Akuza e rëndë: Ja pse duhet të hetohet Thaçi, këta persona u vranë me paratë e fondit “Vendlindja thërret”

  • 07 April 2019 - 13:41
Akuza e rëndë: Ja pse duhet të hetohet Thaçi, këta persona u vranë me paratë e fondit “Vendlindja thërret”

Ditë më parë, u raportua se Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryeministrit, Bujar Bukoshi, deputetit të LDK-së, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi në lidhje me dyshimet për keqpërdorim me Fondin 3 për qind.

E sot, përmes një postimi, Zëvendësministri i Arsimit, Muhamet Kelmendi, i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit ta ndjekë penalisht Hashim Thaçin për fondet e luftës.

Kelmendi ka përmendur edhe 5 milionë dollarë, që sipas tij, i kishte marrë një familjar i Presidentit në vitin 1999.

“Vetëm në vitin 1999 iu dhanë nga Fondi “Vendlindja Thërret” 5 milionë dollarë vëllaut të z.Thaçi. Ato i dha në Lubljane Mark Bardhi. Faktet flasin se z.Thaçi dhe thaçat tjerë të pozitës e të opozitës janë njerëz të dyshimtë dhe të cilët duhet të ndiqen dhe të hetohen penalisht”, ka thënë Muhamet Kelmendi.

Image
Nexhat Haziri

E në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, analisti politik, Nexhat Haziri thotë se krahas hetimit të për “Fondi i tre përqindëshit”, duhet të hetohet edhe fondi “Vendlindja thërret”.

“Hetimet për “Fondi i tre përqindëshit”, përbën një lajm të mirë, sidomos për mërgimtarët tanë të cilët derdhen paratë e tyre në këtë fond për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë në Kosovë. Dhe natyrisht se përgjegjës për “Fondi i tre përqindëshit" është ish Qeveria e Republikës së Kosovës në egzil. Por, nëse nuk fillon edhe hetimi edhe për Fondin “Vendlindja thërret”, fond ky që po ashtu u mbush me paratë e mërgatës shqiptare anekënd botës, e që u keqpërdorë nga SHP UÇK-së, e më vonë nga e ashtuquajtura QP e Hashim Thaçit, si gjatë luftës ashtu edhe pas luftës, nisja e hetimit vetëm për Fondin e “tre përqindëshit” është i padrejtë dhe politik”, thotë Haziri për “Kosova Sot”.

Sipas tij, ish –komandantët me paratë e fondit “Vendlindja thërret” kanë ngritur fuqishëm monopolin e tyre duke u bërë milionerë.

“Duhet rikujtuar se me paratë e Fondit “Vendlindja thërret” ish -komandantët organizuan dhe ngritën fuqishëm monopolin mbi tregtinë e drogës, të armëve, derivateve të naftës dhe të cigareve, rrjetin e prostitucionit, para lufte në Shqipëri dhe në Kosovë menjëherë pas përfundimit të luftës. Këto duhet veçuar familjen e presidentit Thaçi, e cila më këto para ka ngritur një piramidë të lartë të pasurimit dhe kontrollon po ashtu një pjesë të madhe të rrjetit së tregtisë të paligjshme, por edhe në fusha të tjera të biznesit në Kosovë. Por jo vetëm familja e presidentit Thaçi por edhe të tjerë eksponent të tjerë të PDK-së kanë ndërtuar pasuri marramendëse me parat e fondit “Vendlindja thërret””, nënvizon Haziri.

Për fund, ai ka thënë se paratë e këtij fondi janë kryer një numër i madh i vrasjeve në Kosovë.

“ Me këto para po ashtu u financua një organizatë kriminale e quajtur SHIK, si nëntokë e PDK-së. Po ashtu me këto para u paguan edhe vrasjet e kolonel Ahmet Krasniqit, Ilir Konushevcit, Enver Malokut, Xhemajl Mustafes, Shaban Manajt, Shefki Popoves, Smajl Hajdarajt, e personaliteteve të tjera nga jeta shoqërore dhe politike e Kosovës”, përfundon për gazetën “Kosova Sot”, analisti politik, Nexhat Haziri.

(Kosova Sot)