Miftari: Prokurorët specialë, kukulla të mafisë

  • 29 March 2019 - 17:10
Miftari: Prokurorët specialë, kukulla të mafisë

Drejtësia kosovare vazhdon të ketë një performancë skandaloze. Gjatë vitit që lamë pas Prokuroria Speciale i ka përfunduar vetëm 5 raste të korrupsionit me aktakuzë, edhe atë korrupsion të niveli të ulët!

Por, edhe pse është ky bilanc i dobët brenda institucionit në të cilin janë 15 prokurorë, askush nuk kërkon përgjegjësi nga prokurorët e kapur nga mafio-oligarkia politike e mafiozët e bizneseve të pista.

Sipas analistëve, është e qartë se kjo strukturë e prokurorëve, gjyqtarëve dhe policisë, nuk ka shans që të hapin apo të gjykojnë asnjë rast të "peshqve të mëdhenj" të politikës , të cilët edhe janë kapot e krimit në Kosovë, edhe atë për hiq më pak se 20 vjet rresht.

"Rezultati i Prokurorisë të ashtuquajtur Speciale i vitit 2018 me vetëm pesë raste të zgjedhura, raste të ulëta të korrupsionit, tregon shumë qartë se Prokuroria Speciale është edhe vetë "Speciale e korruptuar" dhe e kontrolluar nga mafia politike që politikën e përdor vetëm si paravan për ta vjedhur dhe për ta shkatërruar ardhmërinë e këtij shteti. Paramendoni, janë 15 prokurorë kukulla speciale të mafisë politike dhe kanë kryer 5 lëndë për korrupsion të ulët, pra njerëz që janë korruptuar me nga 100 euro, domethënë kriminelë të ulët. Një shtet që kontrollohet nga krimi i organizuar që ka futur nën kontroll edhe shumicën e partive politike, pastaj pushtetin, Qeverinë, Parlamentin, gjyqësinë, policinë, prokurorinë, një shtet ku mbi 90% edhe televizionet, radiot, shtypin dhe mediat e tjera i kontrollon krimi i organizuar, atëherë ai vend, ai shtet, nuk ka ardhmëri", tha për "Kosova Sot" Naim Miftari.

(Kosova Sot)