Për 'duartrokitje': Më në fund Kosova do ta ketë Ligjin për Qeverinë

  • 25 mars 2019 - 20:36
Për 'duartrokitje': Më në fund Kosova do ta ketë Ligjin për Qeverinë

Ligji i cili përcakton kufizimet e ministrive, pritet që në maj të kalojë në Qeveri. Kështu ka bërë të ditur kryetari i Komisionit për Hartimin e Projektligjit për Qeverinë, Besnik Tahiri. Mirëpo njohësit e rrethanave politike thonë se një ligj i tillë mund të hyjë në fuqi vetëm pas përfundimit të mandatit të qeverisë aktuale.

Kosova pritet që shumë shpejt ta ketë edhe Ligjin për Qeverinë. Sipas kryesuesit të Komisionit për hartimin e këtij projektligji, Besnik Tahiri, ky ligj pritet të miratohet në Qeveri deri në fund të muajit maj.

“Ligji pritet të kaloj shpejt. Brenda dy apo tri javësh do të përmbyllet në konsultimin e brendshëm, do të vendoset në konsultim publik dhe pastaj do të kalojë në Qeveri. Kjo po shpresoj se do të ndodh deri në fund të majit”, tha Besnik Tahiri.

Megjithatë, ai nuk dha ndonjë shifër se sa do të mund të ishte numri i ministrive pas miratimit të këtij ligji. Veçse  thotë se do të ketë numër më të vogël  të ministrive, e  sidomos të zëvndësministrave.

“Ligji për Qeverinë është në fazën përfundimtare. Nesër në orën 10 e kemi takimin e grupit punues ku do të diskutojmë draftin, elementet kyçe të këtij ligji. Ajo që mund të konfirmojë është se Ligji për qeverinë do të sanksionoj numrin e ministrive, pra do të zvogëlojë numrin e ministrave dhe zëvendësministrave dhe në të njëjtën kohë do të përcaktojë shumë saktë detyrat dhe përgjegjësitë e ministrive dhe vetë kryeministrisë”, tha Tahiri.

Njohësi i zhvillimeve politike, Armend Muja, thotë se vendit i nevojiten jo më shumë se  12 ministri. Muja shprehet se një ligj i tillë mund të bëhet, mirëpo vetëm pas përfundimit të mandatit të qeverisë aktuale.

“Kjo mund të bëhet si ligj, mirëpo hyrja në fuqi e këtij ligji mund të bëhet vetëm në zgjedhjet pasuese”, tha Armend Muja.

Qeveria aktuale, e udhëhequr nga Kryeministri Ramush Haradinaj, ka 21 ministri dhe mbi 70 zëvendësministra.

(Kosova Sot)