Kapiti: Shtet i kapur, drejtësi e kapitulluar

  • 02 April 2019 - 13:32
Kapiti: Shtet i kapur, drejtësi e kapitulluar

Analisti Skënder Kapiti vlerëson se kur sistemi i drejtësisë kapet dhe u shërben klaneve të oligarkëve politikë, krimit të organizuar dhe korrupsionit, aty shteti ligjor nuk funksionon, por sundojnë antiligji e antishteti.

“Drejtësia në një shtet të tillë është një zgjatim i politikës dhe pushtetit të keq, antipublik dhe antikombëtar. Sistemi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, kur ato montohen në sistemin politik, ekzekutiv, gjyqësor, por edhe në atë mediatik, kjo është gjendja më e rëndë ku bie edhe shteti, edhe shoqëria, si një gjendje anarkie pseudodemokratike.

Është për të ardhur keq pasi për këtë gjendje fajtore është edhe vetë shoqëria civile shqiptare, e cila nuk reagon në emër të së vërtetës, të së drejtës dhe të demokracisë kundër kësaj klase politike dhe kësaj drejtësie politike të kriminalizuar e të korruptuar”, u shpreh ai.“Unë e ndjek median, sidomos shtypin e shkruar, gazetarinë.

Por konstatoj diçka për të ardhur keq, se si edhe shumica e mediave kanë rënë pre e mercenarizmit politik, materialist dhe e dritëshkurtësisë së interesave të pronareve të tyre.

Pothuajse vetëm gazeta "KOSOVA SOT" është medie e lirë, e pavarur, e guximshme dhe si pushteti opozitë kundër të gjitha të këqijave publike e kombëtare të politikës, pushtetit dhe të drejtësisë në Kosovë, e cila përditë u bën gjyqin mediatiko-informativ korrupsionit dhe krimit të organizuar, fton politikën dhe shoqërinë civile për reagim dhe për ta ndryshuar gjendjen paralize ku kanë rënë ligji, drejtësia, shteti dhe demokracia, të cilat kanë bllokuar progresin dhe integrimin."KOSOVA SOT" i fton qytetarët që të angazhohen për lëvizjen e reformimit të drejtësisë, për VETTING-un, që do të ishte reforma jetike për Kosovën, pasi me VETTING-un do të merrnin fund antiligji, padrejtësia dhe antishteti institucional, që sundon sot në Kosovë prej kësaj elite të dëmshme politike dhe prej kësaj drejtësie antiligj dhe antidrejtësi”, ka potencuar Kapiti për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)