Rumania do ta vendosë ambasadën e vet në Jerusalem

  • 25 March 2019 - 11:46
Rumania do ta vendosë ambasadën e vet në Jerusalem

Kryeministrja e Rumanisë, Viorica Dancila, ka njoftuar se Bukureshti do ta vendosë ambasadën rumune në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem.

Këtë njoftim Dancila e dha në Uashington gjatë konferencës vjetore të Komitetit Amerikano-izraelit për Çështje Publike.

“Unë, si kryeministre e Rumanisë, dhe qeveria që unë e udhëheq, do ta vendosim ambasadën tonë në Jerusalem, kryeqytetin e shtetit të Izraelit”, tha Dancila.

“Mund të ju premtoj: Rumania do të mbetet mike besnike dhe zëri më i fuqishëm evropian në mbështetje të popullit hebre dhe shtetit të Izraelit”, tha ajo.

Aeb Erekat, zyrtar i lartë i Organizatës Palestineze për Çlirim, e kritikoi Rumaninë për këtë vendim, duke e quajtur atë shkelje të qartë të të drejtave të palestinezëve, ligjeve ndërkombëtare dhe rezolutave të Kombeve të Bashkuara.

Erekat tha se vendime të tilla kontribuojnë në eliminimin e zgjidhjes me dy shtete, e cila është rruga e vetme drejt paqes dhe stabilitetit në tërë rajonin.

Zgjidhja me dy shtete mbështetet në planin e Kombeve të Bashkuara të vitit 1974 për ta zgjidhur konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës përmes krijimit të shtetit të pavarur palestinez, shkruan “Free Europe”

(Kosova Sot)