim Zeqa vlerëson se pas 20 vjetësh në liri, nuk është kjo Kosova për të cilën ranë Adem e Hamëz Jashari, Salih Çeku, Zahir Pajaziti, Agim Ramadani dhe shumë shqiptarë të tjerë, që e deshën popullin e tyre dhe luftuan për ta çliruar nga zgjedha fashisoide serbe. "Kosova e sotme jo vetëm që nuk është ëndrra e dëshmorëve, nuk ka mbetur as si surrogat i dëshirës së qytetarëve për të jetuar në shtetin për të cilin pritën gjatë dhe sakrifikuan jashtëzakonisht shumë. E gjithë kjo katandisje dhe zhgënjim, ka ardhur si pasojë e katandisjes së shtetit nga liderët dhe politikanët e papërgjegjshëm që abuzuan me vlerat e lirisë. Pothuajse të gjithë liderët e pasluftës abuzuan me pushtetin, zhvatën buxhetin, korruptuan zyrtarët e bizneset, degraduan institucionet, shkatërruan arsimin e shëndetësinë, biznesin e mirëfilltë e diplomacinë, e për më keq se kaq e vranë ardhmërinë dhe shpresën e të rinjve të këtij vendi", vlerëson ai. "Andaj, asnjëri nga liderët e pasluftës nuk ka të drejtë të thirret në vlerat e luftës çlirimtare dhe sakrificën e familjes së madhe të Jasharëve, përmes së cilës u ngritën në karrierë politike e deri në majat e pushtetit. Pjesa më e madhe e pushtetarëve tonë që shpërndajnë foto-montazhe kinse kanë qenë bashkëpunëtorë të Adem Jasharit përmes medieve mercenare,...e vërteta është tërësisht ndryshe. Jo që nuk kanë qenë bashkëpunëtorë e bashkëluftëtarë, asnjëherë nuk janë takuar me Adem Jasharin. Por paturpësisht mundohen akoma të përfitojnë në emrin e sakrificës sublime të familjes Jashari. Ashtu siç e dinë ata vetë, e di edhe populli, se Adem Jashari nga viti 1993 kishte refuzuar t'i takonte fare sojin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit e të tjerët si ata, siç e cek komandant Sylejman Selimi në një intervistë për "KOSOVA SOT" në janarin e vitit 2005. Për më tepër se kaq, pak kohë pas shpalljes së pavarësisë, familja Jashari i mbylli përfundimisht derën Hashim Thaçit si kryeministër i vendit", tha Zeqa për "Kosova Sot".

QARRI: KA ARDHUR KOHA QË TË ZBARDHET E VËRTETA E PLOTË SE PSE ADEMI REFUZONTE T'I TAKONTE, PIKËRISHT HASHIM THAÇIN, KADRI VESELIN DHE TË TJERËT

Sipas analistit Gani Qarri, Kosova edhe 20 vjet pas çlirimit dhe rrugëtimit të saj në liri, mjerisht asnjëherë nuk u lejua nga bandat dhe mafio-oligarkët në pushtet të jetë ajo që për vite e dekada me nostalgji idilike të gjithë ne e kemi ëndërruar. "Kjo jo vetëm që nuk është ajo Kosovë për të cilën ranë Adem e Hamëz Jashari dhe shumë bashkëluftëtarë e shqiptarë të tjerë, të cilët e deshën popullin dhe vendin e tyre si dhe luftuan për ta çliruar atdheun nga zgjedha fashisoide serbe, por është bërë shumë më keq sesa pesimisti më fundamental mund ta prognozonte. Sot asnjë lider, që pas lufte abuzoi me pushtetin, zhvati buxhetin, korruptoi zyrtarët e bizneset, degradoi institucionet, shkatërroi arsimin e shëndetësinë, tregtinë e mirëfilltë e diplomacinë e njëmendtë, derisa e vrau edhe shpresën e të rinjve për të jetuar në këtë vend, nuk ka të drejtë të thirret në sakrificën e familjes se madhe të Jasharëve, edhe për faktin e izolimin total të vendit dhe tendencën për ndarjen e Kosovës 20 vjet pas çlirimit, siç po vepron Hashim Thaçi & CO, për t'ia falur 1/3 e vendit tonë Serbisë", theksoi ai. "Ndaj pushtetarët aktualë, sot më kot mundohen që në vend të dëshmimit të veprave në të mirë të vendit, përmes medieve mercenare të cilat shumicën i kontrollojnë në tërësi, të shpërndajnë gjoja pamje se paskan dalë me Adem dhe Hamez Jasharin në fotografi, përderisa e vërteta dhe realisht gjendja e njëmendtë në vend flet krejtësisht ndryshe dhe aspak mirë për ta. Mënyra se si ata përpiqen ende edhe tani të përfitojnë në emër të luftës dhe heronjve e dëshmorëve të rënë, jo vetëm se është shumë e turpshme, por edhe nënçmuese për atdhetarët e vërtetë të flijuar për çlirimin dhe lirinë këtij vendi", vijoi më tej Qarri. "Për aq më tepër, është edhe tërësisht e pakuptueshme se si sot ata që publikisht njihen, tash e sa kohë si të kriminalizuar deri në fyt dhe renegat e kuisling që rrezikojnë edhe tërësinë territoriale të vendit,të mundohen të përfitojnë kur e dinë edhe vetë, siç e di i gjithë populli, se vet Adem Jashari për gjallje të tij,kishte refuzuar kategorikisht edhe t'i takonte fare personat e tillë. Madje, këtë gjëe pati deklaruar edhe gjeneral Sylejman Selimi në një intervistë dhënë për gazetën "KOSOVA SOT", që në ditët e para të pasluftës, ndaj pasi keqpërdoruesit e fryteve të luftës dhe të lirisë, nuk kanë të ndalur në aventurat e tyre përfituese, përfundimisht ka ardhur koha që të zbardhet e vërteta e plotë nga vetë familjaret e Adem dhe Hamëz Jasharit, duke e thënë arsyen se pse Ademi refuzonte t'i takonte, pikërisht Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe të tjerët që nga viti 1993,kur ata e lanë atë vetëm dhe ikën e u fshehën në Perëndim", tha Qarri për "Kosova Sot". Sipas Qarrit, tanimë është "fshehtësi" e ditur për të gjithë se ikja pa paralajmërim e Hashim Thaçit e disa shokëve të tij në Perëndim, qysh në fillim të aktivitetit praktik të UÇK-s,jo vetëm se krijoi ftohje shumë të madhe me Adem Jasharin, por veprimi tinëzar i Hashim Thaçit, shkaktoi edhe mosbesim total dhe dyshim aq të pandreqshëm, saqë Adem Jashari kishte refuzuar edhe ta takonte Hashim Thaçin prej vitit 1993 e këndej. "Ndaj, vetëm sot mund të shihet më së miri se sa largpamës ishte në të vërtetë komandanti Adem Jashari dhe se sa qartë e kishte pikasur dhe vlerësuar qysh atëherë se çfarë tradhtari dhe oportunisti ishte në realitet Hashim Thaçi me miqtë e tij. Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, jo vetëm se dinë edhe vetë më së miri arsyen se pse që nga ikja tinëzare e tyre nuk kanë mundur ta takojnë më asnjëherë Adem Jasharin, por se Adem Jashari kishte refuzuar t'i takonte Hashim Thaçin dhe të tjerë, këtë e kishte deklaruar për herë të parë Sylejman Selimi në një intervistë për 'KOSOVA SOT',qysh në janar të vitit 2005, duke folur për herë të parë për të pathënat e luftës. Deklarata e tij asokohe që trazoi shumëkënd, shpaloste raportet e vërteta të komandantit legjendar Adem Jasharit me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin", tha analisti Gani Qarri.

Qytetarët, të dëshpëruar nga keqqeverisja e madhe

Edhe qytetarët e anketuar konsiderojnë se me të vërtetë kjo tani nuk Kosova për të cilën ranë Adem e Hamëz Jashari dhe shumë shqiptarë të tjerë, që e deshën popullin e tyre dhe luftuan për ta çliruar nga zgjedha fashisoide serbe, prandaj asnjë lider, që pas lufte abuzoi me pushtetin, zhvati buxhetin, korruptoi zyrtarët e bizneset, degradoi institucionet, shkatërroi arsimin e shëndetësinë, biznesin e mirëfilltë e diplomacinë, e vrau shpresën e të rinjve të këtij vendi, nuk ka të drejtë të thirret në sakrificën e familjes së madhe të Jasharëve e luftëtarëve të tjerë. Këtë mendim ka qytetari Xhemail Gërbeshi."Unë konsideroj se edhe ne kemi pritur shumë më tepër, duke u bazuar në sakrificat e atyre që kanë rënë për liri, në punën e palodhshme dhe sakrificën që e ka pasur në vitet e okupimit edhe LDK-ja në krye me kryetarin dhe presidentin historik Ibrahim Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Mirëpo, një Kosovë ndryshe e kanë menduar edhe luftërat që kanë rënë për liri, luftëtarët e denjë dhe trima të UÇK-së, të cilët pa asnjë kursim e derdhën gjakun dhe luftuan për një të ardhme të ndritshme, për çlirimin dhe zhvillimin e shtetit të ri të Kosovës. Në një formë nga ata u arrit liria dhe krijimi i shtetit, bashkë me këtë sakrificë të dëshmorëve u arrit edhe ideali për shtet i Ibrahim Rugovës, mirëpo e keqja është që as ata dhe as ne nuk e kemi pritur që më pastaj do të na ndodhin këto që po ndodhin. Njerëzit që janë sot në pozita të larta shtetërore po thirren në vlerat e atyre, por sinqerisht dhe me plotë të drejtë mund t'ju them se nuk e meritojnë", theksoi Gërbeshi për "Kosova Sot". Këtë e mendon edhe qytetari Nezir Rashiti. "Është shumë e vërtetë që secila parti politike dhe liderët e tyre tani po mundohen të fitojnë kredi në paqe, kinse për merita, nga ata që nuk janë më në mesin tonë e që u sakrifikuan për lirinë e këtij populli dhe për këtë shtet. Këta të PDK-së po krenohen me Adem Jasharin dhe familjen e tij, kurse ky krahu i paqes më shumë me Ibrahim Rugovën, e kështu secili po krenohet e po lavdërohet duke i dhënë njëfarë përparësie krahut të vet. Unë mendoj që meritat për ata që kanë rënë në luftë duhet të jenë e të vlerësohen njësoj, por këta që janë gjallë dhe po na keqqeverisin nuk meritojnë të thirren në vlerat e tyre që kanë rënë për liri", vlerësoi Rashiti. Sipas tij, ata kanë rënë për këtë shtet, që të gjallët të na qeverisin mirë, por jo që të na vjedhin e të na plaçkitin shtetin, siç po bën Qeveria aktuale. 

 

(Kosova Sot)

11 orë e 29 minuta më parë
13/12/18