Zeqa: I gjithëpushtetshmi Thaçi e ka marrë peng Kosovën

  • 27 March 2019 - 15:28
Zeqa: I gjithëpushtetshmi Thaçi e ka marrë peng Kosovën

Analisti Florim Zeqa u shpreh për “Kosova Sot” se Kosova tashmë ndodhet në dekadën e dytë të qeverisjes nga antivlerat, nga politikanët e papërgjegjshëm dhe injorantë si dhe bashkëpunëtorët e djeshëm dhe mercenarët e sotshëm të Serbisë, të vendosur në hallkat kryesore të shtetit, si në sistemin e drejtësisë, në politikën e brendshme dhe në politikën e jashtme dhe jo vetëm, të tillë janë të emëruar nëpër gazeta dhe mediume televizive.

“Me një fjalë, sot pushtetarët i kanë nën kontroll të plotë të gjitha institucionet shtetërore, qeveritare, politike, diplomatike, shkencore, informative, kulturore në Kosovë dhe diasporë. Megjithatë, një është mbi gjithë të tjerët, ky është Hashim Thaçi, i gjithëpushtetshëm dhe sundimtar i pangopur, i cili asnjëherë nuk është mjaftuar vetëm me kompetencat që ia jep pozita e caktuar sipas ligjit, por ai gjithnjë ka vepruar përtej ligjit e Kushtetutës”, u shpreh ai. “Për dy dekada rresht Hashim Thaçi ishte jo vetëm kryetar partie, kryeministër, kryediplomat e president, por njëkohshëm me këto pozita, ka ushtruar ndikimin e vet të plotë ndaj të gjitha institucioneve të "pavarura" në vendin tonë.

Ndaj ndikimit dhe interferimit të Hashim Thaçit në institucionet e pavarura kanë reaguar disa herë edhe miqtë ndërkombëtarë, siç ishte rasti i fundit i Ambasadës amerikane ndaj bllokimit të KQZ-së nga ana e presidentit”, vlerëson Zeqa. “Edhe përkundër tejkalimit të kompetencave ligjore dhe mandatit kushtetues nga ana e presidentit, deputetët e Kuvendit akoma po hezitojnë në iniciativën për shkarkimin e presidentit. Realisht në iniciativën për shkarkimin e Hashim Thaçit, të parët do duhej të ishin deputetët e LDK-së, jo pse janë subjekt opozitarë, por për shkak se është subjekti i tyre ai që ia mundësoi vazhdimin e qeverisjes PDK-së dhe zgjedhjen e Thaçit president në kundërshtim me vullnetin e shumicës së subjekteve të atëhershme politike, gjegjësisht kundër vullnetit të qytetarëve.

Borxhi që kanë deputetët e LDK-së ndaj qytetarëve të vendit është i madh. Andaj, çdo vonesë dhe hezitim nga ana e deputetëve për shkarkimin e Thaçit në Kuvend, lë të nënkuptohet për anashkalim dhe pajtim me të keqën e madhe për vendin”, ka potencuar ai për “Kosova Sot”. Sipas Zeqës, të gjithë ata deputetë të Kuvendit të Kosovës (pavarësisht subjekteve që përfaqësojnë) që thirren në emër të popullit, nuk duhet lejuar presidentin aktual që edhe më tutje të dëmtojë edhe më shumë imazhin dhe shtetësinë e Republikës së Kosovës.

(Kosova Sot)