Kapiti: Ligji zbatohet në mënyrë selektive

  • 29 March 2019 - 12:49
Kapiti: Ligji zbatohet në mënyrë selektive

Analisti Skënder Kapiti thekson se drejtësia në Kosovë realisht ka dështuar, pasi asnjëherë në të vërtetë as nuk është se ka funksionuar ndonjëherë.

“Kur për një vit Prokuroria përfundon 5 lëndë, madje edhe këto për korrupsion të nivelit të ulët, në një kohë kur problemi më i rëndë dhe me shqetësues në Kosovë është krimi i organizuar dhe korrupsioni i lartë institucional ky është tregues i asaj gjendjeje mjerane ku ndodhet shteti i Kosovës sot.

Realiteti tregon kështu, pra, se në Kosovë nuk funksionon shteti ligjor dhe as drejtësia. Deficiti më i madh që ka sot Kosova janë demokracia dhe ligjshmëria”, u shpreh ai për “Kosova Sot”. Sipas tij, ligji zbatohet si dëshiron dhe kur do dhe urdhëron politika, dhe pushteti.

“Ligji zbatohet në mënyrë selektive dhe të korruptuar, pra sundon më saktë antiligji apo ligji i më të fortëve, ai i xhunglës. Me këtë politikë, me këtë kastë e klasë politike të inkriminuar, të papërgjegjshme, të kriminalizuar dhe të korruptuar, nuk ka shans që të çmontohet nga pushteti mafio-oligarkia, pasi mafio-oligarkia është vetë sistemi, i cili ka kapur shtetin, shoqërinë, drejtësinë dhe ligjin.

Ky realitet në Kosove është i tillë, sepse lindi i tillë dhe vazhdon të jetë i tillë që prej 20 vjetësh, ashtu sikurse edhe në Shqipëri që është po i tillë që prej 30 vjetësh. Dhe, nuk ka rrugë tjetër për të ngritur sistemin dhe shtetin ligjor në Kosovë, përveçse miratimi i një VETTING-u i monitoruar nga SHBA-ja, ashtu sikurse u veprua në Shqipëri”, ka thënë më tej Kapiti.

(Kosova Sot)