Vetëvendosje thotë se qeveritarët e kanë lënë Trepçën pa investime

  • 20 February 2019 - 19:57
Vetëvendosje thotë se qeveritarët e kanë lënë Trepçën pa investime

Në 30 vjetorin e grevës së minatorëve, Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar qeveritarët se e kanë lënë Trepçën pa investime.

Ky subjekt politik, përmes një komunikate, thotë se tetë ditët e grevës në miniera, nxorën në dritë besimin për çlirim nga Serbia.

“Sot kujtojmë rezistencën heroike të minatorëve të Trepçës, grevën që shënoi fundin e Jugosllavisë dhe fillimin e çlirimit nga Serbia. Pas ngjarjes së studentëve në 81, kjo është ngjarja tjetër e rëndësishme që edhe e shënoi Kosovën në hartën ndërkombëtare, edhe e mobilizoi popullin në rezistencë ndaj agresionit të Serbisë. Ato tetë ditë të grevës, në zgafellën e errët të minierës së Stantërgut, kujtohen si ditë që nxorrën në dritë atë që është më e çmueshme për një popull: besimin se një luftë e përbashkët drejt çlirimit nga një Serbi okupatore, e shoviniste – është i mundshëm, dhe kjo na bënë të jemi krenar në çdo përvjetor”, thuhet në komunikatën e VV-së.

Tutje, VV-ja thotë se Trepçës duhet t’i kthehen investimet, dhe minatorëve dinjiteti, në mënyrë që sipas tyre qytetarët të përfitojnë një të ardhme më të mirë.

“Sot, Trepça ka potencialin që sërish të kontribuojë në nxjerrjen e një të ardhme për shqiptarët dhe gjithë të tjerët që jetojnë në Kosovë, por nuk është se po punohet në atë drejtim. Qeveritarët e kanë lënë këtë ndërmarrje pa investime, e punëtorët me paga e pensione aq të ulëta sa nuk kanë siguri as të punojnë e as të banojnë në ato anë. Kjo duhet të ndryshojë, ndërmarrjes duhet t’i kthehen investimet e punëtorëve, minatorëve dinjiteti, në mënyrë që gjithë qytetarët të përfitojnë një të ardhme më prosperuese në këtë vend”, përfundon komunikata e Vetëvendosjes.

Në ceremoninë ku u shënua 30 vjetori i grevës së minatorëve, mori pjesë kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

 

(Kosova Sot)