Një metodë e re e largimit të droçkave të gjakut

  • 07 April 2019 - 16:05
Një metodë e re e largimit të droçkave të gjakut

Jackie Field, nga Eltham në Londrën jugore, ishte diagnostikuar me trombozë të thellë të venave dhe, në nëntor të vitit të kaluar, i ishte nënshtruar një procedure të re për trajtimin e kësaj gjendjeje. Pajisja insertohet (futet) në venë dhe e futë droçkën (trombin) e gjakut në një si shportë, para se ta nxjerrë atë jashtë me anë të thithjes dhe dredhjes. Autorët e kësaj metode të re thonë se ajo do të kursejë paratë e sigurimit shëndetësor dhe mund ta shkurtojë kohën që nevojitet për të qëndruar pacientët të shtrirë në spital. Zonjës Field, nënë të dy fëmijëve, i ishte formuar një droçkë e gjakut, pas një operacioni në bark.

Kjo grua 55 vjeçe kishte hetuar ënjtjen e këmbës disa javë pasi që kishte dalë nga spitali, prandaj ishte transferuar përsëri atje. Ajo nuk mund të trajtohej me ilaçe që përdoren për të zbërthyer droçkat e gjakut, prandaj i ishte ofruar mundësia që të merrte pjesë në një testim të pajisjes së re, të prodhuar nga "Vetex Medical". Procedura ishte kryer nga Stephen Black, kirurg vaskular në Trustin e fondacionit "Guy's and St Thomas' NHS" në Londër. "Pasojat potenciale të lënies së trombeve të thella venoze në këmbë, janë shumë të këqija për pacientët", thotë ai. "Pacientët e tillë mund të zhvillojnë sindromën post-trombotike, që është një gjendje afatgjatë që shkakton dhembje të madhe, probleme me lëvizje dhe, në disa raste, varrë. Për pacientët si Jackie, të cilët nuk mund të trajtohen me teknika konvencionale, duke përfshirë edhe ilaçet, rëndësi të madhe ka ekzistimi i një opsioni tjetër të trajtimit".

Zvogëlimi i ilaçeve

Kateteri "Vetex Thrombectomy" futet në venë dhe dërgohet deri te vendi ku gjendet trombi. Më pas 'shporta' e tij zgjerohet dhe, me një kombinim të veprimeve rrethuese dhe thithëse, i mundësohet kirurgut që të heqë droçka të mëdha të gjakut nga muret e venave. Kjo pajisje paraqet një 'përmirësim të dukshëm' të teknologjisë ekzistuese, thotë Black. Tromboza e thellë e venave prekë rreth 620,000 njerëz çdo vit në Britani, sipas të dhënave të bamirësisë "Thrombosis UK". Sigurimi shtetëror shëndetësor vlerëson se 25,000 njerëz që pranohen në spital, vdesin çdo vit nga droçkat e gjakut, të cilat përndryshe ka mundësi që të trajtohen. Duke e përshkruar procedurën, Field thotë se ajo është shumë e sigurt dhe se, gjatë procedurës, ajo ishte nën anestezi të përgjithshme. Black thotë se pajisja e re mund të kursejë paratë e sigurimit shëndetësor duke zvogëluar sasinë e ilaçeve të përdorura dhe ditëve të qëndrimit të pacientëve në spital. Kjo metodë po ashtu eviton rrezikun e madh të gjakderdhjes, që shoqëron marrjen e ilaçeve të tilla. "Në rastet e trombozës së thellë venoze, droçkat e gjakut shpesh janë të ngjitura për muret e venave dhe është vështirë që të hiqen", thotë Mark Bruzzi, shef ekzekutiv i "Vetex Medical".

E shoqëruar me skuqje

'Pajisja 'Vetex' është e dizajnuar që të heqë sasi të mëdha të droçkave të ngjitura për mureve të venave, me një trajtim të vetëm, pa përdorim të ilaçeve. Duke bërë një gjë të tillë, ne shpresojmë që ta kursejmë pacientin nga përdorimi i panevojshëm i ilaçeve, të zvogëlojmë koston e shërimit dhe t'i lëshojmë pacientët sa më parë në shtëpi. Kjo pajisje vazhdon që të testohet në spitalin e lartpërmendur dhe, nëse tregohet e sigurt dhe efikase, mund të kalojë në përdorim të përgjithshëm. Tromboza e thellë e venës paraqet një droçkë (tromb) që zakonisht formohet në venat e thella të këmbës. Ajo mund të shkaktojë dhembje, ënjtje dhe ndjesi në të prekur, apo edhe lëkurë të nxehtë në atë zonë, të shoqëruar me skuqje. Dhembja mund të përkeqësohet gjatë lëvizjes së këmbës. Kjo është një gjendje e cila kërkon trajtim të menjëhershëm.

(Kosova Sot)