Akuzat e rënda ndaj Thaçit dhe takimet sekrete me serbët, profesori ndërkombëtar zbulon pse po hesht Presidenti

  • 05 April 2019 - 13:47
Akuzat e rënda ndaj Thaçit dhe takimet sekrete me serbët, profesori ndërkombëtar zbulon pse po hesht Presidenti

Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i politikave të demokratizimit për Ballkanin Perëndimor, ka thënë se politikanët perëndimorë thonë që presidenti Hashim Thaçi po e shtyn përpara idenë e shkëmbimit të territoreve në mënyrë që të amnistohet nga Gjykata Speciale.

Poashtu, edhe deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani ka thënë se Hashim Thaçi ka zhvilluar takime sekretë me presidentin serb, Aleksndër Vuçiq.

Por, deri më tan Thaci nuk ka mohuar këto akuza nga Weber dhe Osmani. Sipas analistëve politikë, me heshtjen e tij, Thaçi po e konfirmon se të gjitha këto janë të vërteta.

“Që kur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me Edi Ramën dhe Aleksandër Vuçiq ndërtuan skemën serbo-ruse të ndarjes së Kosovës, është ditur se Thaçi ka marrë garanci në Beograd se do t'i shpëtojë dënimit nga ana e gjykatës speciale në Hagë të Hollandës. Beogradi ende nuk e ka dorëzuar dosjen e zotit Thaçi në atë gjykatë. E mban të padorëzuar, sepse me atë dosje ka kushtëzuar veprimtarinë antiKosovë të Hashimit. Nëse presidenti I Kosovës arrin qëllimin e Beogradit për ndarjen e Kosovës, dosja futet e ruhet në ndonjë arkiv të Beogradit. Në të kundërtën, ajo shkon në Hagë dhe pret Hashim Thaçin në pranga!”, është shprehur për gazetën “Kosova Sot”, profesori ndërkombëtar, doktor, Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, fatkeqësisht nga kjo del arsyetimi se akuzat e Dick Marty ndaj presidentit të Kosovës nuk janë pa gjë.

 

Hasha nuk kishte pse t'i nënshtrohej presionit serbo-rus dhe të angazhohej kaq fuqishëm në zbatim të planit të Beogradit për të grabit pasuritë më të çmuara të Kosovës. Dosja dhe kërcënimi që vjen nga Serbia ka bërë që angazhimi i presidentit të Kosovës për ndryshimin e kufijve me Serbinë të jetë maksimal, madje në formën e aktivitetit militantesk në shërbim të Beogradit. Në këtë kuadër është e vërtetë se Hashim Thaçi ka bërë takime sekrete me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Takimet në fshehtësi të tyre flasin për konspiracion, për një marrëveshje, të cilën shqiptarët nuk e pranojnë. Ndryshe nuk ka pse presidenti i vendit t'i fshihet opinionit publik”, ka deklaruar Bytyçi.

Më tej ai thotë se mungesa e transparencës për bisedimet që zhvillohen në kulisa nga dy presidentët e bën akoma më shqetësuese situatën e krijuar në Kosovë nga veprimtaria antiKosovë e presidentit të Kosovës.

Mungesa e transparencës do të thotë fshehje e qëllimeve dhe projekteve. Do të thotë maskim i veprimtarisë antiKosovë të Hashim Thaçit. Vjosa Osmani këmbëngul në faktin se ajo ka dijeni dhe fakte për takime të fshehta të të dy presidentëve, atij kosovar dhe atij serb në Romë. Jam i bindur se kjo ka ndodhur. Por kanë ndodhur dhe takime të tjera të fshehta midis tyre, deri në Novi Sad. Hashim Thaçi hesht për këto akuza. Hesht se e vërteta është e hidhur. Takimet e fshehta të tij me kreun e Serbisë nuk kanë asgjë të bëjnë për Kosovën dhe ardhmërinë e saj. Ato takime drejtohen jo vetëm kundër integritetit territorial të vendit, por edhe kundër shtetësisë dhe pavarësisë së saj. Pikërisht kjo e bën Hashim Thaçin të heshtë e të fshehë gjurmët e krimit të tij antikombëtar”, ka thënë Bytyçi për “Kosova Sot”.

Ai më tej, ka deklaruar se Thaçi për këshilltar e ka Baton Haxhiun.

“Kjo do të thotë se ai ka gjithashtu këshilltarë të zotë. Një prej këshilltarëve më të afirmuar të tij është Baton Haxhiu. Thaçi nuk ka kapacitete intelektuale që t'i realizojë me kaq sukses këto procese dhe operacione antishqiptare. Prandaj ai nuk i ndahet dhe çmon aq shumë Baton Haxhiun dhe mëson nga intrigat e tij e të Edi Ramës. Batoni është stërvit në shkollat e sigurimit serb, ndërsa Rama në shkollat e sigurimit Soros. Si tre musketierë të pandashëm antishqiptarë ata veprojnë në koordinim të plotë me Aleksandër Vuçiq dhe me të gjitha lobet antishqiptare në botë. Bodo Weber thjesht ka zbuluar një mekanizëm, të cilin ai e sheh si të rrezikshëm për stabilitetin në rajonin tonë. Por mekanizmat që përdorin këta të lartpërmendurit janë të shumtë dhe perfid. Nuk ka rast të dytë si kjo që po ndodh me Kosovën, kur atë e kërcënojnë vetë president i saj dhe dy shqiptarë të tjerë në shërbim të Serbisë e të Rusisë”.

Bytyçi ka thënë se Kuvendi duhet të nis procedurat për shkarkimin e Hashim Thaçit.

“Prandaj dhe Kuvendi i Kosovës duhej me kohë të niste proçedurat për shkarkimin e Hashim Thaçit. Vetëm shkarkimi dhe shkuarja para drejtësisë për veprimtari antikushtetuese e antiligjore e presidentit të vendit do t'i kthejë Kosovës dinjitetin dhe integritetin e saj si shtet. Dëmi që Thaçi i ka shkaktuar këtij dinjiteti dhe integriteti është i pallogaritshëm, edhe nëse nuk realizohet ideja e tij e çmendur e ndryshimit të kufijve me Serbinë. Por fatkeqësisht me Hashim Thaçin nuk merret as mazhoranca, as opozita. Kosova digjet, ndërsa opozita krihet. Në vend që të mbështesë fuqishëm kryeministrin e Kosovës në angazhimin e tij kundër ndarjes së Kosovës, opozita bën retorikë fjalësh e nuk kryen asnjë veprim konkret kundër bartësit të ndryshimit të kufijve, presidentit të Republikës”.

“Opozita duhej dhe duhet t'i kërkojë mazhorancës, përkatësisht kryetarit të kuvendit dhe kryeministrit, bashkëveprim dhe unitet të përbashkët për shkarkimin e Hashim Thaçit nga posti i presidentit. Pastaj të flasë e të kërkojë zgjedhje të parakohshme! Kur vendi rrezikohet prej presidentit, nuk është e ndershme e as komode që opozita të mendojë për karrigen e saj të pushtetit. Nëse do të shuhet Kosova nuk do të ketë as pushtet për opozitën! Hashim Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij duan që ta shaujnë dhe ta zhbëjnë Kosovën si shtet, si njësi politike e administrative dhe ta shndërrojnë në një krahinë të thjeshtë të Shqipërisë, më keq se ishte si krahinë e Serbisë, sepse si krahinë e Shqipërisë vjen pa Trepçën, pa Ujmanin, pa veriun e Mitrovicës e të Kosovës!”, përfundon për gazetën “Kosova Sot”, profesori ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi.ë

(Kosova Sot)