Guraziu: Mafia e kapi shtetin

  • 19 December 2018 - 17:24
Guraziu: Mafia e kapi shtetin

Analisti Ragip Guraziu, për gazetën "Kosova Sot", thotë se nuk ka asnjë dyshim se Kosova ka nevojë imediate për një Vetting të domosdoshëm për politikanët të Republikës dhe të komunave."Kjo ngase janë këta politikanë që janë në krye të Republikës dhe të komunave për dy dekada, që janë përgjegjësit kryesorë për degradimin e skajshëm që ka ndodhur që prej përfundimit të luftës.

Prandaj edhe kjo është arsyeja përse kjo kategori do të duhej t'i nënshtrohej një Vetting-u të mirëfilltë, pasi që grupet mafioze kanë arritur të marrin pushtetin, të shtrijnë ndikimin në vendimmarrjen politike dhe institucionale, duke i bërë të këqija të jashtëzakonshme perspektivës së vendit", u shpreh ai.

"Nuk është e rastësishme që sot shumica e të rinjve mezi po presin që të emigrojnë sapo të ndodhë liberalizimi i vizave. Mirëpo të rinjve tanë duhet thënë troç, sepse ikja nuk është zgjidhje, edhe pse qytetarët tanë tashmë e kanë kuptuar se nuk ka të ardhme me këtë lidership të inkriminuar, që të vret natën e të qan ditën.

Prandaj, mu tash edhe është koha për qytetari aktive dhe reflektim të thellë shoqëror, për të ndalur të ligën e madhe që po i kanoset Republikës dhe për të dalë nga ky qorrsokak ku na katandisën mafio-oligarkët e inkriminuar. Kur sovrani e tregon fuqinë e tij, mesazhin e marrin edhe ata që aspirojnë të vijnë në pushtet", potencoi Guraziu."Mjerisht në këto 19 vjet, sovrani nuk e ka treguar asnjëherë fuqinë e tij kundrejt pushtetit, prandaj edhe kemi pasur degradim të vazhdueshëm në qeverisje, deri në shndërrim të shtetit në një oaze të krimit të organizuar. Ngase popullin e gënjyen të gjitha partitë politike pa dallim, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror", vijoi më tej ai. 

Lexo edhe këtë: Milionerët e krimit t'i nënshtrohen VETTING-ut

(Kosova Sot)