Ambasadori i OSBE-së ia thotë në sy Thaçit: Askush nuk guxon që...

  • 27 March 2019 - 11:49
Ambasadori i OSBE-së ia thotë në sy Thaçit: Askush nuk guxon që...

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se Kosova si një shtet i ri duhet të jetë i pakompromis në luftën kundër korrupsionit.

Megjithatë, ai thotë se edhe për shtetet më të forta se Kosova, korrupsioni është një kërcënim serioz.

Këto deklarata ai i ka bërë në një konferencë për luftimin e korrupsionit në nivel të lartë të organizuar nga Misioni i OSBE-së.

Presidenti Thaçi tha se Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në fushën e legjislacionit, siç është kodi penal që pritet të hyjë në fuqi brenda këtij viti dhe të tjera për këtë fushë.

Kurse, ambasadori Jan Braathu, shef i Misionit të OSBE-së tha se po bëjnë përpjekje për luftimin e korrupsionit në Kosovë.

Ai ka kërkuar nga institucionet e Kosovës për një qasje serioze dhe sistematike në luftën praktike kundër korrupsionit ashtu siç theksohet në dokumentet strategjike dhe ligjet të Kosovës. 

“Akterët e korruptuar të përfshirë në rate të korrupsionit të madh nuk duhet të lejohen që t’i shpëtojnë ndëshkimit. Nuk duhet dhe nuk guxon të ketë mos ndëshkim për këtë korrupsion dhe qëllim i jonë i përbashkët s’është gjë tjetër pos shtimi i rezistencës ndaj korrupsionit të nivelit të lartë dhe të madh që janë shumë dëmtuese për ekonominë, shoqërinë dhe institucionet shtetërore”, theksoi Braathu.

“Më 2018, në gjykata kanë qenë 774 raste të ndërlidhura me korrupsionin. OSBE-ja ka monitoruar 328 raste gjyqësore, që prej 2016 deri tani. Sipas vëzhgimit tonë, bazuar në rastet ku janë përfshirë persona të akuzuar për abuzim të pozitës zyrtare ka rënë nga 168 raste më 2016, në 122 raste më 2018. Por, kjo rënie, fatkeqësisht nuk do të thotë se është arritur sukses në përpjekjet për të luftuar korrupsionin, por mund të lërë të kuptohet se ka pasur përpjekje të pamjaftueshme nga institucionet e rëndësishme për të ndjekur raste të tilla”, tha Braathu.

(Kosova Sot)