Alarmi për veriun, vjen akuza e rëndë për Hashim Thaçin

  • 25 March 2019 - 11:43
Alarmi për veriun, vjen akuza e rëndë për Hashim Thaçin

Blerim Shala, këshilltar i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një intervistë të tij ka paralajmëruar së në rast se Kosova ndërhyn në veri të vendi, atëherë nuk do të këtë marrëveshje me Serbinë. E lidhur me këtë deklaratë të Blerim Shalës, analistët politikë thonë ajo është një skenar parapërgatitjeje që veriu i Kosovës t’i jepet Serbisë. Ata thonë së frika nga Gjykata Speciale e Hashim Thaçit, ka bërë që ai të insistojë në çdo mënyrë që veri i Kosovës t’i falet Serbisë.

Sipas analistit politik, Gani Qarri deklarata e Shalës është dëshmi se Thaçi & CO, janë në koordinim të ngushtë me banditët në veri të vendit.

“Qysh në mesin e shkurtit të vitit të kaluar, gjatë vizitës së tij në Kosovë, shefi i atëhershëm i diplomacisë gjermane Sigmar Gabriel, pati deklaruar se në veri të Kosovës ekziston kriminalitet masiv dhe në krye të tij, janë njerëzit e krimit të cilët nuk hezitojnë as të vrasin. Madje Sigmar Gabriel, shtoi se këtë gjendje, nuk duhet ta tolerojë as bashkësia ndërkombëtare. Ndaj deklarata e Blerim Shales, këshilltarit te Hashim Thaçit se nëse Kosova ndërhyn ne veri atëherë nuk do te ketë marrëveshje me Serbinë, jo vetëm se është e habitshme dhe tejet skandaloze, por dëshmon se ai, Thaçi & CO, janë në koordinim të ngushtë me banditët e atjeshme për ta mbajtur gjendjen në kaos dhe ruajtur status-quon kriminale, me çdo çmim në këtë pjesë të vendit”, thotë Qarri për “Kosova Sot”.

Më tej, Qarri hedhë akuza të rënda ndaj presidentit, Hashim Thaçi, për të cilin thotë se ka lidhur kontratë me kriminelët e veriut.

Image
Gani Qarri

“Përderisa ministri i jashtëm gjerman qysh vjet deklaronte se kriminaliteti masiv i organizuar në veri nuk duhet të lejohet as nga Bashkësia ndërkombëtare, siç duket Hashim Thaçi me këshilltarët e tij si Blerim Shala, jo vetëm se e tolerojnë dhe janë dakorduar plotësisht me të, por edhe kanë lidhur kontratë me kriminelët e veriut, duke dërguar edhe firma shqiptare për ndërtimin e banesave masive në luginat e (diellit) Zubin Potokut dhe përfunduar fazën e parë, nëse jo edhe të dytë të kolonizimit të Kosovës veriore me kriminel serb nga Knini, Benkovaci dhe vendbanime tjera kroate. Këtë fatkeqësi, dështim të shtetit dhe tradhti kombëtare e dëshmoi edhe RTK me pamjet e drejtpërdrejta të gazetarit që raportonte mbrëmë nga vendi i ngjarjes në veri të Kosovës”.

Për fund, Qarri thotë se Thaçi përmes pionëve të tij, dëshiron të tregojë se gjendje ta destabilizojë gjithë Kosovën.

“Ndaj në vend se të paktën nga këshilltarët me përvojë si Blerim Shala të bëhet thirrje për sanimin e gjendjes kaotike atje, përpjekjet për jetësimin e këtij krimi kombëtar që Thaçi me shokë po i bëjnë Kosovës, po tregon drejtpërsëdrejti përmes pionëve te tij, se ai është në gjendje ta destabilizojë gjithë Kosovën, ne rast se ushtrohet ndikimi i shtetit ne veri te vendit. Përndryshe dëshmia e kolonizimit të veriut të Kosovës me kriminel serb nga Bosnja dhe Kroacia, që mbrëmë u dëshmua edhe në ekranet televizive se ka përfunduar fazat fillestare, po vërteton katërçipërisht, se Thaçi ka vendosur që me çdo kusht, t`ia dorëzojë veriun Serbisë, për amnistimin e tij nga Gjykata Speciale”, ka përfunduar për gazetën “Kosova Sot”, analisti politik, Gani Qarri.

(Kosova Sot)