Ligje sa për sy e faqe, Republika në kolaps

  • 22 January 2019 - 09:16
Ligje sa për sy e faqe, Republika në kolaps

 Pushtetarët shpërdorojnë kornizën ligjore

 “Nëse ligjet nuk përputhen me zhvillimet sektoriale dhe rrethanat në shtet, ato mbeten boshe, të pazbatueshme, dhe këtu pastaj pikërisht moszbatimi paraqet shkelje të vullnetit,  por edhe shkelje të të drejtave të qytetarëve, të cilët presin një zhvillim dhe mirëqenie më të favorshme ekonomike, sociale dhe shëndetësore”, potencoi Blerim Burjani për “Kosova Sot”

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit, ekspertët e legjislacionit, vlerësojnë se, përkundër që Kosova ka kaluar dy dekada nga shkëputja prej sistemit të kaluar dhe ka vendosur bazat e shtetndërtimit  të pavarur, problemi më i madh në Kosovë vazhdon të mbetet mosrespektimi i ligjeve dhe moszbatimi i tyre. Kjo sëmundje deri më tash duket e pashërueshme derisa ligjet ndryshohen e amendamentohen pandalshëm nga një mandat qeverisës në tjetrin, por ato   nuk sjellin rezultat gjersa nuk zbatohen në praktikë. Akoma më shqetësues mbetet fakti se askush nuk dënohet për mosrespektim të ligjeve, pavarësisht që në këto raste po shkelen të drejtat e njeriut, pothuajse nga të gjitha  institucionet e shtetit, pikërisht duke mos i zbatuar ligjet. Sipas ligjëruesit të së drejtës, Blerim Burjani, kjo është tema më serioze, problemi më madhor që e mundon shtetin e ri të Kosovës, por që nuk po i dilet në fund. Ai e sheh këtë edhe si pasojë e kopjimit të shpejtë të ligjeve nga vendet e tjera dhe mosharmonizimin e tyre me realitetin dhe mundësitë e  nevojat e vendit. “Kjo temë është kapitale për shtetin, zbatimin e ligjeve dhe funksionimin e shtetit të së drejtës, mbi 70% të ligjeve nuk zbatohen, përveç atyre të domosdoshme , shumica e legjislacionit është kopjuar nga shtetet tjera dhe janë të pazbatuara, ligjet janë reaksion i raporteve shoqërore dhe ato adoptohen në raport me zhvillimet”, vlerësoi ai për “Kosova Sot”.

Pasojat e Kanunit

Sipas analistit Ardit Gërvalla, ky fenomen haset zakonisht te shtetet të cilat janë në tranzicion, që kalojnë nga një sistem në tjetrin, e që zakonisht kanë probleme të dukshme në zbatimin e ligjit; nga pasojat e luftës, mentaliteti i krijuar, praktikimi i një sistemi krejtësisht tjetër për një kohë të gjatë, praktikimi i zakoneve si rregulla të sjelljes, vetëdija qytetare, si dhe rrethanat politike e shoqërore. “Pra, janë disa nga faktorët që e vështirësojnë zbatimin e ligjit në një shtet demokratik-tranzitor. Kosova ka ligje dhe potencial njerëzor për ta mbuluar zbatimin efikas të ligjit. Praktikimi për një kohë të gjatë i Kanunit të Lekë Dukagjinit ka lënë pasoja të mëdha në mentalitetin dhe vetëdijen shoqërore, e që shpeshherë ka sjellë edhe deri aplikimi i akteve të tilla joligjore dhe rënien ndesh me ligjet e aplikueshme në fuçi që janë në Republikën e Kosovës. Po ashtu, si çdo vend tjetër i dalë nga një gjendje lufte, sistemi i drejtësisë ndeshet me grupe klienteliste dhe të organizuara në forma të ndryshme, të cilat nuk njohin ligjin dhe nuk e respektojnë duke u thirrur në vetë imunitet”, u shpreh ai. “Disa nga shkaktarët e moszbatimit të ligjit janë edhe mosnjohja e ligjeve, njerëzit nuk i njohin ligjet as sa duhet, prandaj edhe nuk i respektojnë ato”, potencoi Gërvalla për “Kosova Sot”.

Korrupsioni, sfidë e fortë

“Korrupsioni pastaj është një dukuri negative, e cila e rendit vendin tonë si njërin ndër vendet më të korruptuara në rajon. Kjo formë e pamundëson zbatimin e ligjit, qytetarët preferojnë ta përdorin korrupsionin për t’iu evituar ligjit dhe për të arritur në formë jo të ligjshme marrjen e një të drejte, e cila ligjërisht nuk do t’u kishte takuar. Zbatimi i ligjit mbi të gjitha është edukatë! Tradita dhe kultura e një vendi shihet edhe në atë se sa një popull e respekton dhe e zbaton ligjin. Po ashtu, duhet të bëhet e pamundura që ligjet të jenë të qarta dhe të mos i karakterizoi ambiguiteti –dykuptimësia”, tha Ardit Gërvalla për “Kosova Sot”. Për ta tejkaluar këtë gjendje, ai jep edhe disa propozime se çfarë duhet të bëhet që të mos ketë ngecje dhe ligji të zbatohet: “1. Kosova përmes mekanizmave të saj ligjorë të ndikojë në zbatimin e ligjeve aktuale në fuqi dhe jo ndryshimin kozmetik të tyre, 2. Marrja e një fushate shtetërore, e cila ndikon në sensibilizimin e qytetarëve mbi rëndësinë e zbatimit të ligjit, si dhe nën 3. Mbështetja më e madhe e organizatave joqeveritare me subvencione, të cilat kanë objektiv trajtimin e kësaj tematike”, janë këto tri masa të domosdoshme që duhet të ndërmerren sipas njohësit të kësaj fushe, Ardit Gërvalla.

 Pushtetarët, matrapazë të ligjit

Sipas Skënder Kapitit, ekspert i së drejtës nga Durrësi- Shqipëri, moszbatimi i ligjeve nga drejtësia apo zbatimi i kriminalizuar dhe i korruptuar i tyre si nga qeveria ashtu edhe nga drejtësia është shkelje e rëndë e kushtetutshmërisë, pasi ligji i Kushtetutës së një shteti si parim bazë ka atë se "zbatueshmërisë së Kushtetutës duhet t'i binden dhe t'i nënshtrohen edhe hartuesit e saj, politika dhe politikanët, ekzekutivi, pra qeverisja dhe zbatuesit e saj si pushteti i tretë, që është gjyqësori. “Mirëpo, të tri këto pushtete në Kosovë: si ai ligjbërës, ai ligj zbatues dhe drejtësia, janë tre pushtete të cilat spekulojnë, nuk i binden ligjit dhe as drejtësisë, por e kanë të sigurt avokatinë dhe pandëshkueshmërinë e drejtësisë për krimet dhe të gjitha zullumet dhe hajnitë që ata bëjnë. Ligjet mund të jenë të mira, si korniza ligjore të shkruara, por kur ato nuk zbatohen njëlloj për të gjithë qytetarët dhe kur spekulohet me to, kur manipulohet me ligjin dhe kur matrapazohet dhe kur vendimmarrja merret me urdhër politik dhe nga shitblerja e ligjit, atëherë aty sistemi i drejtësisë ka falimentuar dhe drejtësia e ligji shndërrohen në mjet e vegël të krimit dhe  korrupsionit të mafio-oligarkisë. Shteti funksionon prej ligjeve dhe në shtetin ligjor ligjet mbrojnë liritë dhe të drejtat e njeriut prej padrejtësive të pushtetit dhe prej padrejtësive që qytetarët kërcënojnë njëri-tjetrin, por në Kosovë ligji mbron pushtetarët, pra politikën dhe pushtetin, duke kapur drejtësinë dhe shtetin, si dhe ndëshkon dhe vetë drejtësia ua bën padrejtësitë edhe qytetarëve. Pra, ndodh e kundërta e asaj se për çfarë ngrihet dhe që duhet të funksionojnë ligji dhe drejtësia”, tha Kapiti për “Kosova Sot”.

Piramida kriminale

Njohësi i afërt i këtyre zhvillimeve të procesit të  legjislacionit në vend, Hidajet Ahmeti, për këtë boshllëk fajëson stërzgjatjen e fazës transitore nëpër të cilën po kalon Kosova, e që sipas tij kjo fazë po stërzgjatet jorastësisht, sepse i konvenon politikës.“Kosova si shtet në tranzicion ka krijuar mekanizëm të dobët të sistemit të drejtësisë, duke e mbajtur peng vendin e duke krijuar njerëz të fuqishëm, të cilët qëndrojnë mbi ligjin. Ky transformim i sistemit të drejtësisë nga mandati kushtetues e ligjor në një mandat të jashtëligjshëm e në shërbim të një grupi të vogël njerëzish ka ngulfatur jetën institucionale, sociale, politike dhe ekonomike. Më të vërtetë fuqia e shtetit ligjor është reduktuar në thënien e zotit Lladrovci: ‘Ligji është si llastiku’, duke kuptuar se të fortët e bëjnë ligjin sipas interesave të tyre, e interpretojnë atë brenda kornizës së interesave të tyre, e mbi të gjitha edhe kur e shkelin atë i kanë gardianët e tyre për t’i amnistuar”, theksoi ai.“Kjo mendësi e mbrapshtë ka vazhduar dhe po vazhdon në trendin e njëjtë, duke stagnuar Kosovën për integrim në mekanizmat ndërkombëtarë, e duke dhunuar qytetarët nga të drejtat e tyre elementare. Nga kjo frymë e mbrapshtë e instaluar brenda institucioneve publike ka krijuar njerëz super të fuqishëm, të cilët kanë ndërtuar piramidën kriminale, gjithherë falë kapjes së sistemit të drejtësisë”, tha Hidajet Ahmeti për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)