Oligarkët e pushtetit dhe ekonomisë kontrollojnë tregun e naftës

  • 03 April 2019 - 08:18
Oligarkët e pushtetit dhe ekonomisë kontrollojnë tregun e naftës

Krasniqi: Rruga B në Prishtinë shpjegon gjithçka se ku po bëhet pastrimi i parave të pista

Është e qartë dhe e kuptueshme se tregu i naftës ka qenë dhe kontrollohet nga oligarkë dhe klane mafioze, të cilat janë të lidhura drejtpërsëdrejti me politikanë të fuqishëm dhe me pushtetin. Përveç kësaj, nafta, e cila hyn në tregun e Kosovës, është jocilësore, e dorës së dytë apo të tretë. Kjo gjë është përfolur që një kohë të gjatë, është vërejtur nga qytetarët e Kosovës, sidomos nga mërgimtarët, që bëjnë udhëtime të gjata, të cilët thuajse ankohen çdoherë për kualitetin e saj”, thekson analisti Driton Gashi për gazetën “Kosova Sot”

Tregu i derivateve të naftës vazhdon të kontrollohet nga mafia oligarkike e kriminale e lidhur me pushtetin e tejinkriminuar, ku pushtetarët kanë aksione shumicë në këto kompani të mëdha e shumë përfituese të qindra miliona eurove nga tregtimi e trafikimi i derivateve të naftës.

Kështu së paku mendojnë analistët dhe ekspertët e ekonomisë, të cilët thonë se deri sa të kemi treg të kontrolluar e të sunduar nga krimi i organizuar do të ketë cilësi tepër të dobët të derivateve të naftës, mungesë të territoreve e hapësirave të lira për të vepruar për të tjerët, privilegje vetëm për kompanitë e inkriminuara të caktuara të naftës, moskontrollim me rastin e hyrjes e zhdoganimit të këtij produkti, mosfiskalizim të qëllimshëm të këtyre operatorëve ekonomikë, që llogariten me qarkullime prej më shumë se një miliard euro brenda vitit dhe me përfitime prej disa qindra miliona eurosh.

Ata thonë se 97 për qind e naftës që hyn në Kosovë nuk kontrollohet fare, por vetëm bëhet përshkrimi i analizave nga dërguesi. Shtrohet pyetja se ku përfundojnë disa qindra miliona euro përfitime në “CASH" nga shoqëritë e dyshimta të naftës, në të kujt "xhepa e konto bankare" përfundojnë këto përfitime marramendëse e tepër kriminale!?

Image
Reshat Badallaj-Zhuriani

Badallaj: Vendin e sollën ekonomikisht në derexhe të vdekjes

Analisti Reshat Badallaj theksoi për gazetën “Kosova Sot” se ari i zi në Kosovë kontrabandohet nga kryebanditët e majave të shtetit. “Ky uragan hajnash për arin e zi bashkëpunon edhe me serbianët, që na vranë dhe na prenë, por vetëm i kanë fjalë dhe kinse lehin kundër njëri-tjetrit. Pra, tregu i naftës dhe jo vetëm i naftës kontrollohet pikërisht nga këta kryebanditë të majave të shtetit dhe atë jo vetëm në dogana, por si në nivelin lokal ashtu edhe në nivelin qendror janë të shpërndarë dhe i kanë klanet mafioze që e kontrollojnë këtë kontrabandë.

Kryebanditët e majave të shtetit, po i quaj kryebanditët e majave të shtetit, qëndrojnë dhe janë BOSËT e kësaj kontrabande të rrezikshme, ose i kanë në emër të tjetërkujt, por është e pamundur që këta të mos qëndrojnë prapa kësaj kontrabande dhe pikërisht me kontrabandë dhe hajni këta u bënë supermilionerë dhe nuk kanë të ngopur. Po mos të ishte kontrabanda e arit të zi, hajnia në çdo dikaster në Kosovë, atëherë si ka mundësi këta kryebanditë të bëhen supermilionerë, kur ne i njohim dhe nuk janë qelibar”, është shprehur Badallaj. Ai shton se secili rreth e njeh këtë soj hajdutësh dhe e dinë se para lufte nuk kishin as XHIZË të mjaftueshme...!

“Pos hajnisë, a e dini se ky soj kryehajnash përpos me hajni, që dëmtojnë buxhetin e shtetit, këta e dëmtojnë edhe industrinë e vendit dhe shumëçka tjetër edhe me cilësinë tepër të dobët, vetëm për përfitime të majme. Shton se ky grup mafio-oligarkësh i kanaleve të errëta, klaneve mafioze, e kanë bërë zap edhe prokurorinë. “Pa u hamendur fare, pa fije dyshimi se kur në Kosovë futen miliarda euro nga ari i zi dhe kur mendon me gjakftohtësi dhe bën një analizë të hollë, që papunësia në Kosovë është më e madhja në Evropë, kur vlojnë korrupsioni, kontrabanda, paratë shkojnë vetëm në xhepat e këtyre mafio-oligarkëve të majave të shtetit, që unë i quaj kryebanditët që e sollën ekonominë e vendit në derexhe të vdekjes”, është shprehur ai.

Image
Driton Gashi

Gashi: Tregu i naftës kontrollohet nga oligarkët dhe klanet mafioze

“Është e qartë dhe e kuptueshme se tregu i naftës ka qenë dhe kontrollohet nga oligarkë dhe klane mafioze, të cilat janë të lidhura drejtpërsëdrejti me politikanë të fuqishëm dhe pushtetin. Përveç kësaj, nafta e cila hyn në tregun e Kosovës është jocilësore, e dorës së dytë apo të tretë. Kjo gjë është përfolur që një kohë të gjatë, është vërejtur nga qytetarët e Kosovës, sidomos nga mërgimtarët, që cilët bëjnë udhëtime të gjata, të cilët thuajse ankohen çdoherë për kualitetin e saj.

Madje, një fenomen tjetër qëndron, dyshimi se litrat nuk janë të sakta dhe se kompani të caktuara manipulojnë me shifra. Por, mbi të gjitha, tregu i naftës është shndërruar në monopol të politikanëve të korruptuar dhe të cilët nuk u mundësojnë fare hapësirë afaristëve të rinj, por vetëm atyre që i kanë nën kontroll. Në këtë drejtim nuk kanë bërë asgjë shoqatat e naftëtarëve të Kosovës, nuk kanë bërë asgjë organet e drejtësisë dhe qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mbesin të dëmtuar materialisht”, theksoi analisti Driton Gashi për gazetën “Kosova Sot”.

Grapci: Shkatërrojnë ambientin dhe njerëzit për përfitime të tyre

Analisti Dardan Grapci ka theksuar për gazetën “Kosova Sot” se tregu i naftës duhet të kontrollohet, por jo nga mafio-oligarkët, të cilët e kanë synim shkatërrimin e ambientit me cilësi të dobët të naftës, por të kontrollohet nga ekspertë dhe individë, të cilët e kanë me profesion kontrollimin e naftës dhe shikimin e cilësisë së ajrit në vend, si dhe analisti për t’i bërë analizat e naftës, se a është e cilësisë së lartë apo jo.

“Por, siç është një fjalë popullore - kur macja nuk është aty, minjtë hedhin valle. Dua të shtoj se në Kosovë ende nuk ka hyrë në fuqi mbrojtja e ambientit nga nafta, dizelli dhe veturat e vjetra, të cilat ekzistojnë ende në territorin e Kosovës. Duhet që sa më shpejt të krijohet një projektligj që në mes të viteve 2022-2030 dhe Kosova të fillojë implementimin e një rregulloreje, që të ndalohet shit-blerja e veturave me naftë dhe të fillojë ligji për shitjen e veturave hibrid dhe elektrike, që ato të shiten pa TVSH. Si dhe doganimi i tyre të bëhet 70% më lirë sesa veturat që i kemi momentalisht.

Prandaj, derisa Qeveria e Kosovës nuk ndërmerr masa urgjente për parandalimin e hyrjes së naftës me cilësi të dobët në Kosovë, qytetarët do thithin kancer, tumor etj. Si dhe operatorët që po merren me importimin e naftës në Kosovë po bëjnë marrëveshje të fshehta me klanet biznesore, të cilat e kanë synim përzierjen e naftës me ujë dhe shitjen te konsumatori”, është shprehur analisti Dardan Grapci.

Ai tutje ka shtuar se nuk kemi nevojë shumë për të menduar se në xhepat e kujt dhe kontot bankare po shkojnë ato para kriminale, sepse të gjithë e dimë se ato po përfundojnë tek politikanët, të cilët janë vetë pronarë të këtyre pompave të benzinës në Kosovë.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Është krijuar monopol nga kompanitë e afërta me pushtetin

“Si çdo gjë tjetër, edhe tek industria e naftës është krijuar monopol nga kompanitë e afërta me pushtetin. Monopoli ka shkatërruar të gjitha kompanitë e ndershme që nuk kanë afërsi me partitë politike dhe si pasojë ka ardhur te falimentimi i këtyre bizneseve dhe mbyllja e mijëra vendeve të punës. Humbja e vendeve të punës dhe konkurrenca jo e drejtë në Kosovë kanë rezultuar me ikjen e qytetarëve drejt shteteve të Perëndimit, për shkak të mungesës së perspektivës.

Është fare e lehtë të dihet se në xhepat e kujt përfundojnë këto para të pista nga ikja e zhdoganimit. Në xhepat e këtyre kompanive monopoliste, të afërta me pushtetin, dhe shefave të tyre të politikës. S'do mend që këto para të pista transferohen në banka të shteteve ku bëhet pastrimi i parave dhe shtete të tilla ka mjaft në Amerikën Qendrore. Por, edhe në Kosovë në industrinë e ndërtimit.

Mjafton të shohim se çfarë ndërtimesh kanë ndodhur dhe po ndodhin vitet e fundit gjithandej Kosovës. Rruga B në Prishtinë shpjegon gjithçka se ku po bëhet pastrimi i parave të pista”, është shprehur analisti Faik Krasniqi për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)