Tregon ish-luftëtari i UÇK-së: Ja pse po iki nga Kosova, fëmijët e mi…

  • 05 April 2019 - 18:39
Tregon ish-luftëtari i UÇK-së: Ja pse po iki nga Kosova, fëmijët e mi…

Ish-luftëtari i UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, i cili është edhe Kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së, ka vendosur ta braktisë Kosovën.

Ai ka thënë se familja dhe gjendja e tij ekonomike janë arsyet kryesore pse ai ka ndërmarrë këtë vendim, siç e ka cilësuar, aspak të lehtë.

“Më së shumti ka ndikuar edhe familja, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike. Është rrit familja,e  janë rritur kërkesat, e s;po mundemi me ia dalë me një pension të invalidit. Njerëzit kanë luftu me u çliru ky vend, e jo me ik të rinjtë prej këtu”, ka thënë Qeriqi.

Ai ka bërë të ditur se do të shkojë në Gjermani, ku thotë se një bashkëluftëtar i tij i ka premtuar se do ta ndihmojë ta gjejë një punë të lehtë atje.

“Një bashkëluftëtar i imi më ka thënë se do t’ju gjej një punë të lehtë, për t’i siguruar disa para. E kam të vështirë për të punuar, sepse kam mbetur invalid nga lufta. Asnjëherë nuk e kam shfrytëzuar statusin e luftëtarit, e as të kryetarit të Invalidëve që të punësohem. Askush në familje nuk po punon. Po e kam të vështirë. Fëmijët janë shembullor në shkollë, atyre ua ka treguar edhe historinë time. Edhe ata ndihen keq për këtë që më ka ndodh mu. Shpeshherë planet e fëmijëve s’kam mundur t’ua realizoj për shkak të mungesës së financave. Ka qenë shumë e rëndë edhe për mua që ta bëjë publik vendin për të ikur nga Kosova. E kam edhe vëllaun në Gjermani. Po e bëjë këtë për familjen time”, ka thënë Qeriqi.

“Edhe shumë miq të tjerë më kanë thënë se do të më ndihmojnë. Më duhet të shkojë edhe në Stamboll për intervenim fillimisht, për shkak të plagëve që kam marrë në luftë”.

Në fund, ai e pati një apel për institucionet e Kosovës.

“Institucionet sa më shpejt të marrin hapa, e t’i punësojnë të rinjtë”, ka thënë Qeriqi.

(Kosova Sot)