Çfarë po ndodh në Shqipëri? Katër persona të ekzekutuar në një javë

  • 23 March 2019 - 09:27
Çfarë po ndodh në Shqipëri? Katër persona të ekzekutuar në një javë

4 vrasje njëra pas tjetrës kanë ndodhur në Shqipëri vetëm në një javë. Krimi dhe pasiguria ka pushtuar vendin dhe nga 4 ekzekutimet e ndodhura, vetëm njëra prej tyre është zbardhur.

Vetëm një javë më parë më 16 mars u ekzekutua në kryeqytet te Liqeni Artificial shtetasi Haxhi Bacinovski, 62 vjeç. Bacinovski u ekzekutua ndërkohë që po ecte me djalin e tij pranë kodrave të liqenit rreth orëve të pasdites.

Pak ditë më parë u vetëdorëzua në polici autori i vrasjes, Islam Muslaj, 61 vjeç, i cili deklaroi se ishte penduar për krimin dhe se gjithçka kishte ndodhur në gjaknxehtësi e sipër.

Vetëm dy ditë më pas vrasjes së Bacinovskit, më 18 mars po në Tiranë ekzekutohet një tjetër person. Këtë herë viktima është Jurgen Kurti, 26 vjeç.

Kurti u ekzekutua pranë banesës së tij, mbrëmjen e së hënës rreth orës 22.30. Në drejtim të 26-vjeçarit u derdhën 23 plumba dhe sipas policisë në atentat janë përfshirë dy persona, ndërsa vrasja është kryer nga një makinë e tipit “Benz”.

I riu gjeti vdekjen e menjëhershme dhe atë mbrëmje policia shoqëroi 10 persona por ende ngjarja nuk është zbardhur, pista e vetme që po hetohet është ajo e hakmarrjes, për shkak të shkuarës së Kurtit.

Ndërsa dy ditë më parë, më 20 mars, një tjetër atentat tronditi vendin, këtë herë në Shkodrën, ku mbeti i vrarë shtetasi Ferdinand Polia, 35 vjeç.

Viktima u ekzekutua me 18 plumba ndërkohë që po lëvizte me mjetin e tij të tipit Fouristradë.

35-vjeçari Polia u vra në fshatin Grudë dhe dëshmitari i ngjarjes, një mik i tij deklaroi se autori ishte me motor dhe skafandër. Dëshmia e mikut të Nardit të Bujtinës në Theth duket se nuk ka i ka ndihmuar shumë hetuesit. Një orë pas atentatit policia gjeti të braktisur dhe djegur motorin e përdorur nga autori i krimit.

Për mos t’u mjaftuar me kaq mbrëmjen e sotme rreth orës 19.35 në qytetin e Elbasanit u ekzekutua 50-vjeçari, Ravik Gurra, avokat i Emiliano Shullazit dhe mik i “Çapjave”.

Burime nga policia bënë të ditur se Gurra ishte duke pirë kafe në një bar në qendër të qytetit në momentin që një person i maskuar dhe pa i folur e ka qëlluar me pistoletë me silenciator e më pas është larguar në drejtim të një mjeti që e priste.

Pra vetëm në 7 ditë në Shqipëri janë kryer 4 atentate me 4 viktima dhe e vetmja ngjarje që është zbardhur është vrasja e ndodhur te Liqeni Artificial. Shifrat janë me të vërtetë shqetësuese dhe vënë seriozisht në dyshim rolin dhe punën e policisë në vend.

(Kosova Sot)