Sundimtarët po e zbrazin Kosovën

  • 11 March 2019 - 07:47
Sundimtarët po e zbrazin Kosovën

Shkodra: As në kohët e sundimtarëve të huaj gjendja sociale nuk ishte më e vështirë në Kosovë

“Mijëra qytetarë të Kosovës dita- ditës marrin rrugën ilegalisht përmes Kroacisë, Sllovenisë dhe drejt Perëndimit me shpresën për një jetë më të mirë. Në fakt, sot as kjo Qeveri, e as kjo opozitë, nuk kanë dëshmuar që po bëjnë apo do të bëjnë diçka të mirë për qytetarin.

Qytetarët këtë e kanë kuptuar shumë mirë dhe tani kjo po reflekton tek armata e të rinjve që po marrin rrugën drejt Perëndimi me shpresë për jetë të re, pasi kjo politikë dhe këta matrapazë politikë e gjunjëzuan qytetarin e përvuajtur.  E gjithë kjo situatë është pasi vetë qeveritarët hajdutë, që erdhën në pushtet pa meritokraci, tash po lozin me fatin e qytetarit dhe jetojnë me djersën e tyre“, thotë analisti Ali Hertica për gazetën “Kosova Sot”

Njohës të rrethanave politike në vend, deputetë të opozitës dhe qytetarët alarmojnë se Kosova po zbrazet dita- ditës, pasi po vazhdon largimi i të rinjve kosovarë drejt vendeve perëndimore, si në Kroaci, Slloveni dhe Gjermani e gjetiu. Por, ata shprehin habi me heshtjen e Qeverisë dhe të institucioneve të tjera me këtë fenomen që po e lë Kosovën pa popullatën më vitale të saj, të zbrazjes që po vazhdon në Kosovë. Sipas analistëve, Kosova po zbrazet për shkak se populli nuk po sheh asnjë shans e asnjë perspektivë në shtetin e Kosovës dhe gjendja nuk ka qenë më e rëndë që nga paslufta, pasi ky shtet po vazhdon  të mbetet i sunduar nga pushtetarët e inkriminuar dhe nëntoka kriminale. Ata vlerësojnë se, përderisa populli po ikën jashtë vendit, partitë politike i kanë nisur fushatat e rrenave, duke u hedhur në takime me “votuesit”, si të ishin në kohë zgjedhjesh.

Image

 

Shkodra: S'mund të krenohen se kanë bërë diçka për Kosovën dhe qytetarët e saj

Analisti Shefik Shkodra, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se Kosova është zbrazur në mënyrë permanente përherë. “Pushtetet e huaja i kanë ndjekur, për shkak të lirisë dhe për shkak të çështjes materiale. Janë shkolluar e janë punësuar në botën e jashtme.

Një pjesë e madhe janë adaptuar dhe janë shkrirë në kombet të tjera”. Por, sipas Shkodrës, është e çuditshme, për atë që s'ka qenë e besueshme: si po dëshirojnë të gjithë sot të marrin arratinë për në botën e jashtme, kur mendohet se jemi të lirë, të qeverisur nga vetë shqiptarët. “Pra, le të mendojnë mirë pushtetarët tanë, se as në kohërat e sundimtarëve të huaj gjendja sociale nuk ishte më e vështirë. Pra, s'mund të krenoheni se keni bërë diçka për Kosovën dhe qytetarët e saj”, është shprehur ai.

Image

 

Hertica: Në qeverisje janë matrapazët dhe debilët politikë

Njohësi i rrethanave politike në vendin tonë Ali Hertica, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se Qeveria e Kosovës nuk e ka idenë se nga është nisur. “Edhe 19 vjet pas përfundimit të luftës, shteti më i ri në Evropë është në kërkim të një modeli të funksionimit dhe këtë ende nuk e ka gjetur, sepse janë të instaluara në qeverisje matrapazët dhe debilët politikë së bashku me bandat klasike të zhvatësve dhe hajdutëve. Kosovës i ka humbur rruga në oborr.

 Qeveria e Kosovës nuk e ka idenë se nga është nisur. Në vitet e fundit, gjendja socio-ekonomike, në njëfarë forme, vetëm sa është përkeqësuar dhe këtë më së miri e tregon eksodi masiv i qytetarëve në vitet e fundit. Kambanat  e alarmit duhet të ushtojnë anembanë Kosovës për një mobilizim të shoqërisë dhe klasës politike kosovare për ta zvogëluar dhe për ta ndalur këtë dukuri trishtuese dhe ta kthejmë shpresën për një jetë më të mirë për të rinjtë dhe popullin e Kosovës, ashtu si është realisht në botën e pasur, të zhvilluar dhe demokratike, që është ëndërr dhe synim i të rinjve tanë”. 

Sipas Herticës, në vendin më të varfër të Evropës njerëzit e kanë humbur durimin. “Mijëra qytetarë të Kosovës dita- ditës marrin rrugën ilegalisht përmes Kroacisë, Sllovenisë dhe drejt Perëndimit me shpresën për një jetë më të mirë. Në fakt, sot as kjo Qeveri, e as kjo opozitë, nuk kanë dëshmuar që po bëjnë apo duan  të bëjnë diçka të mirë për qytetarin. Qytetarët këtë e kanë kuptuar shumë mirë dhe tani kjo po reflekton tek armata e të rinjve, që po marrin rrugën drejt Perëndimi për shpresa dhe jetë të re, pasi kjo politikë dhe këta matrapazë politikë e gjunjëzuan qytetarin  dhe armatën e të rinj për të mos pasur fare shpresë se në këtë Kosovë të përvuajtur nga shumë regjime totalitare dhe këtë situatë të rinjtë dhe qytetarët tanë nuk e kanë merituar. Andaj, e gjithë kjo situatë është që vetë qeveritarët  hajdutë, që erdhën në pushtet  pa meritokraci, tash lozin me fatin e qytetarit dhe jetojnë me djersën e tyre, kurse janë politika dhe politikanët tanë destruktivë që sigurisht po ua mundësojnë ikjen e njerëzve tanë“, ka theksuar analisti Ali Hertica për gazetën “Kosova Sot”

Qytetarët nuk kanë besim në institucionet e shtetit, detyrohen të ikin jashtë vendi

Veç analistëve politikë, edhe qytetarët e anketuar thonë se më nuk kanë besim në institucionet e shtetit, ndaj ata po detyrohen që të ikin jashtë vendit. Ndaj, sipas tyre, ky mosbesim ka ndikuar që Kosova të zbrazet dita- ditës, prej nga po vazhdon largimi i të rinjve kosovarë drejt vendeve perëndimore, si në Kroaci, Slloveni dhe Gjermani. Qytetari Shaban Krasniqi nga Prizreni, për gazetën “ Kosova Sot”,  thotë se të rinjtë tanë po ikin nga Kosova në mungesë të perspektivës në vendin tonë.

“Edhe në vendin e punës ku unë punoj si inxhinier, dita-ditës po ikin të rinjtë tanë punëtorë në  Slloveni, në Kroaci e në Gjermani. Ndërsa që e keqja të jetë më e madhe, pushtetarët tanë as që mërziten  për këtë eksod të të rinjve tanë. Sepse, vetë i kanë punët shkëlqyeshëm me para, veç saj ata i kanë punësuar familjarët e tyre, por edhe militantët partiakë, kurse për pjesën tjetër të qytetarëve pushtetarët tanë nuk e qajnë hallin se a kanë apo nuk kanë para për bukën e gojës, ndaj e kemi këtë eksod masiv të të rinjve tanë. Sipas Krasniqi, do të kalojë një kohë e gjatë dhe eksodi i të rinjve tanë nuk do të ndalet dhe në veçanti do të kemi një eksod masiv mbas liberalizimit të vizave. “Jam i mendimit se vetëm pas një kohe të gjatë do të ndërpritet largimi i të rinjve nga Kosova se aktualisht jo ky trend i eksodit do të vazhdojë dhe vetëm pas asaj periudhe, sikurse që ka ndodhur në Shqipëri, pas disa dekadave këta njerëz do të kthehen në Kosovë “, është shprehur ai për gazetën.

 Ndërsa, qytetari nga Prishtina Xhevat Dermaku, për gazetën” Kosova Sot”, thotë se nuk ka asnjë dyshim se ikja e të rinjve nga Kosova po ndodh nga mungesa e perspektivës. “Të rinjtë tanë po mbarojnë fakultetet dhe magjistraturat dhe më pas po bredhin rrugëve, ngase nuk mund të gjejnë asnjë vend pune. Këtyre të rinjve tanë u mbetet mundësia e vetme që të ikin jashtë Kosovës. Qeveria e tashme po mundohet që të bëjë gjithçka në këtë drejtim, por e keqja është se Qeveria e tashme e ka gjetur një situatë shumë të rëndë ekonomike të trashëguar 20-vjeçare ku është bërë shumë pak për qytetarin dhe kjo Qeveri nuk ka pasur mundësi që të bëjnë më shumë për një kohë aq të shkurtër, sepse nuk kanë shkop magjik”, është shprehur ai.

Image

 

Bislimi: Nuk ka strategji që do të ishte premtuese për rininë

Politolgia Liridona Bislimi, për gazetën “ Kosova Sot”, theksoi se largimi i të rinjve nga Kosova nuk ka të ndalur. “Kosova, një vend i vogël ballkanik me 1.8 milion banorë dhe me moshën mesatare të popullsisë më të re në Evropë, përballet edhe me shkallë të lartë të papunësisë, por edhe me mungesën e perspektivës për të rinjtë. Në Kosovë çdo vit rreth 30 mijë të rinj hyjnë në tregun e punës, ndërsa në anën tjetër as për së afërmi nuk hapen 30 mijë vende të reja pune.

Për këtë arsye në Kosovë niveli i papunësisë rritet çdo vit si dhe për këtë arsye mundësia për të punuar legalisht në vendet evropiane tash është e madhe dhe kjo është një joshje shumë e madhe për rininë kosovare. Institucionet e Kosovës, për fat të keq, mbesin vetëm në nivelin retorik, nuk ka strategji që do të ishte premtuese për rininë se do të përmirësohet niveli i punësimit, prandaj edhe migrimi legal është jashtëzakonisht joshës për rininë. Politika e mbrapshtë tash e 20 vjet ka mbjellë mendimin e pesimizmit në Kosovë, duke bërë që për të rinjtë e Kosovës, mundësia për punësim mbetet, për fat të keq,vetëm një ëndërr e parealizueshme”. 

Image

 

Lajçi: Koalicioni aktual, që po e sundon vendin, nuk e ka hallin e qytetarëve

Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës Ali Lajçi (LVV ), për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se Kosova po zbrazet për shkak se populli nuk po sheh asnjë shans e asnjë perspektivë në shtetin e Kosovës. “E tëra kjo po ndodh, sepse që nga pas lufta e deri më sot, Kosova vazhdon që të mbetet e sunduar nga pushtetarët e inkriminuar dhe nëntoka kriminale.

Prandaj, nuk duhet që të çuditemi fare se përse opozita dhe qytetarët tanë alarmojnë se si Kosova po zbrazet dita- ditës, pasi po vazhdon largimi i të rinjve kosovarë drejt vendeve perëndimore, si në Kroaci, në Slloveni dhe në Gjermani. Koalicioni aktual që po e sundon vendin nuk e kanë hallin për qytetarët tanë. Mirëpo, duhet të jemi realë, sepse përderisa populli po ikën jashtë vendit, është e habitshme se si partitë politike në Kosovës i kanë nisur fushatat e rrenave, duke u hedhur në takime me “votuesit”, si të ishin në kohë zgjedhjesh. Ndaj, e them me përgjegjësi, kjo sjellje e shumicës së spektrit tanë politikë sikur na tregon se sa të papërgjegjshëm janë partitë tona politike, që nuk e qajnë hallin për popullin, por vetëm për interesin e tyre partiak”, është shprehur deputeti Ali Lajçi për gazetën “Kosova Sot”

(Kosova Sot)