Kroacia shkel ligjin e BE-së, i kthen azilkërkuesit në Bosnjë nëpër mal

  • 17 December 2018 - 16:07
Kroacia shkel ligjin e BE-së, i kthen azilkërkuesit në Bosnjë nëpër mal

Policia kroate po i kthen grupet e azilkërkuesve matanë kufirit të Bashkimit Evropian në Bosnjë. Kjo është zbuluar përmes një incizimi, ndërsa një veprim i tillë po vlerësohet si shkelje e ligjeve të BE-së për azilkërkues. Në video shihen disa azilkërkues që kthehen nga policia afër Lohovos në Bosnjë.

Këto pamje janë siguruar nga kamerat e fshehura dhe janë bërë mes datës 29 shtator dhe 10 tetor. Në to shihen 54 raste ku njerëzit kthehen nga Kroacia në Bosnjë, me gjithsej 368 azilkërkues të kthyer në kufi. Pamjet janë publikuar nga organizata monitoruese “Border Violence Monitoring”.

Ministri i Sigurisë i Bosnjës dhe Hercegovinës, Dragan Mektiq, deklaroi para medieve se sjellja e policisë kroate është turp për një vend të Bashkimit Evropian. Në pamjet e siguruara shihen imigrantët që bëhen rresht dhe përcillen nga policia kroate përderisa kalojnë në territorin e Bosnjës dhe Hercegovinës.

“Ndonëse Kroacia e ka nënshkruar një marrëveshje të ripranimit me Bosnjën, kthimi i njerëzve përmes malit, aty ku nuk ka pikë kontrolli kufitar, nuk mund të arsyetohet me asnjë marrëveshje. Është e ligjshme që refugjatët të kthehen në Bosnjë në rast se nuk e fitojnë azilin, por këto deportime duhet të kryhen në pikëkalimet zyrtare të kufirit dhe në praninë e rojeve boshnjake të kufirit”, ka deklaruar organizata monitoruese, shkruan “The Guardian”

(Kosova Sot)