Zeqa: Policia dhe AKI-ja për tri orë e kanë shkelur ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës

  • 22 March 2019 - 14:12
Zeqa: Policia dhe AKI-ja  për tri orë e kanë shkelur ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës

Analisti Florim Zeqa thekson se Kosova me "efikasitetin" e drejtësisë pritet të hyjë në librin e Ginisit, me një rekord botëror . “Sipas Komisionit hetimor në Kuvendin e Kosovës, del se Policia e Kosovës dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, më datë 29 mars të vitit të kaluar, në një operacion që ka zgjatur tri orë, e kanë shkelur ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës plot 29 herë.

Edhe pse ka kaluar një vit nga ajo kohë, askush nuk u soll para përgjegjësisë nga Prokuroria Speciale. Në vend që të sillen para drejtësisë përgjegjësit e 29 shkeljeve ligjore, ata u shpërblyen me pozita më të larta.

Paradoksi bëhet akoma më i madh, kur të gjitha 29 shkeljet e ligjeve të Kosovës dhe konventave ndërkombëtare u bën brenda një dite të vetme, prej momentit kur agjentët e AKI-së kanë kërkuar që gjashtë shtetasve turq t’u revokohet leje-qëndrimi në Kosovë, e deri në momentin kur ata janë ngarkuar në një avion për t’u nisur për në Turqi”, shpjegoi ai.

“Pas dështimit total në zbardhjen e rasteve të rënda kriminale, të vrasjeve politike të pasluftës, të aferave të shumta korruptive dhe skandaleve qeveritare, paradoksalisht sistemi i drejtësisë kosovare për habi të qytetarëve dhe ironi të ndërkombëtarëve i gjeti 6 shtetas turq me leje qëndrimi në Kosovë për të dëshmuar performancën e saj”, potencoi Zeqa.

(Kosova Sot)