Tsiprasi të martën në Shkup, bashkë me 70 biznese greke

  • 29 March 2019 - 12:27
Tsiprasi të martën në Shkup, bashkë me 70 biznese greke

Kryeministri grek Alexis Tsipras të martën, më 2 prill, do ta vizitojë Maqedoninë e Veriut, njofton korrespondenti i MIA-s nga Athina.

Delegacionin që do ta kryesojë Tsiprasi, do të pritet në aeroportin në Shkup, pas çka vijon pritje solemne me nderime të larta shtetërore në pllajën e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Kryeministrat Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras do të kenë takim bilateral dhe më pas edhe konferencë të përbashkët për shtyp në Qeveri. Do të mbahet edhe seancë ndërqeveritare.

Është paraparë që kryeministri grek të ketë takim edhe me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferin.

Në orët e pasdites, kryeministrat Zaev dhe Tsipras do të marrin pjesë në forumin e biznesit.

Kryeministri grek vjen në Shkup edhe me delegacionin e biznesit që e përbëjnë përfaqësues të mbi 70 kompanive të mëdha dhe të mesme.

Delegacioni mbështetet nga kompania greke për investime dhe tregti të jashtme “Enterprise Greece”, trupi kompetent shtetëror, nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Zhvillimit, për tërheqjen e investimeve në Greqi dhe për promovimin e eksportit.

(Kosova Sot)