Çfarë po ndodh? Ambasadorët aktivizohen kundër skandaleve të pushtetit

  • 02 April 2019 - 14:40
Çfarë po ndodh? Ambasadorët aktivizohen kundër skandaleve të pushtetit

Ambasadori zviceran ka zgjedhur që me ujësjellësin e financuar nga Zvicra, t’u tregoj banorëve të Drenicës se ata paguajnë veteranë të rrejshëm, ndërsa u mungojnë kushtet bazike. Për korrupsionin dhe nepotizmin flasin çdo ditë diplomatët e huaj, zakonisht duke goditur politikanët që akoma zgjedhën në emër të luftës, e emërojnë të tjerët me këtë kriter. Derisa nga Zyra e Kryeministrit thonë se ambasadorët duhet t’i shikojnë shtetet e tyre, Lumir Abdixhikut të LDK’së i vjen mirë që diplomatët janë aktivizuar për luftim të korrupsionit. Analisti Astrit Gashi tregon pse nuk po qëndrojnë më të heshtur të dërguarit e shteteve të fuqishme.

Ambasadorët e shteteve kryesore nuk po qëndrojnë si spektatorë ndaj vendimeve dhe emërimeve që po bëhen nga institucionet e vendit. Deklaratat e tyre të ashpra janë shpeshtuar, e target i tyre edhe më tutje mbeten veprimet, krimet e përfitimet nga politika “në emër të luftës”.

E fundit është ajo e ambasadorit të Zvicres, Jean-Hubert Lebet, i cili të mërkurën në prezencë të kryeparlamentarit Kadri Veseli në Skenderaj, tha se “ne po ju ndërtojmë ujësjellës, e ju po paguani veteranë të rrejshëm”.

Veseli u mundua më pas që t’i kundërpërgjigjet, ndërsa vërshuan reagimet ndaj diplomatit zviceran, që foli për veteranët e rrejshëm në “qytetin e komandantëve”, që vetëm 20 vjet pas luftës u bë me ujësjellës të ndërtuar me donacione nga Zvicra.

Ambasadori amerikan, Philip Kosnett, e ka nisur misionin e tij duke reaguar në shumë çështje e vendime të Qeverisë. Ka reaguar për emërimin e Sylejman Selimit si këshilltar i kryeministrit, duke thënë se të dënuarit për krime nuk mund të kenë vende në ekzekutiv. Deklaratat e tij për nepotizëm e korrupsion janë pothuajse të përditshme.

Avni Arifi nga Zyra e Kryeministrit Ramush Haradinaj, ka thënë se para se të flasin për problemet në Kosovë, ambasadorët duhet të shikojnë premtimet, sipas tij, të rrejshme që kanë dhënë shtetet prej nga ata vijnë për liberalizimin e vizave për kosovarët.

“I mirëpresim këshillat dhe kritikat e ambasadorëve por para se të flasin për këtu, këta ambasadorë duhet t’i shikojnë vendet e tyre dhe premtimet e tyre të rrejshme. Kosova ka me shume se një vit që  plotësuar 95 kriteret për liberalizmin e vizave por për këtë temë i mbyllin veshët dhe sytë dhe bëhen sikur janë nga një planet tjetër”, thotë shefi i stafit të Kryeministrit.

Sipas Arifit, premtimet e këtyre shteteve për liberalizim të vizave janë më të rënda se rastet e korrupsionit në Kosovë.

“Premtimet e rrejshme të këtyre shteteve janë tepër  më të rënda se sa ndonjë korruptim në ndonjë agjenci buxhetore i cili dorën në zemër duhet të luftohet në mënyre me efikase si një turp i shoqërisë sonë. Jo për ta por për veten tonë” , shprehet Arifi.  

Ndërkaq, deputetit të LDK’së, Lumir Abdixhiku, i cili ka qenë aktiv në kritikat për mjetët që u ndahen rreth 19 mijë personave që dyshohet se janë veteranë të rrejshëm, i vjen mirë që diplomatët e huaj janë aktivizuar

“Është për mirëseardhje aktivizimi i diplomatëve të huaj në Kosovë, sidomos në çështje të korrupsionit e keqpërdorimit të parasë publike ne vend”, ka thënë Abdixhiku.

Duke komentuar deklaratën e ambasadorit zviceran, Abdixhiku thotë se është e pakuptimtë që me taksat e evropianëve e amerikanëve të bëhen investime në Kosovë, ndërsa paratë e taksapaguesve të keqpërdorën.

“Vendet e tyre janë ndër donatorët me të mëdhenj në Kosovë tash e 20 vite dhe është krejt e pakuptimtë që në njërën anë paratë e taksapaguesve evropian e SHBA-së të përdoren për projekte kapitale për kosovarët; e paratë e taksapaguesve kosovarë të keqpërdoren ne shkallen alarmante korruptive”, thotë deputeti i LDK’së.

Edhe ambasadori britanik, Ruari O’Connell ka intensifikuar thirrjet e tij kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Madje ai ka dhënë dorëheqje muaj më para nga pozita e kryesuesit të bordit në Agjencinë e Verifikimit të Pronës, pasi në krye të kësaj agjencie u vendos Naser Shala, një ish-komandant, që sipas ambasadës britanike dhe misioneve tjera diplomatike, ai konsiderohej i pakualifikuar për këtë pozitë.

Analisti Astrit Gashi thotë se ky fokusi i ambasadorëve në tema si korrupsioni u zhvendos me ndërprerjen e dialogut.

Sipas tij, ndërkombëtarët edhe kanë toleruar raste të keqpërdorimit dhe të korrupsionit për shkak të temave të mëdha si dialogu.

“Deklaratat e ambasadorëve janë të sakta. Si duket ata kane vendosur qe marrin pak pushim nga çështja e dialogut dhe taksës dhe po fokusohen ne çështjen e korrupsionit. Fatkeqësisht po për hir të dialogut dhe çështjeve rajonale, po ambasadoret të fuqishëm dhe me ndikim në Kosovë, me vite kanë shikuar mes gishtave dhe madje kane toleruar korrupsioni  dhe krimin si dhe politikanët që bëjnë këso veprimesh.Në jo rrallë raste edhe ju kanë ndihmuar që të harrohen aferat korruptive e kriminale të politikanëve në emër te agjendës se dialogut”, ka thënë analisti.

Ai thotë se diplomatët e huaj shumë shpesh kanë heshtur në emër të kauzave më të mëdha, që kanë tejkaluar problemet ditore në vend.

“Natyrisht se përgjegjësia është e neve si qytetarë dhe e politikaneve të këtillë, dhe jo e ambasadorëve të huaj, por e vërteta është se ata kryesisht kane qëndruar të pa zë ne këtë drejtim ndonëse kane pasur fuqi dhe ndikim te madh. Prandaj kam frike se ky zëri i ngritur i tyre, do te shkoj duke u ulur serish”, ka thënë tutje Gashi.

Ndryshe ambasadorët e huaj jo rrallë herë marrin reagime të ashpra si kundërpërgjigje ndaj deklaratave të tyre. Madje, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë se ai do të përzinte ambasadorin zviceran pas deklaratës për veteranë të rrejshëm. 

(Kosova Sot)