Paralajmërimi i profesorit: Aktakuza kundër Shpend Ahmetit shumë serioze

  • 22 January 2019 - 16:26
Paralajmërimi i profesorit: Aktakuza kundër Shpend Ahmetit shumë serioze

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka konfirmuar për gazetën “Kosova Sot”, se kanë nisur hetimet ndaj kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti lidhur me skandalit e qumështit.

E lidhur me këtë, profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, mendon që nëse prokuroria e hap këtë rast dhe gjen fakte të mjaftueshme, atëherë aktakuza kundër Shpendit mund të jetë shumë serioze, duke rezultuar edhe me dënim me burg nga ana e gjykatës.

"Vepra për të cilën Shpend Ahmeti, përkatësisht PSDK-ja, dyshohet është mjaft e rëndë dhe nëse dokumentohet, respektivisht provohet vepra, dënimet janë të rënda dhe me vite burg. Dyshimi i tillë i paraqitur për Devollin dhe Shpend Ahmetin në mjetet e informimit është fakt që e detyron prokurorin për të hapur hetimet penale. Kemi një dyshim që ka vlerë mbi 500 mijë euro. Pra, është dyshim i lartë dhe i rëndë. I takon të nxirren faktet dhe të zhvillohen hetimet dhe në varshmëri me ato fakte dhe dëshmi të shpallen dënimet", u shpreh ai.

Image
Muhamet Kelmendi

 

"Kemi mjaft vepra penale, sikundër theksohet në mjetet e informimit, të kryera nga Devolli grup. Mjafton të shikohen në TV dhe të ketë dëshmi në veprimtari kriminale. Ky grup është i lidhur me klanin "Pronto", me Postëtelekomin e Kosovës, së cilës i ka shkaktuar dëme milionëshe, me tenderë, me homologim të vetëm, e ku nuk është ky grup. Pra, të dhëna mediatike ka. Lypsen fakte dhe dëshmi dhe natyrisht i takon gjykatës të vendosë", shpjegon më tej Kelmendi.

"Kur është fjala për komunën, më duhet të them, se kemi hyrë në vitin e dytë pas zgjedhjeve dhe pothuajse fare nuk kemi ndonjë investim në fushën sociale, në zbutjen e papunësisë, në arsim etj. As në infrastrukturë nuk ka investime, prandaj duhet të shihet e të dihet, të hetohet se ku po shkojnë mjetet. Kjo i takon prokurorisë të hetojë dhe të marrë masa juridike në drejtim të gjetjes së gjendjes dhe që gjykata të thotë fjalën e vet. Të shpresojmë në këtë", tha Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)