Vriten dy ushtarë amerikanë në Afganistan

  • 22 March 2019 - 10:50
Vriten dy ushtarë amerikanë në Afganistan

Zyrtarët e NATO-s në Afganistan kanë njoftuar se dy ushtarë amerikanë janë vrarë gjatë kryerjes së një operacioni luftarak.

Në deklaratën e NATO-s nuk janë dhënë hollësi të tjera dhe as emrat e ushtarëve të vrarë.

Dhuna në Afganistan po vazhdon, pavarësisht mbajtjes së negociatave për arritje të marrëveshjes për paqe mes militantëve talibanë dhe zyrtarëve amerikanë.

Rundi më i ri i bisedimeve u përmbyll më herët gjatë këtij muaji. Të dyja palët kanë deklaruar se është arritur përparim, por jo edhe marrëveshja përfundimtare.

Në forcat mbështetëse të NATO-s në Afganistan janë të përfshira 17 mijë trupa. Rreth gjysma e tyre janë nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vdekja e dy ushtarëve amerikanë erdhi vetëm një ditë pasi gjashtë njerëz u vranë nga shpërthimet e kryera nga Shteti Islamik në një lagje shiite të kryeqytetit të Afganistanit, Kabul.

Sipas raporteve të qeverisë amerikane dhe raporteve të NATO-s, vetëm nga janari i vitit 2015 në Afganistan janë vrarë të paktën 65 ushtarë amerikanë, shkruan “Free Europe”.

(Kosova Sot)