Reagimi i SHBA-së, vjen akuza e rëndë për Thaçin

  • 13 March 2019 - 15:11
Reagimi i SHBA-së, vjen akuza e rëndë për Thaçin

Sipas analistëve politike, reagimi i ambasadës së SHBA-së në Kosovë, e cila kërkoi zbardhjen e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, të cilësuar si “gylenistë”,  është edhe një ‘shuplakë’ e radhës për Thaçin dhe liderët tjerë politikë të inkriminuar, për shkeljet e ligjit ndaj deportimit e shtetasve turq dhe faktit se edhe pas një viti nuk ka përgjegjësi shtetërore për ata që bënë këtë akt antiligjor dhe antikushtetuese.

“Nuk kemi të bëjmë me fajësinë apo pafajësinë e individëve, por shmangie të qartë të proceseve ligjore të Kosovës nga ana e politikanëve të Kosovës. Presioni politik në sektorin e sigurisë për të thyer ligjin e Kosovës është një shkelje skandaloze e vlerave demokratike. Ne nxisim për transparencë të plotë në sektorin e sigurisë dhe në drejtimin e punëve të jashtme, për të parandaluar ndërhyrjet e pavenda nga politikanët kosovarë në të ardhmen”, thuhet në kumtesën e Ambasadës amerikane.

Lexo edhe: Vuçiq thotë se dialogu Kosovë-Serbi ka përfunduar

E lidhur me këtë, ish deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Adem Salihaj, thotë se deportimi i gjashtë shtetasve turk ishte bërë në mënyrë plotësisht mafioze.

Image
Adem Salihaj

 

“Organet kompetente, përfshirë ministrin e Punëve të Brendshme, kryeministrin dhe kryetarin e kuvendit nuk dinin asgjë, ata e kuptuan këtë me vonesë, pasi ndodhi e gjithë ngjarja dhe shtetasit turk tashmë ishin në Turqi. Fakti se këtë e bëri Thaçi pa dijen e njerëzve me kompetentë, tregon se ai është kryemafiozi i Kosovës dhe nuk heziton ta shkel ligjin dhe kushtetutën për të realizuar interesa të njerëzve jashtë Kosovës dhe për të dëmtuar interesat e shtetit tonë”, shprehet Salihaj për “Kosova Sot”.

Sipas tij, PDK-ja po bën çmos që ta mbrojë shefin e saj kryemafioz.

“Edhe pas një viti, nuk u sqarua ky rast, sepse PDK-ja po bën çmos që ta mbrojë shefin e saj kryemafioz. Me gjithë kërkesat, si duket jo edhe kaq këmbëngulëse të amerikanëve, rasti vazhdon të mbetet i pandriçuar. Komisioni hetimor u tregua i hutuar dhe jo në nivel te detyrës, është tashmë para dështimit, me arsyetimin se deputetët, që janë anëtarë të këtij komisioni nuk i kanë ditur afatet e përcaktuara nga Rregullorja e Punës e Kuvendit. Pra, lëmshi po sillet e pështillet, por fija nuk po i gjendet”, tha për “Kosova Sot” ish deputeti, Adem Salihaj.

(Kosova Sot)