Zvicra e miraton marrëveshjen për tregti me Britaninë pas BREXIT-it

  • 14 December 2018 - 15:08
Zvicra e miraton marrëveshjen për tregti me Britaninë pas BREXIT-it

Qeveria zvicrane e ka miratuar tekstin e marrëveshjes tregtare me Britaninë, e cila synon t’i ruajë marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare me shtetin që është i gjashti për eksportet e Zvicrës. Marrëveshja e paraqet strategjinë neutrale të Zvicrës për marrëdhënie të papenguara me Britaninë, të cilat tash varen shumë nga anëtarësia e Britanisë në BE.

Kjo marrëveshje pritet që të shërbejë si themel për lidhjet e ardhshme tregtare dhe e garanton ruajtjen e shkëmbimeve tregtare aktuale mes dy vendeve. Marrëveshja gjithashtu parasheh që të zhvillohen bisedime në të ardhmen për t’i zgjeruar marrëdhëniet dypalëshe. Sipas një burimi qeveritar zvicran, Zvicra do t’i zbatojë rregullat e njëjta me Britaninë e Madhe edhe pas daljes së vendit nga Bashkimi Evropian.

Megjithatë, marrëveshja duhet të miratohet edhe nga komisionet parlamentare të Zvicrës, ndërsa marrëveshja pritet të hyjë në fuqi ditën kur Britania të largohet nga BE-ja, më 29 mars të vitit të ardhshëm. Vitin e kaluar, Zvicra ka eksportuar mallra në vlerë prej 11.4 miliardë frangash në Britani të Madhe, ndërsa nga ky vend ka importuar mallra në vlerë prej 6.1 miliardë frangash, shkruan “Reuters"

(Kosova Sot)