Zëvendëskryeministri serb: Taksa 100% do t’i ‘zhdukë’ mallrat serbe nga Kosova

  • 17 December 2018 - 11:12
Zëvendëskryeministri serb: Taksa 100% do t’i ‘zhdukë’ mallrat serbe nga Kosova

Rasim Ljajiq ka thënë se shitja e mallrave serbe në Kosovë është praktikisht e ndërprerë. Zëvendëskryeministri serb, Rasim Ljajiq ka thënë se shitja e mallrave serbe në Kosovë është praktikisht e ndërprerë.

Ljajiq në një prononcim për “Prva TV” ka thënë se sipas shënimeve nga dogana, nga 21 nëntori kur hyri në fuqi masa e takës 100 për qind, e deri më 11 dhjetor, në territorin e Kosovës kanë mbërritur 30 milionë euro më pak mallra për dallim nga periudha e njëjtë e vitit të kaluar.

“Është dëm i madh nëse vazhdohet me këto masa, atëherë praktikisht do të ndërpritet në tërësi tregtia e mallrave serbe”, deklaroi Ljajiq.

Ai ka thënë se masa duhet të hiqet në mënyrë që dialogu të kthehet dhe të diskutohet për të gjitha temat.

“Kosova insiston se ne e kemi shkelur marrëveshjen e CEFTA-s, ta shohim se si e kemi shkelur ne atë marrëveshje. Masat duhet të hiqen e pastaj mund të hapen për diskutim të gjitha temat ekonomike dhe politike”, u shpreh ai.

(Kosova Sot)