Qytetarët akuzojnë Shpend Ahmetin se po ua rrezikon jetën

  • 25 March 2019 - 07:45
Qytetarët akuzojnë Shpend Ahmetin se po ua rrezikon jetën

Bunjaku: Ajo që është akoma më e keq, më injoruese, është se kryetari Shpend Ahmeti nuk vjen për t’u ballafaquar dhe për t’u sqaruar me neve banorët! Unë vetë ia kam dhënë votën këtij kryetari, por e ka të sigurt që prej meje më nuk e ka votën!

 "Komuna nuk respekton asnjë palë! Krejt kësaj i shtohet kapaku, kur problem kryesor është se Komuna nuk i ka ftuar banorët e lagjes në diskutim, dhe të bëhen edhe lidhjet apo udhëkryqet përgjatë rrugës, ku në të ardhmen kjo pjesë e mbulesës së lumit do të jetë rrugë! Pra, sikur që po shihet edhe nga kjo gjendje, kolektori në lagjen ‘Kalabria’ nuk është duke u implementuar, dhe tanimë kanë kaluar të gjitha afatet ligjore dhe krejt kjo gjendje ka mbetur kështu, as nuk punohet e as nuk veprohet. Banorët pranë këtyre gërmadhave që janë hapur po rrezikohen, edhe fëmijët, edhe të rriturit, sidomos pleqtë”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” përfaqësuesi i banorëve të lagjes së “Kalabrisë”, Hilmi Halili

Komuna e Prishtinës dhe kryetari i saj, Shpend Ahmeti, tash e më shumë se dy vjet po vazhdojnë t’i gënjejnë dhe t’i mashtrojnë qytetarët e Prishtinës, madje edhe duke i ndëshkuara ata, duke filluar aty- këtu ndonjë projekt kinse kapital e duke mos e realizuar atë, që në fakt e përkeqëson gjendjen e tyre dhe kushtet e jetës akoma më shumë se që ishin pa u nisur projekti.

Tanimë histori në vete është bërë dështimi i Komunës dhe kryetarit Shpend Ahmetit për rregullimin e shtratit të lumit Mat në “Kalabri”, projekt që e nisi në mars të vitit 2017, e për të cilin akoma nuk dihet se cili do të jeta fati, as afati i përfundimit të punimeve. Pra, po kalojnë më shumë se dy vjet dhe deri më tash, përpos shndërrimit të hapësirës, vendpunishtes në gërmadhë, e në disa pjesë të betonuara, nuk është bërë asgjë premtuese, që ky projekt të përfundojë dhe të marrin fund brengat e qytetarëve.

Tanimë një tunel i ndërtuar prej betoni, mbi të cilin duhet të kalojë edhe rruga që do të jetë nyje strategjike e Prishtinës, e ndan lagjen “Kalabria” në dysh dhe pamundëson qarkullimin dhe komunikimin normal të qytetarëve, madje edhe dërgimin e nxënësve në shkolla dhe të fëmijëve në çerdhe, kurse banorët që jetojnë në afërsi të pjesëve, akoma të zbuluara të lumit Mat, e kalojnë jetën nën kundërmimin e erërave të ujërave të zeza.

Gabimisht janë vendosur tubat e kanalizimit

Qytetarët e lagjes “Kalabria”, që jetojnë aty në afërsi të vendit ku është përcaktuar të ndërtohet kolektori, akuzojnë kryetarin Shpend Ahmeti dhe Komunën se i ka lënë krejtësisht në harresë dhe vetëm i ka mashtruar kur e ka kërkuar votën se ky projekt do të realizohet shpejt dhe do të jetë në funksion të përmirësimit të jetës së tyre.

Në fakt, ata tani veçse ndjehen të mashtruar, ndjehen edhe të ndëshkuar nga kryetari Ahmeti, i cili nuk merr rrugë për të shkuar deri aty, dhe për të komunikuar, për të sqaruar se ku qëndron problemi i ngecjes në këtë projekt kapital, dhe nëse ka shpresë që të zhbllokohet, së paku të realizohet deri në fund të mandatit. Përfaqësuesi i banorëve të lagjes së “Kalabrisë”, Hilmi Halili tha për “Kosova Sot” se gjendja momentale, ajo që shihej në ditën e vizitës nga ekipi i gazetës, ditën e diel, është se ka rifilluar një intervenim si përmirësim i gabimit në vendosjen e gypave anësorë, i dështimit! Kjo ndërhyrje është bërë tani pasi, sipas tij, gabimisht i kanë vendosur gypat e kanalizimit, prandaj janë duke u tejzgjatur punimet, edhe pse ka zëra se Komuna është në gjyq me kompaninë që po kryen punimet. Mirëpo, se shpresat që ky projekt të realizohet dhe të marrin fund peripecitë e qytetarëve të kësaj lagje, sipas Halilit, pritjet e tanishme janë joreale, sepse problem kyç tani del kontesti me një nga banorët e lagjes, të cilit Komuna nuk i ofron një mundësi të mirë për shpronësim të tokës, ku do të kalojë kolektori, pranë ujësjellësit “Prishtina”.

“ Kjo do të thotë se Komuna nuk respekton asnjë palë! Krejt kësaj i shtohet kapaku, kur problem kryesor është se Komuna nuk i ka ftuar banorët e lagjes në diskutim, dhe të bëhen edhe lidhjet apo udhëkryqet përgjatë rrugës, ku në të ardhmen kjo pjesë e mbulesës së lumit do të jetë rrugë! Pra, sikur që po shihet edhe nga kjo gjendje, kolektori në lagjen ‘Kalabria’ nuk është duke u implementuar, dhe tanimë kanë kaluar të gjitha afatet ligjore dhe krejt kjo gjendje ka mbetur kështu, as nuk punohet e as nuk veprohet. Banorët pranë këtyre gërmadhave që janë hapur po rrezikohen, edhe për fëmijët, edhe për të rritur, sidomos për pleqtë. Është ndërprerë edhe komunikimi dhe qarkullimi në lagje, sepse tanimë të dyja anët e lagjes nuk i lidh asgjë, pra kemi një shkëputje totale të komunikimit, qarkullimit dhe pamundësi të një jete normale.

Image
Hilmi Halili

Përveç këtyre telasheve që tashmë nuk dihet kur do të përfundojnë, është shtuar edhe halli tjetër, pamundësia për të jetuar këtu nga erërat që po kundërmojnë nëpër këto vendet e hapura për nyje lidhëse e ku derdhen kanalizimet e ndryshme anësore. Këto mbetjet e hekurta që tash po duken kështu, e janë tregues i punimeve të dështuara, e vështirësojnë edhe kalimin e ujit, por dashtë Zoti të mos ketë ngritje të madhe të nivelit të ujit dhe sjellje të mbeturinave, sepse këtu edhe mund të bllokohet ky tunel dhe ujërat e papastra të vërshojnë krejt lagjen dhe këto vendbanime na afërsi të vendit ku kanë ngecur punimet”, tha përfaqësuesi i lagjes Hilmi Halili. Sipas Hilmi Halilit, ka një mosinteresim total të kryetarit Shpend Ahmeti, që ky problem të zgjidhjet, dhe kjo po i irriton banorët, të cilët i ankohen vazhdimisht për të përçuar kërkesat e tyre deri te zyrtarët e Komunës. “Po të kishte pasur pak interes, vetë kultura e tij njerëzore, që së pakut me thënë edhe morale, do të ishte mirë për të vepruar në këtë rast, sepse nuk jetohet kështu.

Tani kur jemi në shekullin 21, sikur që po shihet e sikur që po sillet, ky kryetar, kryetar i kësaj kohe nuk është, prandaj po e them me keqardhje se krejt kjo është pasqyrë e dështimit”. Hilmi Halili tha se, sipas projektit, me ndërtimin e kolektorit dhe mbulimin e lumit, është në projekt rruga që shërben si unazë e brendshme, që në të ardhmen shkon deri te aeroporti, nëse realizohet, mirëpo dështimi që po ndodh dhe zvarritja e projektit nuk do koment nga ajo që shihet tani aty.

Zhgënjehet shumë edhe votuesi i Shpend Ahmetit

Bujar Bunjaku, po ashtu banor i kësaj lagjeje, thotë se ka qenë votues i Shpend Ahemtit, por ja që ka gabuar dhe është mashtruar, sepse gjërat po tregojnë që Shpend Ahmeti nuk ka qenë asnjëherë i interesuar për t’u marrë me Komunën për të zgjidhur problemet e qytetarëve, për ta zhvilluar Prishtinën.

“Siç po e shihni edhe vetë, kjo që po duket është nisur që sa kohë, por problem pse ka ndodhur kjo ngecje, tani nuk po e dimë as ne banorët e kësaj lagjeje. Ka mbetur vetëm në fillim, pra as në gjysmë nuk ka mbetur, sepse po të kishte ardhur puna e realizimit deri në gjysmë, ndoshta edhe do të ishte bërë pak më mirë, por nuk po e dimë se çka po ndodh.

Realisht ne nuk po e dimë nëse është puna te Qeveria apo te Komuna apo te kontraktori, ne nuk e dimë, vetëm ata mund ta dinë më mirë. Me të vërtetë është bërë jeta e mërzitshme dhe e pamundur këtu pranë këtij vendi, ku janë punimet e mbetura pezull. Ka erëra të padurueshme që kundërmojnë këtu dhe gjendja është shumë e keqe. Ajo që është akoma më e keq, më injoruese, është se kryetari nuk vjen për t’u ballafaquar dhe për të sqaruar me neve banorët. Kryetari ka qenë disa herë në TV, por për ta parë këtu gjendjen faktike në terren dhe për të bashkëbiseduar me neve, nuk ka qenë kurrë, madje as që ka bërë thirrje apo paralajmërim për ndonjë takim me neve këtu. Pra, ai nuk del në vend për ta parë gjendjen vetë në terren se si është derisa në televizione del e flet vazhdimisht duke thënë se ka bërë atë e ka bërë këtë, se ka bërë ashtu e ka bërë ashtu, por që në fakt nuk ka bërë asgjë, sepse këtu për të parë gjendjen faktike nuk e kemi parë asnjëherë që të ketë qenë për t’u informuar dhe për të na vizituar.

Është bërë histori kjo punë, që dy vjet e gjysmë ka që është nisur, kurse me sa kemi dëgjuar neve, afati ka qenë që për 1 vit e gjysmë të përfundohet projekti tërësisht”, theksoi Bujar Bunjaku. E, zhgënjimin edhe më të madh Bunjaku e ka në kryetarin Ahmeti pse i ka besuar në premtime dhe ia ka dhënë votën. “Realisht, nuk e di çka të them, unë vetë ia kam dhënë votën këtij kryetari, por e ka të sigurt që prej meje më nuk e ka votën. Këtë po e them shumë troç dhe shumë thjesht. Kemi menduar se do të bëjë diçka të mirë për Prishtinën, edhe për neve banorët e kësaj lagje, por ja që nuk po na del ashtu sikur që na ka premtuar dhe sikur që është dashur të veprojë”, tha Bujar Bunjaku për gazetën “Kosova Sot”.

Image
Mustafë Rexhepi

Premtime të kota

Po aq kritik dhe denoncues i ashpër për të gjitha dështimet dhe mashtrimet e Shpend Ahmetit është edhe qytetari tjetër, Mustafë Rexhepi. Sipas qytetarit Rexhepi, nuk është vetëm kolektori në “Kalabri”, por i gjithë menaxhimi i Prishtinës nga Shpend Ahmeti dhe vartësitë e tij është një tregim për dështim. “Tanimë këto projektet dhe premtimet e tij po shihen se nuk janë realizuar. Krejt janë duke dështuar me radhë, një nga një, dhe ka pasur vetëm premtime të kota. Prejse ka ardhur në pushtet nuk ka asnjë realizim të ndonjë projekti të prekshëm që lehtëson jetën e qytetarëve dhe përmirëson kushtet e jetesës së tyre. Veç llafe të kota. Të gjitha këto dështime dhe mosrealizime të projekteve, po e dëmtojnë shumë dhe pamundësojnë jetën e qytetarit, por edhe interesin.

Qytetarët nuk dinë se si të veprojnë e si ta gjejnë zgjidhjen. Rasti i këtij kolektorit është bërë si historia e “Urës së Shenjtë” dhe nuk e besoj as që do të kryhet kështu si po shkon gjatë këtij mandat. Me probleme kaq serioze nuk është vetëm kolektori në lagjen “Kalabria”, por e kemi edhe atë ujin e pijshëm që rrjedh vazhdimisht atje në Zonën Industriale, në afërsi të kampit të Karabinierëve, ku uji vazhdon të rrjedhë tash e dy vjet dhe po e dëmton edhe rrugën e asfaltuar dhe as atje, sa kemi parë ne, nuk shkon kush për të intervenuar dhe për të gjetur zgjidhjen e atij problem.

Kush e lejon dhe çfarë logjike ka që uji i pijshëm të shkojë e të derdhet në kanalizim ose kur rritet niveli shpesh edhe e vërshon dhe dëmton rrugën. Me të vërtetë kjo nuk do koment, as në njërin dhe as në rastin tjetër, por këtu nuk ke se kujt t’i ankohesh, sepse askush nuk merret me askënd, askush nuk merr asnjë send që është në interesin publik dhe të qytetarit”, theksoi Mustafë Rexhepi për gazetën “Kosova Sot”. Sikur që dihet, Qeveria komunale e Prishtinës, e kryetarit Shpend Ahmeti, e ka nisur Projektin e Kolektorit që në vitin 2016, me qëllim të largimit të ujit atmosferik dhe kanalizimit fekal në rrugën mbi lumin Mat në lagjen “Kalabria”, dhe asokohe ishte premtuar se do të kryhen për 6 muaj, respektivisht për rreth 180 ditë pune, mirëpo sikur që shihet nga reportazhi i realizuar nga gazeta ditën e diel, 24 mars, aty akoma qëndron e hapur gropa e madhe dhe një pllakë betoni me gjatësi prej disa qindra metra. Në fillim të punimeve të këtij projekti është përmendur vlera prej 696,063.32 euro, kurse gjatësia e rrugës mbi lumë është paraparë të jetë 1240 metra. Nënshkrimi i kontratës ka qenë bërë më 29 dhjetor të vitit 2016, por punimet kanë filluar me tre muaj vonesë, më 31 mars të vitit 2017, që do të thotë se kanë kaluar më shumë se dy vjet nga nënshkrimi i kontratës dhe nga fillimi i punimeve në këtë objekt.

Rexhepi: Rasti i kolektorit është bërë si historia e “Urës së Shenjtë”

Qytetarët nuk dinë se si të veprojnë e si ta gjejnë zgjidhjen. Rasti i këtij kolektorit është bërë si historia e “Urës së Shenjtë” dhe nuk e besoj as që do të kryhet kështu si po shkon gjatë këtij mandat. Me problem kaq serioze nuk është vetëm kolektori në ‘Kalabri’, por e kemi edhe atë ujin e pijshëm që rrjedh vazhdimisht atje në Zonën Industriale, në afërsi të kampit të Karabinierëve, ku uji vazhdon të rrjedhë tash e dy vjet dhe po e dëmton edhe rrugën e asfaltuar dhe as atje, sa kemi parë ne, nuk shkon kush për të intervenuar dhe për të gjetur zgjidhjen e atij problem. Kush e lejon dhe çfarë logjike ka që uji i pijshëm të shkojë e të derdhet në kanalizim ose kur rritet niveli shpesh edhe e vërshon dhe dëmton rrugën. Me të vërtetë kjo nuk do koment, as në njërin dhe as në rastin tjetër, por këtu nuk ke se kujt t’i ankohesh, sepse askush nuk merret me askënd, askush nuk merr asnjë send që është në interesin publik dhe të qytetarit”, theksoi Mustafë Rexhepi për gazetën “Kosova Sot”.

Bunjaku: Më nuk i jap votë Shpend Ahmetit

Zhgënjimin më të madh Bunjaku e ka në kryetarin Ahmeti pse i ka besuar në premtime dhe ia ka dhënë votën. “Realisht, nuk e di çka të them, unë vetë ia kam dhënë votën këtij kryetari, por e ka të sigurt që prej meje më nuk e ka votën. Këtë po e them shumë troç dhe shumë thjesht. Kemi menduar se do të bëjë diçka të mirë për Prishtinën, edhe për neve banorët e kësaj lagje, por ja që nuk po na del ashti sikur që na ka premtuar dhe sikur që është dashur të veprojë”, tha Bujar Bunjaku për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)