Zeqa: Politikanët e inkriminuar e kanë pranuar një situatë të tillë të Kosovës në takime

  • 18 December 2018 - 12:35
Zeqa: Politikanët e inkriminuar e kanë pranuar një situatë të tillë  të Kosovës në takime

Sipas analistit politik Florim Zeqa, u bë shkas taksa 100 % ndaj produkteve serbe dhe tani i ranë maskat edhe Federica Mogherinit dhe BE-së! "Sikurse ish-ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Lamberto Dini, në vitin 1998 që ndihmonte Serbinë e Milosheviqit, ngjashëm është duke vepruar edhe diplomatja italiane, Federica Mogherini, e cila është duke e ndihmuar Serbinë e Aleksandër Vuçiqit. Sikurse Evropa e 1913-s, që copëtoi territoret shqiptare, ashtu është duke vepruar dhe BE-ja e sotme, e cila haptas është duke e ndihmuar Serbinë gjakatare për gllabërimin e territorit të Kosovës së sotme.

Për më tepër se kaq, oferta skandaloze e Mogherinit për 'avancimin' e Kosovës nga UNMIK në Kosovo* nxori në sipërfaqe edhe trajtimin tepër diskriminues të Kosovës nga BE-ja, e cila nuk e njeh as fusnotën për Kosovën, por vetëm përfaqësimin e Kosovës përmes UNMIK-ut! Kjo bëhet edhe më tepër skandaloze për faktin se si liderët tanë shtetërorë e kanë mohuar deri më tani këtë realitet të hidhur për vendin tonë. Ky është edhe një tregues se sa keq e ka degraduar pozitën e Prishtinës zyrtare në Bruksel kjo klasë politike tërësisht e inkriminuar, saqë Brukseli na bën hesap si për të retarduar mentalë. Për këtë situatë diskriminuese të Kosovës, përgjegjësinë nuk mund t'ua lëmë vetëm zyrtarëve të BE-së, për shkak se politikanët e inkriminuar deri më tani e kanë pranuar një situatë të tillë poshtëruese dhe nënçmuese të Kosovës në takimet ndërkombëtare,...prandaj së pari llogari duhet të kërkojmë nga të zgjedhurit tanë që u tallën dhe mashtruan popullin kinse për pozitën e avancuar të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në rrethanat e krijuara, edhe përkundër presionit të madh ndërkombëtar, jo vetëm që nuk duhet lejuar që të hiqet taksa 100% pa e njohur Serbia Kosovën, por duhet vendosur edhe masa tjera shtesë, siç janë zbardhja e fatit të të pagjeturve, pagimi i dëmeve të luftës, kthimi i pasurive të grabitura, kthimi i artefakteve dhe librave kadastralë, kthimi i pensioneve dhe shumëçka tjetër", tha Zeqa për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)