Sejdiu fton në seancë VV-në e LDK-në - i kundërpërgjigjet Konjufcës

  • 15 December 2018 - 17:25
Sejdiu fton në seancë VV-në e LDK-në - i kundërpërgjigjet Konjufcës

Shefi i grupit parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu në një deklaratë i është kundërpërgjigjur ish-kolegut partiak, Glauk Konjufcës që ka thënë se deputetët e PSD-së, ndërrojnë qëndrimet si çorapet.

Shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, u ka kërkuar falje votuesve të partisë së tij, pse kishte vendosur në listën për kandidatë të deputetëve 12 deputetët që tash janë në PSD.

Konjufca u kërkon falje votuesve të Vetëvendosjes se futi në listë për deputetë këta të PSD-së

Ka thënë se në Vetëvendosje, ata as ëndërr nuk kishin mundur që ta shohin këtë pazar me Hashim Thaçin. Ka thënë kështu në një konferencë të jashtëzakonshme për media, në prag të seancës së jashtëzakonshme ku pritet të votohet për rezolutën e propozuar nga PSD-ja për dialog e ekip të përbashkët në bisedimet me Serbinë.

Sejdiu i është kundërpërgjigjur duke thënë se nuk ka qenë vendim i Konjufcës për t’i përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë tani pjesëtarët e PSD-së, derisa ka ftuar Vetëvendosjen dhe LDK-në që të vijë në seancë për të votuar rezolutën e partisë së tij.

“Konjufca duhet ta kuptojë që nuk ka qenë vendim i tij të na përfshijë në listë. Arsyeja që nuk jemi në Vetëvendosje është mendimi për nënshtrim. Aq sa ka legjitimitet Sejdiu, aq ka Konjufca. Nëse dikush ka dashur të mendoj me mendësi nënshtrimi, dikush tjetër ka dashur të ketë mendim ndryshe”, ka thënë Sejdiu derisa ka njoftuar se seanca e jashtëzakonshme do të fillojë pas orës 17, raporton ktv.

“Nuk i kam përcjell reagimet e VV-së. LDK-ja dhe VV-ja e kanë mundësinë që përmes kësaj rezolute t’i marrin përgjegjësitë për dialogun. Opozita mund të ndalë çdo vendim të keq. Pa këtë do të jetë vetëm një person që vendos për Republikën”, ka thënë ai.

“Disa deputetë nuk ka mundur të vijnë me kohë për arsye familjare. Synojmë ta hedhim në votë rezolutën dhe të përmbyllet ky kapitull. Rezoluta e kthen dialogun në Kuvend dhe dialogu vendoset në kornizë institucionale”, ka thënë shefi i GP të PSD-së

 

(Kosova Sot)