Marrëveshja finale me Serbinë, akuza të rënda për Hashim Thaçin

  • 02 April 2019 - 17:23
Marrëveshja finale me Serbinë, akuza të rënda për Hashim Thaçin

Këto ditë, në Kosovë janë shënuar një numër i madh i akademive përkujtimore për dëshmorët e rënë gjatë luftës dhe civilët shqiptarë të cilët u vranë dhe u masakruan nga paramilitarët serbë.

E në këto akademi përkujtimore, pothuajse në shumicën prej tyre pjesëmarrës ishte edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Sipas analistëve politike, pjesëmarrja e Thaçit në këto akademi përkujtimore është fyerje për dëshmorët dhe viktimat e luftës. Ata thonë se Thaçi i ka harruar masakrat serbë në Kosovë dhe tashmë është i gatshëm që me marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, t’ia falë ato shtetit serb.

Analisti politik, Nexhat Haziri, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se Thaçit i interesin vetëm pushteti, përmes së cilit garanton bizneset e veta dhe të klanit të tij të ngushtë.

Image
Nexhat Haziri

“Pajtohem plotësisht se pjesëmarrja e presidentit Thaçi në akademitë përkujtimore çoftë për luftëtarët e rënë për liri apo edhe akademive të tjera përkujtimore për masakrat e shumta të Ushtrisë serbe ndaj shqiptarëve, dhe në anën tjetër ai vazhdon me idetë e tij antikombëtare siç është ideja për të ashtuquajturin korrigjim kufijsh me Serbinë që do të thotë edhe zhbërja e shtetësisë së Kosovës, është fyrje për të rënët për lirinë e Kosovës. Ndërsa sa i përket asaj që Thaçi asnjëherë , asnjë veprim qoftë si kryeministër dhe tani si president I vendit, nuk e ka bërë që të inicioj apo përmes mekanizmave të drejtësisë në Kosovë , por edhe atyre ndërkombëtare të kërkoj përgjegjësi nga Serbia për vrasjen e mbi 13.000 shqiptarëve civil gjatë luftës në Kosovë. Kjo tregon se këtij njeriu i intereson vetëm pushteti, përmes së cilit garanton bizneset e veta dhe të klanit të tij të ngushtë”, thekson Haziri për “Kosova Sot”.

Sipas tij, po ta kishte mundësinë, Thaçi që sot do ta falte Serbinë për krimet serbe në Kosovë.

“Dhe kjo është një nga arsyet që Thaçi po të kishte mundësinë e plotë, ai sot do ta falte Serbinë, për krimet dhe vrasjet e bëra në Kosovë, vetëm e vetëm që ta ruaj pushtetin si ombrellë që po ashtu mbron edhe rrjetin e krimit të organizuar koka e së cilit është vet presidenti Thaçi”, nënvizon Haziri.

Ai më tej, ka thënë se qëndrimi i Gjermanisë për mos ndryshim kufijsh, është edhe një goditje e rënë për Thaçin dhe partnerët e tij.

“Ndërsa sa i përket ripërsëritjes së qëndrimit gjerman nga dy deputetët e Bundestagut për mos ndryshimin e kufijve, them se kjo ishte një goditje e rendë për presidentin Thaçi dhe partnerëve të tij, presidentit serb Vuciqi dhe të kryeministrit shqiptar Rama për ndarjen e Kosovës në vija etnike, por nuk mund të themi akoma se ishte vendimtare. Pasi Thaçi dhe dy partnerët e tij Vuciq dhe Rama,në planin për korrigjim kufijsh në mes Kosovës dhe Serbisë si një marrëveshje e ashtuquajtur historike, do të mundohen që përmes kanaleve të ndryshme të ndikojnë në administratën amerikane, e cila akoma nuk ka një qëndrim të qartë sa i përket këtij plani, për të gjetur mbështetës planit të tyre famëkeq që është antikombëtar dhe Kosovën e dërgon drejtë zhbërjes së shtetësisë”, thotë Haziri për “Kosova Sot”.

Për fund, ai ka deklaruar se Thaçit po i zvogëlohen shanset për t’i shpëtuar Gjykatës Speciale.

“Megjithatë koha nuk po shihet se po punon për Thaçin, pasi nuk shihet ndonjë hap konkret në vazhdimin e dialogut Kosovë- Serbi, dhe sa më shumë te këtë vonesë në këtë drejtim dhe mungesa e një marrëveshje “paqësore” me Serbinë, zvogëlohen shanset e presidentit Thaçi për t’i shpëtuar Gjykatës Speciale. Dhe ai këtë e di mirë”, përfundon për gazetën “Kosova Sot”, analisti politik, Nexhat Haziri.

(Kosova Sot)