David Malpass zgjidhet kryetar i Bankës Botërore

  • 06 April 2019 - 14:52
David Malpass zgjidhet kryetar i Bankës Botërore

David Malpass, i nominuari i presidentit Donald Trump për ta udhëhequr Bankën Botërore, e ka marrë mbështetjen unanime të bordit ekzekutiv të këtij institucioni ndërkombëtar, duke e vazhduar traditën 73-vjeçare të udhëheqjes nga amerikanët.

Kjo bankë njoftoi se nënsekretari i deritashëm për çështje të jashtme do ta fillojë punën e tij të re të martën. Detyra e tij e parë në këtë post do të jetë organizimi i takimeve pranverore mes Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Malpass më parë ka shërbyer si shef financiar dhe si këshilltar gjatë fushatës së presidentit Trump në vitin 2016. Ai ishte kandidati i vetëm për ta marrë postin e presidentit të Bankës Botërore.

Kryetari i mëparshëm i Bankës Botërore, Jim Yong Kim, i cili dha dorëheqje në janar për t’iu bashkuar një fondi privat për infrastrukturë, ishte përballur me dy kundërkandidatë në vitin 2012. Njëri nga ta ishte nga Nigeria dhe tjetri nga Kolumbia.

Presidenti i porsazgjedhur i Bankës Botërore është zotuar se ky institucion do të mbetet i përkushtuar për ta ulur nivelin e varfërisë në vendet më të pazhvilluara, për ta luftuar ndryshimin e klimës dhe për t’i përmbushur qëllimet e vëna përmes rritjes së fondeve prej 13 miliardë dollarësh vitin e kaluar, shkruan “Reuters".

(Kosova Sot)