Masakrat dhe 20 miliardë dëme të luftës u harruan nga pushtetarët

  • 29 March 2019 - 07:31
Masakrat dhe 20 miliardë dëme të luftës u harruan nga pushtetarët

Zeqa: Presidenti Thaçi e mban përgjegjësinë kryesore për degradimin e pavarësisë, rrezikimin e sovranitetit të shtetit dhe injorimin e krimeve të luftës

“Kjo kastë politikëbërësish kriminelë, të shitur te Serbia dhe shërbimet e huaja armike, sot na ka sjellë në një pikë, ku shqetësimi kryesor është ruajtja e territorit, ndërsa sa u takon dëmeve të luftës askush më nuk merret me atë temë.

Pasojat e rënda të udhëheqjes së këtij procesi dialogimi u shkaktuan dhe erdhën si bumerang i kryesimit të bisedimeve nga një individ tepër i rrezikshëm për stabilitetin dhe tërësinë territoriale të vendit, presidenti kuisling i Kosovës, i cili mban përgjegjësinë kryesore për injorimin e krimeve të luftës, i cili ende insiston që, përveç faljes së Veriut të Kosovës, Serbisë t’i falen edhe gjenocidi mbi shqiptarët dhe krimet e luftës në Kosovë.

Ndaj, për aq më tepër, habit fakti se si asnjëherë dhe asnjë nga pushtetarët edhe të partive të tjera nuk është në gjendje të kërkojnë nga Aleksandar Vuçiqi kompensimin për dëmet dhe drejtësi për viktimat, të cilët nuk lejuan kurrë që Kosova të shfrytëzojë as mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë, përmes të cilëve ka mundur të vihet në vend drejtësia për dhjetëra- mijëra të përdhunuara, mijëra persona të vrarë e të kidnapuar dhe qindra e mijëra familje të dëmtuara kosovare”, thotë analisti Gani Qarri për gazetën “Kosova Sot”

Në Kosova po përkujtohen viktimat e masakrave që i bëri regjimi i Milosheviqit, ndërsa drejtësia ka dështuar që të shpaguajë familjarët e tyre, ka dështuar të trajtojë krimet e luftës si dhe ka refuzuar të trajtojë dëmet e luftës. Për asnjë masakër nuk ka të ndëshkuar nga ligji dhe për çfarë dialogu mund të flasim tash, kur drejtësia ka dështuar.

Ndërkohë, asnjë pushtetar nuk e thotë një fjalë të vetme për krimet dhe dëmet e luftës, që nuk janë kompensuar nga autoritetet serbe, edhe pse Serbia ushtroi gjenocid në Kosovë, bëri krime monstruoze. Pikërisht kjo klasë politike e inkriminuar ia mundësoi që kriminelët dhe urdhërdhënësit e këtij regjimit të mos ballafaqohen asnjëherë me forcën e ligjit,pasi ishin të zënë duke vjedhur popullin e vet për 20 vjet rresht.

Analistët pyesin se si i kanë shpenzuar institucionet e Republikës së Kosovës dhjetëra miliona kot, poshtë e lart, në Bruksel e qendra të tjera, në emër të “gjoja” dialogimit me Serbinë, por as që janë munduar, qoftë edhe një herë të vetme, ta shtrojnë në tryezën e dialogut çështjen e krimeve të luftës dhe dëmeve miliardëshe. Sipas tyre, këto janë pasojat e rënda të udhëheqjes së këtij procesi dialogimi nga një individ tepër i rrezikshëm për stabilitetin e vendit, pasi presidenti mban përgjegjësinë kryesore për injorimin e krimeve të luftës.

Image
Reshat Badallaj

Badallaj: Sistem mafioz

“S´do mend dhe pa më të voglin dyshim, se sistemi i drejtësisë është tërësisht i kalbur dhe nuk është në anën e popullit për këtë arsye; Ky sistem është i instaluar tërësisht nga Beogradi,por me direktiva të kësaj bande mafioze të mafio-oligarkëve.

Mafio-oligarkët e nëntokës kriminale, fjalën e kam për kryebanditët dhe banditët e institucioneve, i kanë zgjedhur për kokë dhe i kanë ulur aty që të vjedhin shtetin deri në palcë dhe askush të mos i burgos këta hajna të peshave të rënda. Këta e vodhën popullin që nga pas lufta e deri sot, këta e vodhën vendin dhe buxhetin e saj. Nuk pritet asgjë nga kjo kope mafio-oligarkësh që do të kërkojë nga Serbia fashiste. Këta janë të verbuar nga pushteti”, ka thënë analisti Reshat Badallaj- Zhuriani për “Kosova Sot”.

Image
Ragip Guraziu

Drejtësia e mohuar për viktimat

Analisti Ragip Guraziu u shpreh se, duke përkujtuar Kosova 20 vjet dhe duke vajtuar ende regjimin e Milosheviqit, po dështon në të gjitha sferat.“Dhe, 20 vjet që po e dëshmojmë edhe vetë se Milosheviqi, edhe i vdekur në varr, ua ka futur frikën në palcë pushtetarëve tanë, saqë i kanë maltretuar për 20 vjet familjet e dëshmorëve, duke vajtuar te varret dhe odave, ndryshe asgjë, e bash asgjë, nuk kanë bërë as për dëshmorët e UÇK-së, invalidët e luftës, familjeve të dëshmorëve dhe martirëve të luftës dhe deri tani e kanë degraduar shtetin e Kosovës dhe kjo s'do koment”, u shpreh ai.

“Tani po përkujton Kosova 20 vjet pas viktimat e regjimit të Milosheviqit, ndërsa drejtësia ka dështuar që të shpaguajë familjarët e tyre, ka dështuar të trajtojë krimet e luftës, si dhe ka refuzuar të trajtojë dëmet e luftës, të bëra nga regjimi kriminal i Milosheviqit dhe Vuçiqit dhe si është e mundur që për asnjë masakër nuk ka të ndëshkuar nga ligji dhe për çfarë dialogu mund të flasim? Asnjëri pushtetar nuk e thotë një fjalë të vetme për krimet dhe dëmet e luftës, që nuk janë kompensuar nga autoritetet serbe”, potencoi Guraziu.

“Pse, edhe pse Serbia ushtroi gjenocid në Kosovë, bëri krime monstruoze, pikërisht kjo klasë politike e inkriminuar ia mundësoi që kriminelët dhe urdhërdhënësit e këtij regjimit të mos ballafaqohen asnjëherë me forcën e ligjit, pasi ishin të zënë duke vjedhur popullin e vet për 20 vjet rresht. Kanë shpenzuar institucionet e Republikës së Kosovës dhjetëra miliona kot, poshtë e lart, në Bruksel e qendra të tjera, në emër të kinse dialogimit me Serbinë, por as që janë munduar, qoftë edhe një herë të vetme, ta shtrojnë në tryezën e dialogut çështjen e krimeve të luftës dhe dëmeve miliardëshe”, ka thënë më tej ai.

“Kjo është e pafalshme, sepse ja ku jemi sot, në një pikë, ku shqetësimi kryesor është ruajtja e territorit sesa për dëmet, askush nuk merret me atë temë”, theksoi Guraziu. Sipas tij, këto janë pasojat e rënda të udhëheqjes së këtij procesi dialogimi nga një individ tepër i rrezikshëm për stabilitetin e vendit,pasi presidenti mban përgjegjësinë kryesore për injorimin e krimeve të luftës dhe asnjëherë asnjë pushtetar nuk është në gjendje t`ia kërkojnë Aleksandar Vuçiqit kompensimin për dëmet dhe drejtësi për viktimat.

Image
Muhamet Kelmendi

Kelmendi: Kosova dështoi të shfrytëzojë mekanizmat ndërkombëtarë

Çështja e përgjegjësisë së Serbisë kundruall Kosovës, qoftë për vrasje e masakra, qoftë për dëbim të shqiptareve jashtë atdheut, qoftë për dëme materiale të shkaktuara, qoftë për dëm moral, ka mbetur një çështje e pazgjidhur dhe askush nuk është përgjigjur.

Kanë kaluar mbi 20 vjet nga dhuna e tillë gjenocidiale dhe ende nuk kemi një aktakuzë, përkatësisht padi penale apo civile kundër Serbisë në institucionet ndërkombëtare të drejtësisë. Kosova, për fat të keq, asnjë qeveri e deri më tash, as UNMIK-u, as EULEX-i nuk kanë bërë analizën e dhunës së tillë dhe të dëmeve të shkaktuara. Tash po merret Kosova me një dëm jashtëzakonisht të rëndë e që janë përdhunimet e femrave shqiptare nga kriminelët serbë. Thuhet se janë 20 mije femra, por prova konkrete nuk ka arritur asnjë qeveri, as kjo e tashme të nxjerrë.

Brenda vendit gjykatat kanë refuzuar të gjitha paditë e paraqitura nga qytetarët, Prokuroria Speciale e Kosovës ka dështuar në hetimet e rasteve të dhunës të të gjitha fushave dhe nuk ka ngritur asnjë padi për asnjë kriminel serb apo të tjerë në Kosovë. Çdo padi e paraqitur për dëm material dhe moral është refuzuar nga gjykatat. Në planin e tashëm për bisedimet me palën serbe flitet për 22 miliardë dëme të krijuara nga Serbia në Kosovë, por nuk llogariten dëmet morale, vuajtjet shpirtërore, të të rënëve e të zhdukurve etj. Në anën tjetër, qeveritë e deritashme dhe njerëzit që kanë punuar në to janë pasuruar, kanë krijuar mjete të mëdha materiale dhe financiare. Bëjnë një jetë përrallore. Kanë makina të shtrenjta dhe shtëpi milionëshe.

Kalojnë nga një shtet në shtetin tjetër. Për këta ka mjetë financiarë. Por, Kosova nuk ka mjete financiare dhe as vullnet për të bërë analizën adekuate të dhunës, të krimit dhe të gjenocidit serbomadh në Kosovë. Asnjë padi organet kompetente nuk e kanë ngritur me asnjë gjykatë ndërkombëtare. Dihet se në Gjykatën e Strasburgut kemi pasur mundësi të dalim atje me padi në emër të Shqipërisë, sepse Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Evropës, rrjedhimisht nuk mund të bëjë padi në gjykata evropiane pa u bërë anëtare e këtij institucioni. Por, pavarësisht kësaj mënyrat dhe format ekzistojnë”, u shpreh analisti Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”.

Image
Adem Salihaj

Salihaj: Pushteti harroi krimet, u vërsul pas uzurpimeve

Ish-deputeti Adem Salihaj u shpreh se Kosova, si edhe në të gjitha luftërat e mëparshme, edhe këtë herë, u masakrua pamëshirshëm nga Serbia.“Mbi 14 mijë të vrarë, nga të cilët pati foshnje, fëmijë, pleq e gra. Mbi 20 mijë gra shqiptare të dhunua nga serbët. Qindra-mijëra shtëpi, objekte biznesi dhe objekte të tjera të djegura e të rrënuara. Dhjetëra- mijëra kafshë të therura, të djegura e të plaçkitura. Gjësende ari dhe sende të tjera të plaçkitura nga policia dhe paramilitarët serbë.

Qindra miliona euro të fondit pensional dhe fondeve të tjera të plaçkitura. Ende edhe mbi 1600 të pagjetur. Bilanci është i tmerrshëm. Dëmi i përafërt material llogaritet në mbi 20 miliardë euro. Të mos flasin për vuajtjet e tmerret e pafund të familjeve që iknin nga mali në mal, nëpër borë e acar, pa veshmbathje e ushqime. Gjithë ato tmerre, duke parë anëtarët e familjes, duke ua masakruar dhe gratë e vajzat, duke ua dhunuar”, ka thënë ai. “Të gjitha këto nuk patën aspak rëndësi për Hashim Thaçin dhe komandantët e tij, të cilët, pas hyrjes së trupave të NATO-s, vrapuan t'i uzurponin institucionet, fabrikat, ndërmarrjet shoqërore, shtëpitë e braktisura dhe të plaçkitnin atë që kishte mbetur pa u plaçkitur. Këta njerëz, që patën ndikim fatal në gjithë periudhën e pasluftës, nuk bënë asgjë për t'i hetuar, zbuluar dhe gjykuar kriminelët serbë për të gjitha ato krime që bënë ndaj shqiptarëve”, potencoi më tej Salihaj.

“Në gjithë këtë periudhë të gjatë të bisedimeve me Serbinë, Thaçi, jo vetëm që nuk e shtroi në tavolinë të bisedimeve asnjë nga këto krime, por, përkundrazi, e qiti Kosovën në pozitë inferiore, sikur të ishim në ata që kemi bërë krime ndaj Serbisë e jo Serbia ndaj Kosovës.

Thaçi, duke u frikësuar për lëkurën e tij, meqë ka bërë krime në të kaluarën dhe, me kalimin e kohës u bë njeri i Serbisë, e vuri Kosovën në pozitën e fajtorit dhe filloi të negociojë me Serbinë për kompensimin e saj, duke ia ofruar një pjesë të madhe të territorit të Kosovës, madje edhe pasurinë më të madhe të Kosovës, ‘Trepçën’, e cila vlerësohet në mbi 500 miliardë euro. Partitë politike në Kosovë nuk po bëjnë diçka serioze për ta ndalur gjithë këtë zhvillim tepër negativ, i cili do të jetë shkatërrues për Kosovën”, ka vlerësuar Adem Salihaj për “Kosova Sot”.

Image
Gani Qarri

Qarri: Asnjëri nga pushtetarët "e luftës" dhe të "paqes" nuk e thotë një fjalë të vetme për krimet dhe dëmet e luftës

Analisti Gani Qarri vlerëson se kaluan 20 vjet të plotë nga krimet e bëra në Prekaz, Reçak, Mejë, Izbicë, Suharekë, Gjakovë e vendbanime të tjera, të mëdha e të vogla të Kosovës, por fatkeqësisht drejtësia nuk është vendosur as përmbushur asnjëherë dhe për asnjërën nga to, deri më tani.

“Për aq më tepër, krimi i organizuar shtetëror i regjimit okupues të Milosheviqit mbi shqiptarët në Kosovë, përkundër barbarisë, gjenocidit dhe shkatërrimeve drakonike në fshatrat dhe qytetet e Kosovës, jo vetëm se nuk është trajtuar kurrë as prej vetë shtetit tonë të kapur nga mafia, por edhe mijëra padi privatë të individëve dhe familjeve kosovare, u hodhën poshtë nga gjykatat e dirigjuara prej politikës së kriminalizuar që tash e 20 vjet ka kidnapuar majat e pushtetit në shtetin tonë të brishtë.

Për pasojë, fatkeqësisht ekziston rreziku real, që pikërisht për shkak të mosndëshkimit të krimeve dhe “faljes” së kriminelëve serbë, nga Thaçi & CO, kriminelët të tentojnë sërish rikthimin, në vendin e krimit, ndërsa gjenocidi dhe krimi i organizuar shtetëror të konsiderohen edhe nga ish- shteti okupues serb, ndërmarrje normale, nxis orekset për ripërtëritjen e tyre dhe të ringjallet sërish bindja në Serbi, për ndërhyrje të reja në vendin tonë”, u shpreh ai.

“Habit fakti se si as tani, 20 vjet pas, asnjëri nga pushtetarët "e luftës" dhe të "paqes", nuk e thotë një fjalë të vetme për krimet dhe dëmet e luftës, të cilat jo vetëm se u hodhën poshtë nga gjykatat vendore, por nuk janë kompensuar asnjëherë as nga autoritetet serbe edhe pse ishte Serbia ajo që ushtroi gjenocid dhe bëri krimet më monstruoze në Kosovë.

Për aq më keq, nuk është vetëm drejtësia që ka dështuar të shpaguajë familjarët, t’i trajtojë krimet e luftës si dhe t’i shqyrtojë dëmet e luftës, të bëra nga regjimi kriminel i Milosheviqit dhe Vuçiqit, por fajtori kryesor është pikërisht kjo klasë politike e inkriminuar dhe tërësisht e dështuar politike, e cila mundësoi që kriminelët dhe urdhërdhënësit e këtij regjimi okupues, të mos ballafaqohen asnjëherë me forcën e ligjit, pasi ishin të zënë duke vjedhur popullin e vet për 20 vjet rresht.

Ndaj, megjithëse Kosova edhe pas 20 vjetësh përkujton viktimat, të rënët dhe të kidnapuarit nga regjimit pushtues i Milosheviqit, përderisa asnjë masakër nuk është trajtuar nga drejtësia dhe nuk ka asnjë të ndëshkuar nga ligji, nuk mund të kuptohet më se për çfarë dialogu, të llojit të Hashim Thaçit mund të flitet ndërmjet Kosovës së mbushur me varre dhe Serbisë agresore, kriminelët e të cilës, jo vetëm se nuk kërkon askush t’i vendosë në bankat e drejtësisë, por kërcënojnë me rimësymje dhe revanshime të reja”, potencoi më tej Qarri.

Sipas tij, kjo i bie që inspektoratet e Republikës së Kosovës kanë shpenzuar miliona euro kot, duke u shëtitur poshtë e lart, në Bruksel e qendra të tjera, në emër të “gjoja” dialogimit me Serbinë, por as që janë munduar qoftë edhe një herë të vetme, ta shtrojnë në tryezën e dialogut çështjen e krimeve të luftës dhe dëmeve miliardëshe të shkaktuara nga Serbia në Kosovë,gjë që është e pafalshme.

Image
Ramiz Bojaj

Bojaj: Kosova udhëhiqet nga klanet e vrazhda mafioze, kriminale e oligarkike

Analisti Ramiz Bojaj, për “Kosova Sot”, theksoi se Republika e Kosovës, tash e njëzet vjet më parë përjetoi golgotën më çnjerëzore nga fashizmi politiko-ushtarak i Serbisë. “Nga ky tmerr mbetën të vrarë mbi 13 mijë civilë, pa dallim, gra, fëmijë e pleq.

Forcat serbe të mobilizuara në formacione paramilitare, paraushtarake, ushtarake e policore, kryen rreth 450 masakra, dhunuan mbi 20 mijë femra (duke përfshirë edhe vajza të mitura). Në këtë fatkeqësi të shkaktuar nga dora e njeriut me mendësi antinjerëzore, mbetën edhe rreth 1.700 persona të zhdukur, shumë shtëpi të djegura, rreth një milion civilë të dëbuar nga shtëpitë e tyre, rrëmbim të civilëve, plaçkitje të pasurisë... Gjenocidi fashist serb la tmerr në gjithë rajonin tonë, por për krimet në Kosovë mbetën të padënuar e të pandëshkuar, si nga drejtësia lokale, ashtu edhe nga ajo ndërkombëtare!

Të gjithë jemi dëshmitarë për varrezat masive të shqiptarëve nëpër gjithë shtetin e Kosovës, por edhe nëpër Serbi, e askush nuk ka bërë as përpjekjen më të vogël për zbardhjen e këtyre krimeve makabre. Është e çuditshme se si qeveritë e pasluftës në Kosovë nuk u morën me zbardhjen e gjenocidit serb, vrasjeve, masakrave, përdhunimeve... por nuk janë formuar asnjë komision shtetëror faktmbledhës për krimet serbe në mënyrë që të paditet Serbia si kreatore e krimeve të veta kundër shqiptarëve”, u shpreh ai.

Sipas tij, këtë nuk e bënë pushtetet e Kosovës, nuk e bënë as institucionet ndërkombëtare, duke synuar amnistinë e Serbisë për gjenocidin kundër shqiptarëve, por edhe amnistimin e bandave shqiptare, të cilat, të etura për pushtet e para, harruan gjithçka, duke u përqendruar vetëm për kapjen e pushtetit, zhvatjen, grabitjen e pasurimin marramendës të klaneve, duke injoruar dhimbjen dhe sakrificën tonë për liri. Bojaj thotë se bandat oligarko-mafioze, në këto njëzet vjetët e çlirimit, vazhduan keqtrajtimin e Kosovës në forma të ndryshme, jo vetëm duke fshehur gjenocidin serb, por edhe duke vjedhur, duke grabitur e duke shkatërruar gjithçka që u dilte përpara.

“Kosova edhe sot po spastrohet etnikisht, tashmë nga bandat e veta të akomoduara në pushtet, të cilat grabitën lirinë qytetare, pasurinë e tyre, uzurpuan ente e institucione, duke vrarë çdo shpresë për një jetë më të mirë. Serbia na vrau e na preu, por na forcoi e bashkoi në luftën tonë për liri e demokraci liberale, përderisa bandat tona pushtetare, jo vetëm që grabitën çdo resor shtetëror, por na vranë edhe shpresën dhe ardhmërinë tonë. Kjo për faktin se në 5 vjetët e fundit, afro 200 mijë kosovarë e lëshuan vendin, shumë të tjerë në ikje e sipër...

Tashmë ky spastrim etnik nuk po vjen nga Slobodan Milosheviqi, as nga pasardhësit e logjikës së tij, Daçiq, Vuçiq... por po vjen nga Milosheviqët tanë të papërgjegjshëm, nga 'sheikët' tanë, të cilët, pasi shkatërruar gjithçka, u bënë milionerë, rehatuan militantizmin primitiv të tyre, e kanë vënë edhe shtetin në pazar, sovranitetin, integritetin territorial, Kushtetutën.... Reagimet e ambasadorëve nga vendet mike: Zvicra, Britania e Madhe, Gjermania, SHBA-ja... për luftimin e krimit e korrupsionit, ndalimin e nepotizmit nëpër korporata të mëdha shtetërore e publike, depolitizimin e sistemit të drejtësisë, policisë, ushtrisë... janë sinjale se Kosova udhëhiqet nga klanet e vrazhda mafioze, kriminale e oligarkike”, ka vlerësuar analisti Ramiz Bojaj.

Image
Florim Zeqa

Zeqa: Presidenti Thaçi e mban përgjegjësinë kryesore për degradimin e pavarësisë

“Futja e Kosovës në dialog pa kushte me Serbinë nënkupton amnistimin e krimeve dhe dëmeve të luftës. Në fakt, legalizimi i amnistimit të krimeve ndodhi për tetë vjet rresht në dialogun e Brukselit, ku pala kosovare pjesëmarrëse në negociata, as edhe një herë të vetme nuk e ngriti si temë të bisedimeve çështjen e krimeve ndaj shqiptarëve si dhe as dëmet e pallogaritshme materiale të shkaktuara nga regjimi i Milosheviqit.

Institucionet e Republikës së Kosovës kanë shpenzuar me dhjetëra miliona kot duke u shëtitur poshtë e lart në Bruksel e qendra të tjera, në emër të “gjoja” dialogimit me Serbinë, pa bërë gjë të mirë për Kosovën dhe qytetarët. Është krejtësisht i pafalshëm injorimi i krimeve të Serbisë nga lidershipi ynë, përkatësisht pjesëmarrësit e dialogut vrastar për shtetin e Kosovës, ku tani tetë vjet më pas, nga rrezikimi i integritetit territorial, askush të mos merret me krimet dhe dëmet e luftës.

Në anën tjetër, është tepër e dhimbshme të shohësh tani pas 20 vjetëve përkujtimet për mijëra shqiptarë të vrarë në dhjetëra masakra anekënd Kosovës, dhe asnjë i dënuar, madje për asnjë masakër të vetme nuk ka të ndëshkuar me ligj nga drejtësia vendore apo ndërkombëtare. Po ashtu, tepër i dhimbshëm është fakti tjetër se asnjëherë dhe në asnjë kohë pushtetarët e pasluftës nuk e morën guximin t'i kërkojnë Serbisë kompensimin e dëmeve të luftës dhe drejtësi për viktimat. Një situatë kaq nënshtruese e lidershipit kosovar ndaj Serbisë nuk ka qenë as në rrethanat e okupimit klasik.

Kjo në radhë të parë është pasojë e udhëheqjes së procesit të dialogimit nga një individ tepër i papërgjegjshëm, siç është presidenti Thaçi, i cili e mban përgjegjësinë kryesore për degradimin e pavarësisë, rrezikimin e sovranitetit të shtetit dhe injorimin e krimeve të luftës. Për këtë situatë përgjegjës janë edhe të gjitha ato subjekte politike dhe individë që i dhanë mbështetje Hashim Thaçit në çuarjen para të një dialogu vrastar për pavarësinë e Republikës së Kosovës”, tha për “Kosova Sot” analisti Florim Zeqa.

(Kosova Sot)