Tallja e pushtetit, një herë ua nxin jetën, tash apelojnë “mos ikni”

  • 19 March 2019 - 07:40
Tallja e pushtetit, një herë ua nxin jetën, tash apelojnë “mos ikni”

Krasniqi: Për çka luftuam, për çka e dhanë jetën dëshmorët, për çka ne luftëtarët i dhamë gjymtyrët e trupit? Po, me ju pasunu juve e mu ba milionerë aaaaa, e mi shkollu veç fëmijët e juaj aaa, turpi ju mbuloftë qysh ju ka mbulu, po s’po e shihni ende, po keni me pa, ju betohem… 

 “Letra emocionuese e ish-luftëtarit të lirisë, përveçse zhgënjim i thellë dhe thyerje shpirtërore, është edhe një dëshmi më shumë për degradimin e skajshëm të shtetit të Kosovës nga kjo klasë politike e pasluftës, përfshirë edhe pushtetarët aktualë në të dyja nivelet e qeverisjes, të cilët e shkatërruan deri në rrënjë Republikën e Kosovës, duke u bërë milionerë, duke vjedhur e zhvatur, duke bllokuar e shantazhuar këdo që nuk është pjesë e klaneve të tyre kriminale, duke bllokuar sundimin e ligjit si dhe duke e zyrtarizuar shtetin si oazë të krimit të organizuar, prej ku ikin çdo ditë popullata me lot ndër sy dhe shpirt të trazuar, ngjashëm si në Venezuelë”, thotë analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot"

Kohët e fundit, jemi dëshmitarë se si në vazhdimësi pushtetarët, por edhe opozitarët iu drejtohen shpesh të rinjve që të mos lëshojnë Kosovën e tyre, duke parë se trendi i largimit të rinisë jashtë vendit është në rritje, sa përmes rrugëve ilegale po aq edhe nëpërmes rrugëve legale që sigurojnë agjencitë e ndryshme ndërmjetësuese për punësim jashtë vendit. Tani analistët politikë me të drejtë shtrojnë pyetjen se çfarë bënë këta politikanë të inkriminuar që të bindet populli dhe të mos ikën jashtë vendit!?

Po ashtu ata pyesin se si mund të ndalen të rinjtë të ikin nga Kosova, kur në vendin tonë nuk ka asnjë perspektivë, nuk ka sundim të ligjit, nuk ka zhvillim ekonomik dhe në këtë shtet mund të punësohen njerëzit vetëm me lidhje nepotike, militanteske e kriminale, edhe atë në çdo sektor publik. I zhgënjyer me këtë situatë që kemi në vend, krerëve të shtetit iu drejtua edhe ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tani invalid, Feim Krasniqi, përmes një letre tejet emocionuese, duke rrëfyer se si djali i tij ende pa i mbushur 17 vjet, bashkë me 13 të rinj, morën rrugën e kurbetit për një jetë më të mirë. Ish-ushtari i UÇK-së i akuzon politikanët kosovarë, Ramush Haradinajn, Fatmir Limajn, Hashim Thaçin e Isa Mustafën, se në Kosovë po bëhet krimi i madh dhe i pyet deri“kur doni me rrejt popullatën e shkretë, a s’po u vjen marre për postet që i mbajnë në ketë qeveri?

“Gjysma e Kosovës veç iku edhe sa e sa do të ikin ditëve e vijim?”, u shpreh ai në këtë letër prekëse. Edhe analistët politikë e shohin me shqetësim faktin se si ka degraduar shteti i Kosovës nga kjo klasë politike e pasluftës, përfshirë edhe pushtetarët aktualë në të dyja nivelet e qeverisjes, të cilët e shkatërruan deri në rrënjë Republikën e Kosovës, duke u bërë milionerë, duke vjedhur e zhvatur, duke bllokuar e shantazhuar këdo që nuk është pjesë e klaneve të tyre kriminale, duke mos lejuar sundimin e ligjit si dhe duke e zyrtarizuar shtetin si oazë të krimit të organizuar, prej ku ikin popullata, ngjashëm si në Venezuelë.

Krasniqi: Për çka luftuam...

“Për çka luftuam, për çka e dhanë jetën dëshmorët, për çka ne luftëtarët i dhamë gjymtyrët e trupit? Po, me ju pasuru juve e mu ba milionerë, aaaaa e mi shkollu veç fëmijët e juaj, aaa turpi ju mbuloftë qysh ju ka mbulu, po s’po e shihni ende, po keni me pa ju betohem…

Gjithçka e keni fëlliqur. Deri kur kështu? Veç mos harroni se ka me ardhë një ditë shpejt dhe do t’ju vjen marre me dalë edhe në rrugë se çka i bëtë kësaj Kosove të mjerë. Pra e di se shumë kush i ka këto bindje për ju, po ata po heshtin, por një ditë do të eksplodojnë të gjithë sepse s’do t’mujn me duru më kurrë. Në jetën time se kam mendu se do t’i përcjelli djemtë për rrugë të Evropës. Çka me vyen mua jeta sot ku dy djemtë ikën në Evropë?... Sot, në lirinë e Kosovës, në pavarësinë e Kosovës, të ikin rinia e të dalin rrugëve të Evropës. Kosova shumë shpejt do të jetë veç në pleq. U bëj thirrje pushtetarëve, politikajve, komandantëve e gjeneralëve, se veç për sy e faqe janë tuj punu edhe për gjepa të vet, hapni sytë se Kosova mbaroi”, thuhet në letrën e ish-ushtarit të UÇK-se, Feim Krasniqi, drejtuar pushtetarëve.  

Image

 

Zeqa: Letra e mallkimit

Analisti politik Florim Zeqa tha për “Kosova Sot” se letra tejet emocionuese e ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tani invalid i luftës, Feim Krasniqi, drejtuar pushtetarëve dhe politikanëve në përgjithësi, për më tepër se letër dëshpërimi me qeverisjen e vendit, është letër e mallkimit drejtuar uzurpatorëve të shtetit, drejtuar ish-komandantëve të luftës, këtyre sheikëve të paqes, politikanëve të korruptuar dhe tej inkriminuar kosovarë, që e trajtuan shtetin si plaçkë lufte, që e rropën e çrropën çdo gjë nga pasuria shoqërore, që po zhvatin buxhetin e shtetit në themel për pasurim mbi kurrizin e popullatës së varfër.

“Letra e ish- luftëtarit të UÇK-së nuk është zë i vetmuar, por është zëri i qindra e mijëra luftëtarëve, është zëri i invalidëve të luftës që lanë gjymtyrët e trupit të tyre për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Ato që janë të shkruara në letrën e ish-ushtarit të UÇK-së janë shqetësime që i dëgjojmë çdo ditë prej qytetarëve të Kosovës, prej atyre që nuk janë bërë pjesë e sistemit kriminal e korruptues, prej atyre që Kosovën e kanë ëndërruar ndryshe nga kjo që është sot”, u shpreh ai.

“Pikërisht ata që u drejtohen të rinjve me thirrjen "Mos e lëshoni Kosovën..." janë uzurpatorët më të mëdhenj të institucioneve shtetërore me punësimin e familjarëve të tyre pa konkurse dhe pa kritere. Andaj nuk kanë si të ndalen të rinjtë të ikin nga Kosova, kur në vendin tonë nuk ka asnjë perspektivë, nuk ka sundim të ligjit, nuk ka zhvillim ekonomik dhe në këtë shtet mund të punësohen njerëzit vetëm me lidhje nepotike, militanteske e kriminale, edhe atë në çdo sektor publik,...përderisa sektori privat është shndërruar në ferr dhe varr i të varfërve nga pasiguria dhe abuzimi i oligarkëve ekonomikë”, potencoi më tej Zeqa.

Image

 

Badallaj: Banda e hajdutëve

Analisti politik Reshat Badallaj tha për “Kosova Sot” se kjo gjendje vjen nga banda hajdutësh që e kanë kapur pushtetin, që  janë në gjendje të bëjnë çdo gjë vetëm për të mbajtur atë. “Ashtu-ashtu këto banda në pushtet erdhën me anë të dallavereve dhe të mashtrimet. Këto banda të kanaleve të nëntokës kriminale gjatë fushatës parazgjedhore vetëm se kanë dhënë premtime para qytetarëve vetëm sa për të ardhur në pushtet dhe të gjitha këto premtime nuk i mbajtën dhe dolën mashtrime.

Ne të gjithë qytetarët e Kosovës jemi dëshmitarë të kohës kur kryebanditët e bandave politike i kanë premtuar qytetarët se do të hapin vende pune deri në gjysmë milioni, pra kryebanditët zbarkonin nëpër qytetet dhe të pafytyrët thoshin se do të hapim 500.000, dikush 250.000 dhe kishte po ashtu kryebanditë që kanë lehur edhe këtë se do të punësojnë një anëtar për shtëpi... Po ashtu, jemi dëshmitarë të kohës kur kjo kope kryebanditësh dhe lehaqenësh që janë në pushtet me të madhe janë duke punësuar vetëm familjarët e tyre të ngushtë dhe akrabatë e tyre. Ne po pyesim këta kryelehaqen, këta kryehajna, këta të pafytyre, këta kryebanditë dhe kryerrugaçë, ku mbetën 250.000,500.000 dhe nga një anëtar i punësuar për familje”, theksoi Badallaj.

Image

 

 Guraziu: Thirrje hipokrite

Edhe analisti Ragip Guraziu thotë se pushtetarët, por edhe opozitarët, po i ftojnë të rinjtë me hile e jo seriozisht, që mos të lëshojnë vendin, pa menduar fare se po çka po bëjnë këta pushtetarët për ta.“Siç jemi dëshmitarë se si në vazhdimësi pushtetarët, por edhe opozitarët iu drejtohen shpesh të rinjve që të mos lëshojnë Kosovën. Mirëpo, përtej këtyre thirrjeve hipokrite ne duhet t’i pyesim ata se çfarë bënë këta politikanë të inkriminuar që populli të mos ikën jashtë vendit.

Vërtet thirrjet e tyre hipokrite na bëjnë për t’u habitur, sepse janë thirrje boshe. Le ta dinë fare mirë se kështu nuk mund të ndalen të rinjtë që të mos ikin nga Kosova, kur në vendin tonë nuk ka asnjë perspektivë, nuk ka sundim të ligjit, nuk ka zhvillim ekonomik, dhe në këtë shtet mund të punësohesh vetëm me lidhje familjare, me lidhje nepotike politike e militanteske e kriminale, edhe atë në çdo sektor publik. Dëshmia më besnike e kësaj gjendje të mjerë është letra e ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tani invalid, Feim Krasniqi, i cili përmes letrës emocionuese iu drejtua edhe politikanëve kosovarë, duke rrëfyer se si djali i tij ende pa i mbushur 17 vjet, bashkë me 13 të rinj, morën rrugën e kurbetit për një jetë më të mirë. Nuk është aspak e habitshme kur po ky ish-luftëtarë lirie, tani i zhgënjyer për 20 vjet dështimi të shtetit në liri, i akuzon një nga një politikanët kosovarë, duke filluar nga Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Hashim Thaçi, Isa Mustafa, se në Kosovë po bëhet krim i madh”, tha Ragip Guraziu për “Kosova Sot”.

Image

 

Mjerimin e sollën politikanët

Se një gjendje të tillë mjerimi e kanë sjellë vetë politikanët aktualë, që tani kinse po u bëjnë ftesë qytetarëve të mos ikin nga vendi i tyre, sepse një ditë do të jetë më mirë, e thotë edhe analisti Bislim Aliu.“Pa dyshim jemi dëshmitarë se si në vazhdimësi pushtetarët, por besa edhe opozita, shpeshherë iu drejtohen të rinjve që të mos largohen nga Kosova, nga vendi ku u lindën dhe u rritën.

Por le t’i pyesim edhe ne analistët politikë, a thua, çfarë bënë këta pushtetarë, që të rinjtë, por edhe populli, të mos largohen nga Kosova? Dhe, a thua, si mund të ndalen të rinjtë, që të mos largohen nga Kosova, kur ata me diploma në xhep sorollatën udhëve, duke kërkuar punësim me diploma fakultet dhe pa ndonjë perspektivë? Pikërisht për këtë arsye, ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tani invalid, Feim Krasniqi, përmes një letre, tejet emocionuese, u shkruan politikanëve kosovarë, duke u rrëfyer se si djali i tij, ende pa i mbushur 17 vjet, bashkë me një grup prej 13 të rinjsh, morën rrugën e kurbetit, për një jetë më të mirë”, u shpreh ai.“Ndaj, ish-ushtari i UÇK-së me plot të drejtë iu drejtohet politikanëve kosovarë: Hashim Thaçit, Ramush Haradinajt, Fatmir Limajt, Isa Mustafës, se në Kosovë po bëhet një padrejtësi dhe një krim i madh ndaj këtyre të rinjve dhe, duke i pyetur ata se ku e ka fundin kjo katrahurë, në të cilën po e çojnë shtetin dhe perspektivën e kësaj rinie që po merr rrugët e botës”, vijoi më tej Aliu.

“Me të drejtë ai i pyet këta politikanë se deri kur duan ta gënjejnë këtë popull me premtime të shumta e asgjë konkrete. Edhe pyetja të cilën ai e shtron është: “A thua, për çka ne luftuam duke i dhënë edhe gjymtyrët e trupit dhe për çka e dhanë jetën dëshmorët”? Është një shprehje tepër e dhimbshme e një luftëtari të lirisë, që u zhgënjye me dështimin e shtetit dhe të kësaj kaste politike, me të drejtë ai u thotë se: “Ju jeni bërë milionerë, e ne dhe fëmijët tanë, nga kushtet e vështira, na duhet të ikim nga Kosova. Populli në tërësi është i zhgënjyer me këtë situatë tejet të vështirë, kur gati gjysma e Kosovës dëshiron të dalë jashtë, për të kërkuar punë dhe për një jetë më të mirë! Sot, në lirinë e Kosovës dhe pavarësinë e saj, të ikin rinia dhe të dalin rrugëve të Evropës është me të vërtetë fatkeqësi e madhe për Kosovën. Kështu siç po vazhdon trendi për daljen jashtë të rinisë, a mos vallë Kosova në të ardhmen do të mbetet vetëm me pleq”, potencoi Bislim Aliu.

 Qytetarët me një këmbë në Kosovë, me një në Perëndim

Edhe qytetarët e anketuar nga gazeta theksojnë se nuk janë aspak serioze thirrjet që po vijnë së fundi nga pushtetarët, por edhe opozitarët, që po u drejtohen të rinjve që të mos e lëshojnë Kosovën, sepse shikuar realisht këta politikanë nuk kanë bërë thuajse asgjë që populli të mos ikën jashtë vendit.

Një fakt të tillë e pohon vetë i riu, Artan Mehani.“Vetëm ata që janë të punësuar nëpër institucionet shtetërore, vetëm për ata besoj që nuk largohen nga vendi, sepse megjithatë ata kanë një punë të sigurt, mirëpo mungon zhvillimi i duhur ekonomik dhe siguria për punë të qëndrueshme tek sektori privat, në masën më të madhe, sepse akoma kemi ngecje të madhe të zhvillimit të qëndrueshëm të këtij sektori, prandaj të punësuarit në këtë sektor kanë më shumë arsye që të largohem, sepse me këtë nivel të ulët të zhvillimit ekonomik nuk kanë mundësi që t’i plotësojnë nevojat dhe standardet jetësore.

Tani akoma më keq dhe më e rëndë është situata tek ata që akoma nuk kanë arritur të sigurojnë një vend pune, prandaj synimet janë që tani ikin jashtë vendit për të krijuar një jetë më të dinjitetshme dhe një standard më të mirë jetësor, sepse edhe ata që nuk kanë duhet dhe kërkojnë ta bëjnë një zgjidhje. Të rinjtë po mbarojnë shkollim dy-tre fish, më nga dy e tri fakultete, dhe nuk po mund të punësohen, prandaj synojnë të ikin jashtë vendit, sepse janë të kota thirrjet e politikës për moslargim nga vendi derisa fajtori kryesor i ngecjes së zhvillimit ekonomik, i moshapjes së vendeve të reja të punës, është pikërisht politika që po na qeveris tash e dy dekada pas lufte”, theksoi Mehani.

Edhe qytetari Ilaz Ismaili, i cili i tha gazetës sa djalin e tij të vetëm e ka të punësuar në Gjermani, nga pamundësia që të gjejë vende pune në Kosovë, thotë se këto thirrje të herëpashershme nga politikanët që rinia mos të largohet nga vendi janë thirrje koti, sa për të thënë se kinse po punojnë diç për qytetarin, por në realitet është krejt e kundërta, prandaj edhe eksodi i heshtur i brezit të ri jashtë vendit nuk po ndalet.“Këta vazhdimisht deri më tani e kanë shikuar vetëm interesin e tyre personal, sepse thënë figurativisht nuk është njësoj sikur të ulen dy tre veta e sikur 7 apo 3 veta në një sofër për të ngrënë bukë.

E këta nuk kanë dashur të angazhohen dhe të punojnë që të gjithë së bashku të ecim përpara, për zhvillim, punësim e perspektivë të vazhdueshme për qytetarin , por i kanë shikuar dhe kanë punuar vetëm për interesat e ngushta klanore e grupore të lidhura ngushtë me interesin e disa individëve”, vlerësoi Ismajli. Sipas tij, nuk mund të ndalen të rinjtë në synimin e tyre për të kërkuar jetë më të mirë jashtë vendit, sepse e kanë humbur edhe besimin, por edhe durimin, duke qenë krejtësisht pa mbështetje institucionale dhe pa një dritë në fund të tunelit, që së paku t’u japë shpresë se gjërat do të ndryshojnë për të mirë.

(Kosova Sot)