Shënohet përvjetori i fitores kundër ISIS-it në Irak

  • 10 December 2018 - 12:01
Shënohet përvjetori i fitores kundër ISIS-it në Irak

Iraku është duke shënuar përvjetorin e parë të fitores së shpallur ndaj grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS).

Në komentet e transmetuara nga televizioni shtetëror, kryeministri irakian, Adel Abdel Mahdi ka thënë më 10 dhjetor se Iraku ka shënuar “fitoren më të madhe kundër forcave djallëzore dhe terrorizmit” kur ka dëbuar IS-in nga territori i tij.

Ai po ashtu është zotuar për të çrrënjosur korrupsionin si dhe për të siguruar kthimin e qindra mijëra personave në shtëpi.

Data e 10 dhjetorit është shpallur festë kombëtare.

Pikat kufitare në Bagdad janë dekoruar me flamuj irakianë.

Luftëtarët e IS-it kanë zotëruar pjesë të mëdha të territorit irakian dhe atij sirian, sidomos pas ofensivës së vitit 2014, kur militantët e këtij grupi patën shpallur të ashtuquajturin “kalifat” islamik.

Mirëpo, përgjatë tre vjetëve tjera, trupat e Qeverisë irakiane, të përkrahur edhe nga njësite paramilitare iraniane dhe forcat e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kanë luftuar për të dëbuar pjesëtarët e IS-it nga këto zona, meqë ata janë konsideruar përgjegjës edhe për vrasjen e mijëra personave.

Aktualisht militantët e IS-it kanë humbur kontrollin e gjithë territorit të kontrolluar irakian, mirëpo ata vazhdojnë të kryejnë sulme sporadike në këtë zonë.

(Kosova Sot)