Mafiozët e biznesit përfitojnë miliona me taksën "patriotike"

  • 15 January 2019 - 07:58
Mafiozët e biznesit përfitojnë miliona me taksën

Autoritetet nuk reaguan, dyshohet se përfituan edhe vetë 

"Duhet thënë troç se nuk ka asnjë dyshim se furrtarët tanë po i rrisin çmimet e bukës vetëm e vetëm për përfitime të veta. Ky është një rast tipik që dëshmon se si mafiozët biznesorë në Kosovë po e shfrytëzojnë taksën ndaj produkteve të Serbisë vetëm e vetëm që të përfitojnë në kurriz të qytetarëve të varfër dhe të pasurohen për veten e tyre", thotë deputeti Salih Salihu për "Kosova Sot" 

P as vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind për produkte të Serbisë, nuk vonoi shumë dhe çmimi i bukës u rrit nga 30 në 40 centë. Ndaj, një vendim i tillë bëri që të reagojnë drejtuesit e shumë shoqatave, përfshirë edhe ata të Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, që kanë thënë se furrtarët tanë po i rrisin çmimet vetëm e vetëm për përfitime të veta. Përfaqësues të AKB-së, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe analistë të ekonomisë thonë se mafiozët biznesorë po e shfrytëzojnë taksën ndaj Serbisë vetëm e vetëm që të përfitojnë në kurriz të qytetarëve të varfër. Sipas analistëve dhe deputetëve, një rritje e tillë e çmimit të bukës po rrezikon që të rëndohet edhe më shumë gjendja e ekonomive familjare në Kosovë, e cila edhe ashtu është e mjerueshme. Me gjithë pyetjen e dërguara në adresën elektronike të MTI-së, për të mësuar se çfarë ka bërë MTI-ja për të ndaluar rastet e këtilla, zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën.

Disa matrapazë frynë çmimet Lidhur me çështjen, lideri i AKB-së, Agim Shahini, për gazetën " Kosova Sot', thotë se taksa prej 100 për qind ndaj produkteve serbe nuk ndikoi që të rriten të gjitha çmimet e produkteve, por vetëm të disa tregtarëve të pandërgjegjshëm dhe prodhues që i rritën çmimet e tyre në emër të kësaj takse, që i ka vënë në pikëpyetje edhe vetë institucionet e shtetit, të cilat dyshojnë se është rritur për shkak të taksës. "Ne e kemi hulumtuar këtë treg dhe kemi ardhur në konstatim se taksa nuk e rriti çmimin e miellit, por kjo është bërë për arsye konkrete dhe për interesat e tyre që e kanë bërë vetë bizneset. Ndaj, ne mendojmë se kjo taksë duhet të jetë edhe më tej në fuqi dhe bizneset duhet që ta kuptojnë si një privilegj për të shitur produktet e veta e jo për të përfituar nga ky moment dhe kjo është një keqpërdorim i tregtarëve dhe disa prodhuesve që në emër të taksës i kanë rritur çmimet e produkteve të tyre. Prandaj, institucionet e shtetit duhet që të jenë të pamëshirshme ndaj tyre", ka sugjeruar Shahini.

Pushtetarët përfituan nga abuzimi në treg Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës Salih Salihu (PSD), për gazetën " Kosova Sot', thotë se ka qenë i drejtë dhe e ka përkrahur një reagim të tillë të drejtuesve të Shoqatës së Mullisëve të Kosovës që ata e kanë bërë ndaj furrtarëve tanë. "Duhet thënë troç se nuk ka asnjë dyshim se furrtarët tanë po i rrisin çmimet e bukës vetëm e vetëm për përfitime të veta. Ky është një rast tipik që dëshmon se si mafiozët biznesorë në Kosovë po e shfrytëzojnë taksën ndaj produkteve të Serbisë vetëm e vetëm që të përfitojnë në kurriz të qytetarëve të varfër dhe të pasurohen për veten e tyre", vlerësoi Salihu. "Një rritje e tillë e çmimit të bukës po rrezikon që të rëndohet edhe më shumë gjendja e ekonomive familjare në Kosovë, e cila edhe ashtu është shumë e rënduar, pasi shumë familje e kalojnë ditën me vetëm 1 dollar në ditë të ardhura për kokë familjari", potencoi ai. "Jam i mendimit se këtu ka qenë dashur që të reagojnë institucionet e shtetit dhe mos të lejojnë shtrenjtimin bukës. Por, nga heshtja e institucioneve të shtetit lë vend për të dyshuar se nga kjo ngritje e çmimeve të bukës përfitojnë dikush nga pushtetarët tanë që kanë lidhje me furrtarët tanë dhe e marrin hisen e kulaçit", ka vlerësuar ai. Shtrenjtimi i bukës rëndon edhe më fort jetën e mijëra kosovarëve Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën "Kosova Sot", thotë se gjendja ekonomike e familjarëve në Kosovë ka qenë e rënduar dhe ka filluar shumë vjet më përpara, sidomos kjo vërehet tek familjet e shtresës së ultë që jetojnë me ndihmë sociale ose duke u munduar vetë të shesin ndonjë rrobe apo fruta gjatë sezonit të verës sa për të mbijetuar. "Ndonëse çmimi i bukës në Pejë ka qenë gjithmonë 40 centë, kurse në qytetet e tjera të Kosovës, siç është Mitrovica, çmimi i bukës ka qene 25 centë", u shpreh ai. "Nuk do të kishte ndodhur ngritja e çmimit të bukës, nëse Qeveria do t'i kishte stimuluar me grante dhe me subvencione fshatarët dhe fermerët të cilët merren me mbjelljen dhe kultivimin e grurit dhe bluarjen e grurit në mullinjtë e tyre personalë. Prandaj, në mënyrë që në të ardhmen mos të vijë deri tek kriza për miell, mendoj se do të ishte e udhës që Qeveria t'i stimulojë këta fermerë që të mbjellin sa më shumë grurë për miell, ku më pastaj ata do të mund të bënin kontrata me qendrat tregtare dhe me furrtarët për t'i shitur këto produkte dhe në këtë mënyrë do të ishte zbritur edhe çmimi i bukës por në të njëjtën kohë edhe cilësia e bukës do të ishte dukshëm më e mirë dhe më kualitative", vijoi më tej Grapci. "Duke e parë që mafiozëtbiznismenët po marrin miell nga Serbia ilegalisht, kjo edhe po e vështirëson jetën e qytetarëve, ndaj edhe po detyrohen që të blejnë bukën me çmim prej 40 centëve", ka vlerësuar ai. 

Në raste krizash, duhet agjenci e posaçme

Ndërsa, eksperti i ekonomisë Sejdi Halimi, për gazetën "Kosova Sot", thotë se në ekonominë botërore është i njohur fakti se shteti në raste të tilla të krizave intervenon menjëherë ndaj atyre bizneseve që e keqpërdorin situatën e tillë. "Andaj, edhe në këtë rast Qeveria e Kosovës ka qenë dashur që të reagojnë menjëherë dhe mos të lejonte shtrenjtimin e bukës. Veç saj, nëse bizneset tona apo më mirë thënë nëse furrtarët tanë do të tregoheshin të padisiplinuar, shteti do të duhej që atyre t'u shqiptonte gjoba drakonike të dënimeve në të holla, sepse bëhet fjalë për rastet që janë me interes kombëtar. Edhe ky rast po tregon se nuk do të kishte asgjë e keqe sikur Qeveria ta themelonte një Agjenci të pavarur që do të përcaktonte çmimet e bukës dhe produkteve të tjera që shiten në furrat tona, në mënyrë që mos të përsëriten situatat e ngjashme", ka theksuar Halimi.

Heshtja shtetërore, skandaloze

Deputeti i Kuvendit të Kosovës Ali Lajçi (LVV), për gazetën "Kosova Sot', thotë se situata si kjo e tashmja me këtë taksë dhe në veçanti me shtrenjtimin e menjëhershëm të çmimit të bukës duhet të jetë mësim për institucionet e Kosovës që të themelojnë urgjentisht Fondet e Rezervave Shtetërore të Ushqimit që vlen për raste krizash në vend, sikurse që janë bora, moti i keq ,tërmetet apo edhe vërshimet, si edhe situatat e përkeqësimit të marrëdhënieve me shtetet fqinje. "Këto situata si po e tregon edhe ky rast, pra e imponojnë krijimin e Fondit të Rezervave Shtetërore që do të siguronin një ushqim të paktën për 6 muaj e mbase edhe më gjatë", u shpreh ai. Deputeti Lajçi e ka kritikuar heshtjen e autoriteteve shtetërore dhe mosreagimin e tyre ndaj shtrenjtimit të bukës që ndodhi pas kësaj takse në Kosovë, duke e cilësuar një papërgjegjësi totale të shtetit për mosreagimin në situata të ngjashme.

Furrtarët të mos abuzojnë 

Bankieri Milazim Abazi, për gazetën "Kosova Sot", thotë se vendosja e taksës prej 100 për qind në produktet që prodhohen në Serbi duhet të ketë një përkrahje gjithëpopullore, përfshirë edhe ata që mund të kenë pasoja ekonomike apo ata që janë mësuar me produktet serbe. "Edhe furrtarët duhet ta përkrahin jo vetëm duke mos blerë miellin serb, por duhet që të kujdesen që të mos ta shfrytëzojnë situatën dhe të abuzojnë me çmimin e bukës duke e rritur atë për shkak të ndalimit të miellit serb. Vetëm nëse taksa prej 100 për qind ka mbështetje të të gjithë kosovarëve, atëherë mund të thuhet se jemi të vendosur për sakrificë për të bërë shtetin", theksoi ai.