Smaka: Këshilli Prokurorial gjendjen e keqe nuk e trajton seriozisht

  • 25 March 2019 - 16:14
Smaka: Këshilli Prokurorial gjendjen e keqe nuk e trajton seriozisht

Profesori i së drejtës, Riza Smaka thotë për gazetën “Kosova Sot” se me dispozitat e neneve 109 dhe 110 të Kushtetutës së RK-së është definuar pozita , funksioni dhe roli i Prokurorit të Shtetit dhe i Këshillit Prokurorial, ndërsa me akt ligjor përkatës është përcaktuar më afër organizimi, funksionimi, roli e funksionimi i tyre, i cili esencialisht konsiston në persekutimin e akteve të inkriminuara që mund të ndodhin në shoqërinë politike të vendit tonë.

“Para se prokuroria përkatëse të ketë nisur procesin penal as gjykata përkatëse nuk do të mund të procedonte çështje penale, dot. Pra, në etapën fillestare deri në përfundimin e një procedure penale, prokuroria përkatëse - Themelore, e Apelit apo e Shtetit kurdoherë duhet të jetë një nga palët bazike në procedurë, madje kurdoherë mobile dhe aktive si dhe vigjilente për mbarëvajtjen e hetimeve, të ndërmarrjeve të veprimeve procedurore për gjykime të drejta ekspeditive, eficiente dhe për aplikimin e mjeteve juridike të zakonshme e të jashtëzakonshme atëherë kur do të vlerësohej në të mirë të aplikimit të ligjit në fuqi në raste juridike penale konkrete.

Sipas Smakës, për t’u vepruar në atë mënyrë paraprakisht kërkohet që prokuroritë të jenë të organizuara mirë dhe të jenë të devotshme për aplikimin e ligjit në fuqi në të gjitha rastet juridike – penale, pavarësisht nga origjina apo statusi socio - politik e ekonomik i të pandehurit – pandehurës. “Pra, denoncimet dhe aktakuzat penale të persekutuara ex officio do të duhej të viheshin në proces të pandalur deri në përfundim, si dhe në përmbarim proceduror.

Aktualisht , mjerisht, edhe sipas të dhënave të Këshillit të BE-së për Progresin në Kosovë, në vendin tonë, pikërisht për shkak të funksionimit inefikas dhe ineficient të prokurorive, në përgjithësi, është krijuar një numër i madh i rasteve juridike - penale të parashkruara ( sic) , duke e përfshirë edhe një numër të konsideruar të rasteve juridike - penale të zhdukura ( sic) e të mos flitet për një numër enorm të rasteve juridike - penale të papërfunduara gjithnjë.

Në atë mënyrë, ndër dukuritë negative të tjera pashmangshëm favorizohet krimi i organizuar, madje edhe i paorganizuar i tipit ad hoc”, është shprehur Smaka. Ai thotë se është për t’u çuditur pse Këshilli Prokurorial, por edhe pse jo as ekzekutivi, as legjislativi gjendjen e atillë nuk e trajtojnë seriozisht. 

(Kosova Sot)