Nipi i Limajt dhe tezakët e Ahmetit, vjen alarmi: Kosova do ta ketë fundin tragjik

  • 03 prill 2019 - 11:46
Nipi i Limajt dhe tezakët e Ahmetit, vjen alarmi: Kosova do ta ketë fundin tragjik

Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, dy bashkëkryesuesit e të ashtuquajturit Ekipi negociator i Kosovës në dialogun me Serbinë në Bruksel, kanë vendosur që me vetë ti marrin nipat dhe tezakët e tyre.

Fatmir Limaj në ekip do ta ketë edhe nipin e tij, Endrit Zabërgja, i cili është djali i motrës së Limajt. Ai në këtë ekip pritët të rehatohet në postin këshilltarit politik profesional në Zyrën e Koordinatorit Administrativ, pranë Ekipit negociator, duke iu caktuar paga 800 euro.

Kurse, Shpend Ahmeti është përkujdesur që me vete t’i ketë edhe dy tezakët e tij, Visar Ymeri dhe Nezir Ismaili.

Sipas analistëve politikë dhe ish deputetëve, tashmë Kosova ka ekipin më të dobët negociator për bisedime, ekip ky që sipas analistëve, përfshin persona që nuk e dinë as abc-në e negocimit.

E lidhur me këtë, ish deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Adem Salihaj ka thënë se në ekipin e Kosovës janë përfshirë siç i quan ai “kërkushat”.

“Në ekipin negociator janë kërkushat hiç, mjerë Kosova çka e pret. Këta kërkusha kanë afruar rreth vetës një grumbull farefisesh e familjarësh, poashtu kërkusha hiç”, është shprehur Salihaj.

Image
Adem Salihaj

Sipas ish-deputetit Salihaj, kjo nuk është hera e parë që po ndodhë diçka e tillë duke e krahasuar këtë ekip negociues me atë për demarkacionin me Malin e Zi.

“Kjo ka ndodhur edhe më parë me Kosovën. Në ekipin e parë për demarkacionin me Malin e Zi ishin të angazhuar njerëz të ngjashëm, të cilët mendonin vetëm si të hanin dreka e darka dhe si të merrnin mëditje. Si pasojë e kësaj, Kosova humbi 8200 hektarë tokë”, ka shtuar Salihaj.

Për fund, ai ka thënë se Kosova ashtu siç ka humbur në rastin e bisedimeve me Malin e Zi, njësoj fund tragjik do të ketë me këtë ekip negociator me Serbinë

“Mali i Zi kishte në ekip njerëz shumë të aftë. Kjo po ndodhë edhe tash. Ekipi i Kosovës me kërkusha, ekipi i Serbisë me njerëzit më eminentë. Në këtë përballje dihet përfundimi tragjik për Kosovën”, ka përfunduar ish-deputeti Adem Salihaj për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)