“Kosova Sot” ruajti në kontinuitet pozitën si lidere e informimit shqip në Kosovë

  • 31 March 2019 - 08:06
“Kosova Sot” ruajti në kontinuitet pozitën si lidere e informimit shqip në Kosovë

Goditja e regjimit të Milosheviqit ndaj gazetës “Kosova Sot” ishte e pamëshirshme

Përfaqësues të jetës politike, kryetarë komunash, biznesmenë dhe qytetarë të këtij vendi theksojnë se gazeta” Kosova Sot” është treguar shumë e guximshme që të flasë pa ekuivoke për të gjithë bartësit e krimit në Kosovë. Sipas tyre, “Kosova Sot” e ka dhënë provimin në luftë dhe tani një provim të rëndësishëm të informimit në interesin e përgjithshëm publik po e jep edhe në kohë paqeje në procesin e shtetndërtimit

Image
Lutfi Haziri

Lutfi Haziri, kryetar i Komunës së Gjilanit, nënkryetar i LDK-së

“Kosova Sot” në këtë përvjetor të madh të lirisë së Kosovës ka kryer një mision të madh fillimisht për informim në një periudhë të errët të Kosovës, ku mediet nuk kishin vend dhe ku fjala e shkruar dhe fjala e lirë si mision i gazetarisë nuk kishin vend. U bë dritare e informimit, e më vonë edhe burim i informimit. Vazhdon të jetë gazetë, e cila jeton në çdo familje dhe në çdo zyrë sot. Urime, e qoftë jetëgjatë “Kosova Sot”.

Image
Avni Ajeti

Avni Ajeti, veteran i luftës

Në pjesën më të madhe të aktivitetit tim në kundërvënien atij regjimi kam vepruar nga ilegaliteti, sepse jemi detyruar të veprojmë kështu pas dekonspirimit të grupit dhe vrasjes së Zahir Pajazitit. Megjithatë, gazetën “Kosova Sot”, aq sa kam pasur mundës, e kam përcjellë ashtu sa herë kemi arritur dhe si kemi arritur ta sigurojmë kur filloi të botohet dhe të raportojë për zhvillimet e luftës. E mbaj mend si sot që ka qenë një nga gazetat më të angazhuara dhe më të guximshme në mënyrën e raportimit, gjë që në një mënyrë i ka shërbyer shumë edhe luftës speciale të UÇK-së kundër regjimit serb.

Duke qenë kështu edhe regjimi e ka vendosur shpejt në listën e zezë dhe nuk ishte rastësi as ndëshkimi material dhe vendimi për mbylljen e gazetës, sikur që nuk ishte rastësi më pastaj edhe plani për shkatërrimin total që ndodhi me rastin e vënies së zjarrit për ta djegur e për ta shkatërruar shtypshkronjën e gazetës.

Dihet se roli i medieve dhe lufta speciale, respektivisht propaganda mediave, e ka rolin e vet, prandaj regjimi serb ndërmori atë aksion kriminal të shkatërrimit, sepse dihet mirëfilli që regjimet kriminale dëshirojnë që dhe mediet t’i kenë nën kontroll, sepse nuk ka pushtet që nuk bën përpjekje maksimale për ta pasur nën kontroll dhe ndikimin e vet edhe fushën e medies. Sidoqoftë, “Kosova Sot” e ka dhënë provimin në luftë dhe tani një provim të rëndësishëm të informimit në interesin e përgjithshëm publik po e jep edhe në kohë paqeje në procesin e shtetndërtimit.

Regjimi donte ta instalonte frikën

Hilmi Halili, qytetar

Okupatori serb, i organizuar për vrasje dhe kidnapime, në agjendë pati vendosur ndalimin e medias, dhe përmes djegies së shtëpisë së medias "Kosova Sot", ka dhënë mesazh të fortë ndaj popullit se po angazhohet për terr të plotë informativ, që shtetet
evropiane dhe botërore të mos kenë më informata bazë nga terreni se çka do të ndodhë më tutje, pasi asokohe akoma më shumë filloi dhe u ashpërsua lufta, lufta edhe me ndërkombëtarët.

Kjo ishte një instalim i frikës mes atyre që kanë vendosur të mbeten në vend e të mos e lëshojnë Kosovën, në banesa dhe shtëpitë e tyre. Duke qenë të vetëdijshëm se regjimi i ka ditët e numëruara, disa kemi vendosur që të mbetemi në Kosovë dhe të mos ikim edhe gjatë bombardimeve. Kemi qenë dëshmitarë të krimeve dhe terrorit e në mesin e këtyre mbajmë mend edhe aksionin e djegies dhe shkatërrimit të shtypshkronjës së gazetës “Kosova Sot”. Në atë terr informativ që u krijua shumë qytetarë kanë qenë të tmerruar nga djegiet dhe dhuna që mbizotëroi ato ditë, dhe duke parë se në realitet forcat policore me dhunë dhe vrasje filluan aksionet pa asnjë kontroll. Rasti i sulmit mbi objektin e shtypshkronjës së gazetës “Kosova Sot” , dhe disa kompanive të tjera, ka shtuar akoma më shumë frikën te shumë qytetarë që megjithatë kanë marrë rrugë për të lëshuar Kosovën dhe për t’u strehuar diku në një vend më të sigurt.

E dogjën këtë gazetë, sepse po të vazhdonte punën mediale dhe shpërndarjen e informatave nga vendngjarja, kjo shtëpi mediale do të ishte ndihmesë e madhe për qytetarët e Kosovës dhe më gjerë për opinionin publik e medie botërore, pasi, pas disa ditësh, shumë banorë kaluan kufijtë dhe ishin larg familjareve të tyre. Goditja e sistemit të regjimit të Milosheviqit ndaj bizneseve dhe banorëve ishte e pamëshirshme dhe me këtë të gjithë ata u dëmtuan dhe humbën kapitalin. Forcat policore dhe ushtarake serbe lejuan që me forcë të bëhet vjedhja dhe djegia e kompanive të ndryshme, por në veçanti u sulmuan mediet që shpërndanin informacione nga terreni, e në këtë aktivitet më aktive ishte gazeta “Kosova Sot”, shkatërrimi i të cilave ishte me të vetmen arsye: ndalimi i informimit të popullatës dhe më gjerë.

Ringjallja megjithatë ndodhi përsëri. Pas luftës, “Kosova Sot” ishte në gjendje të veprojë shpejt dhe u rimëkëmbë për t’iu kthyer lexuesit nga ditët e para për ta vazhduar misionin e saj fisnik të informimit publik. Sot, shumica nga mediet janë të etiketuara si punonjëse me interesa politike, duke i mbrojtur individët e caktuar dhe kjo bën që popullata të ketë besimin e ulët ndaj medies, një sfidë të cilën me sukses po e tejkalon “Kosova Sot” përmes informimit dhe angazhimit të saj rreth problemeve bazike që kanë qytetarët. Uroj që në të ardhmen media të ketë siguri më të madhe për lirinë e fjalës, lirinë e informimit, e jo sikurse ato vende ku vritet gazetari për një lajm të vërtetë!

Denoncuesja më e madhe e krimit serb gjatë luftës

Sami Leci, i burgosur politik

Si lexues i rregullt i saj që nga dita e parë e them me përgjegjësi se roli i gazetës "Kosova Sot ", në informimin e opinionit vendor dhe të huaj, ishte vendimtar në përkrahjen e krahut luftarak të luftës së UÇK-së dhe në informimin e opinionit të huaj e vendor, se çfarë po bëhej me gjenocidin serb ndaj shqiptarëve autoktonë. Prandaj, kjo edhe bëri që Serbia, më 11 mars 1999, i ka shqiptuar dënimin me 300 mijë marka gjermane.

Por, regjimi i Milosheviqit nuk u kënaq vetëm me kaq, prandaj në ditën e parë të bombardimeve të NATO-s në Kosovë ndaj forcave serbe, falangat serbe më 24 mars 1999, e kanë djegur shtypshkronjën e gazetës, duke shkaktuar dëme në miliona euro. Veç saj, ky medium edhe në periudhën e pasluftës mbeti lidere e shtypit të shkruar, ngase e ruajti pozitën e saj, duke qenë në kontinuitet gazeta lidere e informimit shqip në Kosovë.

Enis Zabërgja, qytetar

Po bëhet tash e 20 vjet që gazeta “ Kosova Sot” ta ketë një rol vendimtar në informimin e qytetarëve të Kosovës për ngjarjet e luftës dhe ato politike dhe shumë tema të tjera të shtetndërtimit në Kosovë.” Kosova Sot” ishte denoncuesja më e madhe e krimit serb gjatë luftës, por edhe të dukurive të tjera negative me të cilat është ballafaquar shoqëria kosovare në këto 20 vjet në liri. Gazeta ”Kosova Sot” është treguar shumë e guximshme që të flasë pa ekuivoke për të gjithë bartësit e krimit në Kosovë. Në këtë drejtim,” Kosova Sot” është treguar më e guximshme sesa vetë institucionet e shtetit dhe i dëshirojmë komplimente dhe suksese në punë.

Nail Syla, qytetar

Nuk e kam asnjë dyshim se gazeta “ Kosova Sot”, në kohën e luftës ishte një dritare e informimit dhe një lajmëtare e lirisë. Kontributi i “Kosova Sot” në informim në veçanti ishte i madh gjatë luftës. Prandaj, pikërisht për këtë arsye regjimi i Serbisë së pari e dënoni me 300 mijë marka gjermane dhe më pas, 24 mars 1999, edhe e dogji shtypshkronjën e saj. Por, roli i gazetës “ Kosova Sot” nuk u ndal edhe në liri, sepse ajo edhe sot është duke informuar opinionin në mënyrë të drejtë dhe të pavarur edhe për situatën e tanishme në Kosovë. Mediumi ” Kosova Sot”, me artikujt e saj të guximshëm, me të madhe është duke i luftuar të këqijat, që si dukuri negative janë paraqitur në Kosovën e pasluftës.

Image
Ramadan Maloku

Ramadan Maloku, afarist

Gazeta“ Kosova Sot” luajti një rol të madh në veçanti gjatë luftës, sepse ajo ishte bërë dritarja e informimit në Kosovë, që e njoftonte botën me gjenocidin e Milosheviqit. Prandaj, gazeta juaj u bë një cak i regjimit serb, pasi e dënuan me 300 mijë marka, kurse më pas, më 24 mars 1999, forcat policore-ushtarake ia dogjën shtypshkronjën. Por, ky medium, edhe pas luftës, e vazhdoi misionin e shenjtë të informimit të pavarur dhe i mosndikuar nga politika ditore. Prandaj, në këtë aspekt roli i saj është i madh, sepse edhe më tej mbetet gazeta më realiste në luftimin e të gjitha të këqijave në vendin tonë paslufte. Prandaj, gazeta” Kosova Sot” e ruajti primatin që e kishte në luftë duke ngelur gazeta më objektiv në vend edhe në kohën e paqes.

Rezistuese e madhe e pushtuesit të egër

Mr.Ismet Morina, biznesmen

Djegia e shtypshkronjës dhe ndalimi i botimit të gazetës më të lexuar gjatë asaj kohe "Kosova Sot" ishte njëri nga aktet më barbare e kriminale për ta penguar informimin e drejtë të popullatës shqiptare dhe për ta penguar fjalën e lirë. Ashtu e vlerësoi djegien dhe shkatërrimin e shtypshkronjës. Rolin dhe kontributin e gazetës "Kosova Sot" e vlerësoj lart si nga ana e informimit, ashtu dhe nga ana e rezistencës kundër pushtuesit të egër milosheviqian.

Arben Shala, përfaqësues i Shoqërisë Civile në Prizren

Fjala e lirë ka qenë e shtypur nga ai regjim, sidomos kur është ditur se "Kosova Sot" jo vetëm që ka informuar, por edhe ka shtuar guximin qytetar të përballet me regjimin e atëhershëm. "Kosova Sot" është parë si rrezik i madh, andaj kanë bërë çmos që ta shuajnë me të gjitha mënyrat. Por, edhe sot "Kosova Sot" shquhet për guximin, informacionin e drejtë dhe pa anësinë.

Gëzim Ajgeraj, shkrimtar

Mendoj se "Kosova Sot" ka hapur horizonte të reja të fjalës e të menduarit, për të plasuar tek lexuesi frymën e lirisë dhe vizionare për një mendim të pavarur të perceptimit të vizionit të së ardhmes se si duhet të mendojë njeriu i sotëm në Kosovën e pasluftës. Dhe, kjo frymë u duhet shqiptarëve, për t’i parë gjërat me syrin e vet, pa ndikime dhe pa prapaskena të mendimeve, paragjykimeve dhe interesave të caktuara. Ne urojmë që kjo frymë të avancohet sa me tepër në Kosovë, e gazetës i urojmë suksese në këtë mision!(vijon)

(Kosova Sot)