Akuza e rëndë për Thaçin: Njeriu më i rrezikshëm në Kosovë, ndjek modelin e Putinit

  • 28 March 2019 - 15:13
Akuza e rëndë për Thaçin: Njeriu më i rrezikshëm në Kosovë, ndjek modelin e Putinit

Analisti politik, Ramiz Bojaj, për gazetën “Kosova Sot” është shprehur se pa angazhimin e SHBA-së Kosova lehtë mund të rrëshqasë nën kthetrat e diktaturës putiniste.

Sipas tij, bllokimi i KQZ-së nga presidenti Hashim Thaçi kishte për qëllim paralizimin e zhvillimit e të demokracisë në shtetin e Kosovës.

"Sens i diktatorëve më famëkeq në gjithë botën. Bllokimi i KQZ-së është trishtues dhe vrasës për shtyllën kryesore të demokracisë në një vend siç janë: bllokim i shprehjes së lirë qytetare, bllokim për mundësinë e dhënies së verdiktit të vullnetit të lirë mbi sistemin qeverisës... bllokim i përgjithshëm i lirisë dhe i shtetit. Përpjekje e tilla janë lojëra djallëzore për të manipuluar me vullnetin politik të masave, thjesht për të ruajtur kalbëzimin e KQZ-së për të mbushur, më vonë 'strajcën' me votime të rrejshme e të manipuluara nga bandat politike e parapolitike të këtij regjimi gjakpirës e hajdutësh. Sensi bllokues për KQZnë është sinjal i kapjes dhe kontrollit i të gjitha segmenteve të shtetit, siç janë drejtësia, siguria, ekonomia, diplomacia, administrata...", theksoi ai.

Image
Ramiz Bojaj

Sipas tij, këta janë varrmihësit e vrasësit më të paskrupullt të demokracisë dhe të Kosovës.

"Kjo tregon se pushteti i Kosovës aktivitetin më të madh e zhvillon në nëntokën kriminale, përderisa pushteti mbahet e mbrohet për të fshehur e mbuluar aktivitetet kriminale klandestine e biznesore të bandave oligarkomafioze. Këto banda që e sollën shtetin e Kosovës në paralizë, këta që bllokuan ecjen përpara të Republikës sonë, forcimin e zhvillimin e shtetit, këta që pezulluan konfirmimin ndërkombëtar-njohjet, këta që kontestojnë kufijtë e vet e integritetin territorial e shtetëror, këta janë varrmihësit e vrasësit më të paskrupullt të demokracisë dhe të Kosovës", vijoi më tej Bojaj.

Ai thotë se angazhimi i SHBA-së mbetet e vetmja shpresë për qytetarët e Kosovës, si në ruajtjen e shtetësisë, tërësisë territoriale e sovranitetit, e po ashtu edhe në ruajtjen dhe zhvillimin e demokracisë.

“Pas reagimit të ambasadorit të SHBA-së, Kosnet, rreth zhbllokimit të KQZ-së e më vonë reflektimi i presidentit Thaçi lidhur me këtë dëshmon se Kosova udhëhiqet nga qyqarët, të paditurit, injorantët..., të cilët duan vetëm zor për të ecur mbarë. Angazhimi amerikan ishte i domosdoshëm, ngase diktati dhe bllokimi i KQZ-së është figura e fundit e vrasjes së demokracisë. Angazhimi këmbëngulës për lëvizjen e kufijve (copëtimin e Kosovës) nga presidenti jolegjitim e i shantazhuar i shtetit tonë, Hashim Thaçi, nga ai serb Aleksandër Vuçiq (trashëguesi më real si mbetje e Milosheviqit), nga Edi Rama, menaxhuesi i drogës së Shqipërisë, po e kthejnë Ballkanin nën kthetrat e modelit rus të Vladimir Putinit. Diktati mbi policinë, drejtësinë, ekonominë, sigurinë, KQZ-në .... e bëjnë kreun e shtetit tonë njeriun më të rrezikshëm në Kosovë, mundësinë e rilindjes së një diktatori famëkeq në vendin tonë, i cili jo vetëm që kërcënon demokracinë, por edhe paqen dhe stabilitetin në rajon. Lëkundja e kufijve është sensi më i rrezikshëm në këtë kontekst, ide 'copy paste' e liderit rus Vladimir Putinit" , ka vlerësuar analisti Bojaj për "Kosova Sot".

Ai shton se populli i Kosovës, së bashku me miqtë ndërkombëtarë, duhet ta ndalin konceptin e ndryshimit të kufijve, sensin e vrasjes së demokracisë dhe paqes këtu.

(Kosova Sot)