Pajtimtari i gjaqeve shqetësohet për rritjen e numrit të vrasjeve

  • 31 March 2019 - 15:52
Pajtimtari i gjaqeve shqetësohet për rritjen e numrit të vrasjeve

Fetah Bekolli para lufte ishte në Këshillin e Pajtimeve të Gjaqeve, Plagëve dhe Ngatërresave. Ai ishte iman në disa fshatra si, Rogovë, Landovicë dhe vende të tjera. Përmes takimeve, ai kudo që shkonte frymëzonte burra në oda e ndeja për atdheun, se ai është i shenjtë dhe këtë muaj ai mbush plot 29 vjet në shërbim të pajtimeve. "Lufta e UÇK-së ishte e shenjtë, pastaj ishin edhe shumë organizime të tjera që i pati Kosova, por pajtimit të gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave i vë si plis mbi kokë veprimtarisë së jetës time. Këto vite i konsideroj, vite të jetës sime", është shprehur ai për gazetën "Kosova Sot".

Shtrirja e dorës së pajtimit, akti më sublim

Bekolli thekson se tutela serbe dëshironte të mbante të ngujuara brenda mureve shumë familje shqiptare, sepse ashtu e mbante më lehtë nën "zap" lirinë e Kosovës. "Shkaku i gjakmarrjes, familje të tëra bënin jetën nën vrimë çelësi e me frikën e madhe të gjakmarrjes. Në dekadën e paraluftës, më se 20.000 familjarë kanë jetuar nën psikozën e gjakmarrjes apo nën frikën se në mos sot ata nesër edhe mund të vriteshin", thekson ai. Duke parë këtë fakt, atëherë imam nëpër fshatra të Hasit e Përdrinisë, Mulla Fetah Bekolli e ndjeu këtë dhembje dhe pas studentëve, pikërisht para 29 vjetësh ata formuan një Këshill të Pajtimeve për të dhënë kontribut dhe që ta shtrijnë dorën njëri- tjetrit, që pastaj të fillojnë edhe përgatitjet para një lufte çlirimtare. Ai tregon për gazetë se ky Këshill ka bërë disa mijëra pajtime dhe shton se në mesin e shumë pajtimeve, pajtimin e familjeve Hoti, Shala dhe Berisha në Rugovë të Hasit, kur krismat e lirisë ishin duke u dëgjuar në Gradish, ata në xhaminë e këtij fshati bënë pajtimin. Armët që i kishin bërë gati kundër njëri- tjetrit nga aty ata i drejtuan kundër okupatorit serb dhe kjo ishte një arritje e madhe e pajtimit. "Mu aty nuk kishte shtrirje dore, por përqafime dhe ato armët e përgatitura për njëri- tjetrin tashmë thanë se do t'i drejtojnë kundër Serbisë, për ta bërë sa më të fortë zërin dhe Epopenë e Lirisë.

Rasti që i la mbresa të mëdha

Bekolli tregon se ai pajtim u bë zë i lirisë së madhe. Ai tregon se ishte në detyrën e zv. komandantit të Brigadës në ZOP, duke shtuar se pajtimet i dhanë një krah të fuqishëm luftës për liri. Ai pohon se secili rast i pajtimeve "është shah në vete", sepse i ka karakteristikat, rëndësinë dhe rolin e madh, por thotë se nuk mund të mos e kujtojë edhe rastin në vitin 2015 në fshatin Zojë të Prizrenit, ku aksidentalisht kishte vdekur një djalë. "Babai i tij kërkon nga unë dhe Këshilli, duke u shprehur me këto fjalë: Unë tani kam dhembje të madhe, o burrë, por ju kisha lutur mos më lini të koritem". Rezultoi se ende pa e varrosur rastin e atij djali, që aksidentalisht kishte humbur jetën, shtrihet dora e pajtimit. "Kjo në mua ka lënë një mbresë të pashlyer. Kur njeriu kishte dhembjen e madhe për humbjen e të birit kërkonte që mos të koritet, sepse ai mendon se koria nuk do t'i shkonte këtij burri. Akte të kësaj burrërie kemi pasur shumë. Prandaj, tani kur kujtoj këto tubime kaq të dhimbshme, them o Zot si nuk ndalen më këto vrasje. Me lejoni të them se rasti i fundit, që ndodhi në Studenqan të Suharekës, është një nga aktet e rënda, kur vëllai vret vëllain për një copë tokë. Jo, o vëllezër, këto duhet larguar se nuk vlen asgjë më shumë se jeta, sepse askush tokën nuk e merr me vete në botën tjetër. Prandaj, apeli im i përhershëm është ai për falje", thekson pajtimtari i gjaqeve, Fetah Bekolli.

(Kosova Sot)