Alarmi i rëndë për Kosovën: Ja skenari serb, veriu një ‘bombë’ e kurdisur që mund të shpërthejë

  • 04 April 2019 - 15:34
Alarmi i rëndë për Kosovën: Ja skenari serb, veriu një ‘bombë’ e kurdisur që mund të shpërthejë

Pas Ambasadës së Britanisë së Madhe që paralajmëroi shtetasit e saj të mos udhëtojnë në veri të Kosovës për shkak të krimit, të njëjtën gjë e ka bërë edhe Gjermania.

Gjatë ditës së sotme, Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë ka paralajmëruar shtetasit e saj të mos udhëtojnë në veri të Kosovës.

“Edhe pse dhuna nuk është e drejtuar tek të huajtë, nuk mund të përjashtohet mundësia e ndodhjes së ndonjë incidenti që kërcënojnë sigurinë dhe lëvizjen e lirë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Sipas analistëve politikë, paralajmërimi i Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe është sinjal i qartë se situata në veri të Kosovës mund të shpërthej nga çasti në çast.

“Paralajmërimet e Gjermanisë dhe Britanisë së madhe për shtetasit e tyre që mos të udhëtojnë në veri të Kosovës, vetëm sa e konfirmojnë atë se veriu i vendit jo vetëm tani por që nga pas lufta është një bombe e kurdisur e cila ka mund të shpërthej në çdo moment sikur edhe tani. Mbajtja nën tension të përhershëm të situatës në këtë pjesë të vendit të diktuar dhe financuar nga Beogradi zyrtar, jo vetëm që e ka forcuar praninë e Serbisë përmes strukturave paralele në veri, por i ka mundësuar të ketë ndikim edhe më gjerë, duke përfshirë edhe në institucionet e Kosovës siç ishte shembulli i formimit të qeverisë së Kosovës para afro dy viteve kur u prit me orë të tëra bekimi i presidentit Vuciq që Lista Serbe t'ia bënte votat e nevojshme koalicionit PAN”, thotë analisti, Nexhat Haziri për “Kosova Sot”.

Sipas tij, situatat mund të eskalojë në veri të Kosovës, si pjesë e skenarit serb.

Image
Nexhat Haziri

“Por, kjo situatë e tensionuar në veri, nuk është se nuk u ka konvenuar edhe politikanëve shqiptar në Prishtinë, të cilët përmes grupeve kriminale dhe të nëntokës, sidomos grupeve të afërta me PDK-në, kanë bërë qindra miliona qarkullim në vit nga tregtia e paligjshme me grupet kriminale serbe në veri të vendit. Dhe ky tensionim do të vazhdoj të mbahet dhe është reale të pritet që mund të eskaloj në ditët në vazhdim përmes grupeve paramilitare dhe strukturave paralele, si pjesë e skenarit të Beogradit zyrtar për të bërë presion jo vetëm ndaj Kosovës por edhe ndaj faktorit ndërkombëtar, që përmes kësaj situate ta imponoj planin e saj për ndarjen e kësaj pjese nga Kosova dhe bashkëngjitja me Serbinë”, thekson më të tej Haziri.

Për fund, ai hedhë akuza edhe në drejtim të Thaçit, që sipas tij është bërë pjesë e këtij plani me idenë e tij për korrigjim kufijsh.

“Për fat të keq, duke qenë i kërcënuar nga Gjykata Speciale, edhe vet presidenti Thaçi është bërë pjesë e këtij plani me idenë e lansuar gjoja për të ashtuquajturin korrigjim kufijsh. Kjo është lehtësisht e realizuar kur kemi parasysh mungesën e autoriteti shtetëror të Prishtinës në veri të vendit”, përfundon për “Kosova Sot”, analisti politik, Nexhat Haziri.

(Kosova Sot)